Mundësi punësimi

Mundësi punësimi në MPJ 

Në zbatim të nenit 28 të ligjit nr. 9095, datë 03.07.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, pranimi në shërbimin e jashtëm i nënshtrohet konkurrimit të hapur, në përputhje me ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.

Ministria e Punëve të Jashtme i njofton Departamentit të Administratës Publike, i cili është edhe organi kompetent për zbatimin e procedurave të rekrutimit, shpalljen e vendit të lirë në Ministri, si dhe kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta për kandidatin aplikues.

Referuar nenit 12 të ligjit “Statusi i nëpunësit civil” dhe nenit 27 të ligjit “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, kërkesa të përgjithshme për kandidatin janë:

  • Të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.
  • Të ketë zotësi për të vepruar.
  • Të jetë në kushte të mira shëndetësore për të kryer detyrat përkatëse.
  • Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e ndonjë vepre penale.
  • Të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil për shkak të një shkelje të rëndë disiplinore, ose të ketë braktisur shërbimin diplomatik.
  • Të jetë i aftë të raportojë në kohë dhe me efiçencë në lidhje me detyrat që i ngarkohen dhe të ketë aftësi komunikuese.
  • Të ketë përfunduar arsimin e lartë në një institucion arsimor brenda ose jashtë vendit, të njohur nga shteti.
  • Të zotërojë një gjuhë të huaj të pranueshme dhe të përshtatshme për punën në shërbimin e jashtëm.

Kërkesat e veçanta varen nga specifika e vendit të lirë të shpallur.
Procedura e gjithë konkursit (neni 13 i ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”) – duke nisur nga shpallja në gazetë dhe faqen zyrtare të DAP, para-seleksionimi, konkurrimi dhe përzgjedhja e kandidatit fitues – bëhet nga Departamenti i Administratës Publike.

Për të aplikuar në një vend të lirë të shpallur, aplikanti duhet të paraqesë pranë Departamentit të Administratës Publike dokumentacionin e kërkuar në shpalljen e vendit të lirë. Dokumentacioni shoqërohet me kërkesën, ku të jetë përcaktuar vendi i lirë për të cilin aplikohet.

Mundësi punësimi në organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare 

Çdo organizatë ndërkombëtare ka rregullat e veta të rekrutimit. Në përgjithësi, ju këshillojmë ti kushtoni vëmendje llojit të vendit të punës, veçanërisht dallimit midis pozicioneve me kontraktim individual dhe atyre me sekondim nga shtetet pjesëmarrëse.

Si rregull, pozicionet me kontraktim individual bëhen vetëm me kontratë, në vijim të kapërcimit me sukses të një konkursi ndërkombëtar të hapur për një vend të lirë të caktuar. Aplikimet janë të hapura për çdo individ që aplikon personalisht. Ndonëse aplikimi nuk kalon nëpërmjet shtetit të origjinës, mbështetja e këtij të fundit për kandidatët që konkurrojnë është shumë e rëndësishme dhe ka ndikim të madh në vendimin përfundimtar për përzgjedhjen e kandidatit fitues. 

Pozicionet me sekondim plotësohen nga shtetet pjesëmarrëse të interesuara me kandidatë të kualifikuar, të cilët mund të vijnë nga administrata shtetërore, bota akademike dhe sektori privat. Edhe kandidatët që aplikojnë në këtë mënyrë i nënshtrohen procesit të përzgjedhjes nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar. Ky konkurs paraprihet nga përzgjedhja paraprake e kandidatëve të kualifikuar nga vetë shtetet pjesëmarrëse. Të gjitha shpenzimet për kandidatin fitues mbulohen nga shteti sekondues (rrogë, sigurim shëndetësor, sigurim shoqëror, etj). Për momentin, shteti ynë nuk ka mundësinë të mbështesë pozicione me sekondim.

Më tepër informacion mbi mundësitë e punësimit në organizatat ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare mund të gjeni këtu .

Nga Sekretariati i Fondacionit Anna Lindh eshte hapur konkurimi për pozicionin e Shefit të Administratës dhe Financës.

Kandidati duhet të paraqesë një CV jo më të gjatë se pesë faqe dhe një letër motivimi në anglisht që duhet të dërgohen në adresën: candidature@euromedalex.org  përpara datës 9 shkurt 2015 ora 16:00, ora e Egjiptit. 

Më shumë informacion ka në downloading the full Call for Candidature, ose në http://www.annalindhfoundation.org/job-opportunities

Sekretariati i CEFTA-s, Bruksel

Shpallje për vend të lirë pune
Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë, (CEFTA 2006), është një marrëveshje rajonale, moderne dhe gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë, e projektuar si një pjesë integrale e agjendës para-aderuese. Ajo afron një bazë të fortë për formulimin e politikave dhe zbatimin e tyre në sektorë kyç të lidhur me tregtinë dhe investimet. Deri më sot, zbatimi i suksesshëm i marrëveshjes së bashku me liberalizimin e plotë të tregut të mallrave ka kontribuar në mënyrë thelbësore në krijimin e zonës së tregtisë së lirë në Evropën Jug-Lindore. Anëtarët e CEFTA-s, kanë rënë dakord mbi një agjendë ambicioze për të kontribuar më tej në rritjen ekonomike.

