OKB

“Shqipëria 60 vjet në OKB”

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) është organizata më e madhe në botë, e cila ka për qëllim ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale. Ajo u  themelua pas Luftës së Dytë Botërore, në 24 tetor 1945 me iniciativën e shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore (ShBA, Kina, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Franca), me qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit midis shteteve të botës, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. 

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Kombet e Bashkuara kanë luajtur një rol të madh në uljen e tensioneve në një botë të polarizuar. Pas rënies së Murit të Berlinit, OKB-ja ka mundur të ruajë autoritetin e vet, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në rendin botëror. Vendet anëtare të OKB-së pajtohen me mendimin se bota e sotme moderne po bëhet gjithnjë e më të globalizuar dhe  ka nevojë për një organizatë ndërkombëtare të aftë  për të vepruar globalisht dhe në mënyrë efektive për  zgjidhjen e konflikteve globale. Sot OKB është e përfshirë në një sërë nismash dhe aktivitetesh të cilat adresojnë dhe synojnë të zgjidhin çështjet globale me rëndësi të madhe për të ardhmen e njerëzimit.
 
Pranimi i Shqipërisë  në Kombet e Bashkuara më 14 dhjetor 1955 përbën  padyshim një nga ngjarjete shënuara në historinë e vendit . Menjëherë pas anëtarësimit të OKB-së , Shqipëria mori pjesë në mënyrë aktive në punimet e organeve dhe agjencive të specializuara të OKB-së .  Shqipëria mban misione të  përhershme diplomatike pranë selisë  të  OKB-së në Nju Jork dhe Zyrave të OKB-së në Gjenevë dhe në Vjenë .
 
Gjatë aktivitetit të saj në Kombet e Bashkuara , Shqipëria u ka kushtuar rëndësi të veçantë çështjeve që lidhen me  ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë, promovimin dhe  mbrojtjen e të drejtave të njeriut ,  zbutjen e problemeve ekonomiko dhe sociale,  promovimine mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit  si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e kulturës dhe shkencës .
 
Vitet e fundit Shqipëria ka mbështetur aktivisht përpjekjet e OKB-së për ruajtjen e paqes. Ajo merr pjesë në operacionet paqeruajtëse të OKB-së duke kontribuar me trupa, vëzhguesit ushtarakë dhe policore si dhe duke kontribuar fondet në buxhetin e operacioneve të paqes. 
Shqipëria është zgjedhur anëtare e ECOSOC për periudhën 2005-07 dhe për periudhën 2013-15. Gjatë vitit 2013 Shqipëria ka dhenë kontributin e saj në ECOSOC edhe në cilësinë e Zëvendës Presidentit të Këshillit Ekonomik dhe Social.
Shqipëria është pjesë e programit “Një OKB”, si vend pilot që po zbaton këtë reformë të Kombeve të Bashkuara. Konferenca ndërkombëtare e “Delivering as One”, e mbajtur në Tiranë 27-29 qershor 2012 vlerësoipërvojën e Shqipërisë në këtë drejtim.
Që prej janarit të vitit 2011 Shqipërisë është anëtare në Bordin Ekzekutiv të UN-HABITAT. 
Shqipëria është zgjedhur në prill 2011 në bordin ekzekutiv të UNICEF për mandatin 2012 –2014. 
Shqipëria është zgjedhur në bordin ekzekutiv të UNEP për periudhën 2012-15.
Shqipëria është anëtar i Bordit Ekzekutiv të UNESCOs për periudhën 2013-15. Për vitin 2014 Shqipëria u zgjodh Zëvendës Presidente e Bordit Ekzekutiv të UNESCOs.
Shqipëria ka mbajtur postin e Presidentit të Mbledhjes së 10-të të Shteteve Palë të Konventës së Otawas (Minat antipersonel).
Shqipëria ka qënë anëtare e Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare  të Energjisë Atomike (ANEA-s) nga shtatori 2007 deri ne shtator 2009. 

Kandidaturat për të ardhmen:
Shqipëria kandidon për anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2015-17.
Shqipëria kandidon për anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB për periudhën 2022-23

Shqipëria kandidon për Zëvendës President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB për Sesionin e 75 të saj.

Shqipëria në UNIDO

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO) është themeluar në vitin 1966 dhe ka 173 shtete anëtare. UNIDO ka si qëllim mbështetjen e zhvillimit industrial për përmirësimin e cilësisë së jetës në vendet në zhvillim. UNIDO funksionon nëpërmjet tre organeve: Konferenca e Përgjithshme, Bordi i Zhvillimit Industrial dhe Komiteti i Programit e Buxhetit. Shqipëria është anëtare e UNIDO-s që prej 19 prillit 1988. Që nga qershori i vitit 2009 bashkëpunimi me këtë organizatë po realizohet në  kuadrin e projektit “One UN” dhe është i  fokusuar në dy projekte kryesore: Projekti “Prodhim i Pastër” dhe “Projekti i Ozonit”. Në zbatim tё Protokollit të Montrealit në Shqipëri ёshtё krijuar Zyra Kombëtare e Ozonit pranë Ministrisë së Mjedisit.

Shqipëria në UNODC

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) është Organizata që udhëheq luftën globale kundër drogave të paligjshme dhe krimit ndërkombëtar. Ajo është themeluar në vitin 1997 dhe vepron në të gjitha rajonet e botës me anë të një rrjeti të gjerë zyrash në terren. Ajo mbështetet në kontribute vullnetare, kryesisht nga qeveritë, në 90% të buxhetit të saj dhe ndihmon shtetet anëtare në luftën kundër drogave të paligjshme, krimit dhe terrorizmit. Programi i punës së UNODC bazohet në këto shtylla: 
•    Projektet e bashkëpunimit teknik në terren për të rritur kapacitetet e shteteve anëtare për të luftuar drogat e paligjshme, krimin dhe terrorizmin 
•    Hulumtime dhe studime për të zgjeruar njohuritë rreth drogës dhe çështjeve të krimit 
•    Mbështetje normative për shtetet anëtare në ratifikimin dhe zbatimin e traktateve ndërkombëtare dhe zhvillimin e legjislacionit të brendshëm në fushën e drogave, krimit dhe terrorizmit 
Bashkëpunimi i Shqipërisë me UNODC përqendrohet në zbatimin e Programit Rajonal për Evropën Juglindore me titull “Lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar për të përmirësuar qeverisjen, drejtësinë dhe sigurinë” për periudhën 2012-15. Ky është cikli i dytë i këtij programi (cikli i parë mbuloi periudhën 2009-2012) dhe ndërtohet mbi tre shtylla kryesore: 
•    trafiku i paligjshëm i drogave dhe krimi i organizuar 
•    fuqizimi i integritetit të drejtësisë 
•    parandalimi, mjekimi dhe kujdesi ndaj personave me varësi nga droga 
Ecuria e Programit mbikëqyret nga një Komitet i posaçëm i shteteve të Evropës Juglindore, që mblidhet në Vjenë dy herë në vit. Shqipëria i ka dhënë mbështetje të plotë projektit të ri rajonal të UNODC për Evropën Juglindore. Ajo bashkëpunon ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për të arritur objektivat e projektit. Në kuadër të këtij program, në Portin e Durrësit është realizuar Qendra e Përbashkët e Kontrollit të Kontejnerëve dhe po zbatohen një sërë projektesh për parandalimin, mjekimin dhe kujdesin ndaj personave me varësi nga droga. 

Kandidatura e Shqipërisë ne KDNJ 2015-2017