Këshilli i Evropës

Shqipëria dhe Këshilli i Evropës

Shqipëria ka funksionuar si demokraci parlamentare pluraliste që nga zgjedhjet e pranverës së vitit 1991. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dërgoi vëzhgues në këto zgjedhje. Në vijim të konkluzioneve të misionit vëzhgues, si dhe të zhvillimeve të mëvonshme politike, parlamentit shqiptar ju dha statusi i “të ftuarit të veçantë”, më 25 nëntor 1991. 

Që nga prilli i vitit 1991 e deri në shtator të vitit 1993 u ndërtua kuadri ligjor për zhvillimin e demokracisë me anë të tetë ligjeve të një karakteri kushtetues. Këto ligje siguruan ndërtimin e nje Republike parlamentare dhe ndarjen e pushteteve. Po kështu, ligjet përmbanin një listë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, pas konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë.   

Më 4 maj 1992, Shqipëria bëri kërkesë për të hyrë në KE. Me anë të Rezolutës (92)9, të datës 21 maj 1992, Komiteti i Ministrave i kërkoi Asamblesë Parlamentare të jepte një opinion në përputhje me Rezolutën e Statutit (51) 30 A. 

Duke filluar nga maji 1992 Komitetet e Asamblesë dhe Raportuesit e tyre zhvilluan disa vizita të njëpasnjëshme në vend.  

Në janar 1993 filloi zbatimi i një programi bashkëpunimi i organizuar nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Evropës në fushat e të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor. Programi trajtoi midis të tjerash përgatitjen e gjykatësve, avokatëve dhe policisë, reformën në prokurori, në sistemin gjyqësor, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në burgje; hartimin e kodit civil dhe penal dhe kodet e procedurave përkatëse.

Kodi i ri Civil i Republikës së Shqipërisë hyri në fuqi në nëntor 1994. Kodi i ri Penal dhe Kodi i Procedurave Penale hynë në fuqi respektivisht më 1 qershor dhe në 1 gusht 1995. Në 23 mars 1995 u arrit një marrëveshje për një Komision të ri të përbashkët të Komunitetit Europian dhe Këshillit të Evropës për programin e reformës në sistemin ligjor.

Asambleja vlerësoi se Shqipëria, në kuptimin e Nenit 4 të Statutit, ishte në gjendje dhe e gatshme të përmbushë kushtet për anëtarësi në Këshillin e Evropës, sikurse përcaktohen në Nenin 3:”Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit ligjor dhe parimin se çdo person nën juridiksionin e tij gëzon të njëjtat të drejta njerëzore dhe liri themelore, dhe të bashkëpunojë sinqerisht dhe efektivisht për realizimin e qëllimeve të tij. 

Duke nënkuptuar se Shqipëria i interpreton njëlloj me të angazhimet që ka marrë ashtu sikurse përcaktohen ato në paragrafet 13 dhe 16 të Statutit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës shprehu një Opninion të favorshëm (Opinioni nr. 189, 1995), për pranimin e kërkesës për anëtarësim nga ana e Shqipërisë. 

Te trembëdhjetë pikat e Opinionit 189 (1995) të Asamblesë Parlamentrae përbëjnë bazën e detyrimeve dhe angazhimeve të ndërmarra nga shteti shqiptar në kuadër të anëtarësimit në KE. Deri më sot Shqipëria ka pëmbushur pothuaj të gjitha këto angazhime. 

Kryesimi nga Shqipëria i Komitetit të Ministrave të KiE-së (23 maj-9 nëntor 2012)

Republika e Shqipërisë kryesoi Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për herë të parë, që prej anëtarësimit të saj në 6-mujorin e dytë të vititi 2012 (23 maj-9 nëntor). Për të mbështetur dhe promovuar vlerat themelore të organizatës, Kryesia shqiptare u përqendrua në prioritetet e mëposhtme:

1. Promovimi i shoqërive demokratike të qëndrueshme;
2. Forcimi i demokracisë në nivel lokal dhe rajonal;
3. Forcimi i shtetit të së drejtës në Evropë;
4. Vazhdimi i reformës politike të organizatës;
5. Garantimi i funksionimit afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
6. Garantimi i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut;
7. Stimulimi i dialogut në nivel ndërinstitucional dhe në nivel organizatash ndërkombëtare.
Moto e kryesisë shqiptare të Këshillit të Ministrave ishte “Të bashkuar në diversitet”, duke e parë diversitetin si një aset të rëndësisihëm të shoqërive demokratike evropiane, cka reflekton njëkohësisht edhe një vlerë tradicionale shqiptare.