Sekretariati i CEFTA-s u themelua në Bruksel, në shtator te vitit 2008 në përputhje me Artikullin 40.2 të Marrëveshjes. Roli i përgjithshëm i Sekretariatit është që të ofrojë mbështetje teknike dhe administrative ndaj Komitetit të Përbashkët, Drejtorit të zyrës, si dhe ndaj çdo organi të themeluar nga Komiteti i Përbashkët.

Një Komitet Përzgjedhës, i emëruar posaçërisht po kërkon tashmë aplikant për pozicionin e Drejtorit.
Një përshkrim më i detajuar i punës dhe formulari i aplikimit janë të disponueshme në faqen:

http://www.cefta.int/vacancy

Si aplikantë të përshtatshëm, përfshihen nëpunësit civilë nga administratat kombëtare si dhe personeli nga organizatat ndërkombëtare, sektori privat dhe shoqëria civile. Kandidatit të suksesshëm do t’i ofrohet një kontratë konkurruese nga Sekretariati i CEFTA-s.
Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë një letër dhe një formular të plotësuar aplikimi (të dyja në anglisht) pranë: recruitment@cefta.int
Afati i fundit për pranimin e aplikimeve është mesi i natës (CET), e premte, 27 Nëntor, 2015. Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen për intervistën.

 

Programi i praktikës në MPJ

Mundësi për të bërë praktikë në MPJ në periudhën shkurt- qershor 2017.

Ministria e Punëve të Jashtme kërkon të rekrutojë praktikantë për periudhën shkurt- qershor 2017.

Aktivitetet e parashikuara:

Praktikantët pranë MPJ do të ndihmojnë me punë kërkimore dhe mbështetëse në një nga Drejtoritë e mëposhtme:

  •         Drejtoria e Amerikës, Paqësorit, Azisë dhe Afrikës;
  •         Drejtoria e Organizatave Ndërkombëtare;
  •         Drejtoria e NATO-s;
  •         Drejtoria e BE-së;
  •         Drejtoria e Evropes;
  •         Drejtoria e Traktateve dhe së Drejtës Ndërkombëtare;
  •         Drejtoria e Çështjeve Konsullore dhe Diasporës;
  •         Drejtoria e Diplomacisë Ekonomike dhe Publike;
  •         Drejtoria e Burimeve Njerëzore;
  •         Drejtoria e Arkivit dhe Dokumentacionit;
  •         Qendra e Ekselencës.

 

Praktika pranë MPJ-së është pa pagesë. MPJ ofron të ndihmojë praktikantët me dokumentet e nevojshme që vërtetojnë periudhën e praktikës, detyrat e ngarkuara, si dhe një vlerësim në fund të praktikës. Nëse periudha e praktikës njihet nga institucioni arsimor ku studioni apo jo, varet tërësisht nga ky institucion, por MPJ qëndron e gatshme t’ju ndihmojë për njohjen e kohës dhe punës suaj në shkëmbim të krediteve.

Përgjegjësitë:

  •       Mbështetje të Drejtorive me punë kërkimore, sipas nevojës.
  •      Ndjekje e zhvillimeve dhe përditësimeve relevante nga agjencitë kryesore, organizata,       industri dhe burime të tjera, sipas fushës.
  •       Përgatitje, redaktim dhe botim i Buletinit Informativ dhe Newsletter-it.
  •       Redaktim dhe botim i Përditësimeve dhe Njoftimeve për Shtyp.
  •       Menaxhim i marrëdhënieve të MPJ-së me mediat sociale.
  •       Monitorim dhe ndihmë në menaxhimin e llogarisë Twitter@MinJashtme.
  •       Mbështetje administrative, sipas nevojës.

 

Kualifikimet e nevojshme:

  •     Interes në marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike, të drejtë ndërkombëtare, biznes, shkenca komunikimi, etj.
  •        Interes dhe/ose përvojë komunikimi në mediat sociale.
  •        Njohje shumë e mirë e gjuhës shqipe dhe angleze; vlerësohen dhe njohuri të gjuhëve të huaja të tjera.
  •        Aftësi të mira analitike, të komunikimit verbal dhe të shkruarit.
  •        Aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur dhe për t’iu përgjigjur shpejt udhëzimeve.
  •        Aftësi për të kryer punë kërkimore, si në mbledhjen e materialit, ashtu dhe në shkrimin e raporteve.
  •        Vlerësohet përvoja me menaxhimin e faqeve të Internetit. 
  •     Preferencë për studentë që kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve universitare, ose që kanë përfunduar studimet universitare jo më larg se viti 2014.

 

Si të aplikoni:

Për të aplikuar, shkarkoni formularin e aplikimit dhe dërgojeni të plotësuar tek interns@mfa.gov.al brenda datës 30 janar 2017.