Organizata të tjera

Shqipëria në IACA

Akademia Ndërkombëtare për Anti Korrupsionin (IACA) është një organizatë e re ndërkombëtare me bazë në Laksenburg  të Austrisë. Ky është institucioni i parë global i këtij lloji, që punon për tejkalimin e mangësive, në njohuri dhe praktikë, në fushën e anti-korrupsionit dhe për fuqizimin e profesionistëve të fushës për tu përballur me sfidat e së nesërmes. Akademia përqafon një qasje të re arsimore dhe kërkimore në fushën e anti-korrupsionit. Ajo ofron kurse të posaçme për profesionistë të fushës, programe akademike dhe ofron mbështetje teknike për një shumëllojshmërie të gjerë aktorësh. Me nismën e UNODC, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Republikës së Austrisë dhe aktorëve të tjerë, ajo u shndërrua në organizatë ndërkombëtare më 8 mars 2011. Deri më sot, në të janë anëtarësuar 64 shteteve dhe tre organizata ndërkombëtare. Shqipëria e ka nënshkruar marrëveshjen përkatëse më 20 shtator 2010 dhe e ka ratifikuar atë më datë 21 shtator 2011. Qeveria e Shqipërisë është e interesuar që të përfitojë sa më shumë nga përvoja e dhe mbështetja teknike e IACA. 

 

Shqipëria në ANEA

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) u krijua në 29 Korrik 1957. Shqipëria është anëtare e saj që prej fillimit. ANEA ka tre organizma kryesore: Bordin e Guvernatorëve, Konferencën e Përgjithshme dhe Sekretariatin. Bordi i Guvernatorëve ka gjithsej 35 shtete anëtare, nga të cilat 10 janë të përhershëm (shtetet më të avancuara në teknologjinë bërthamore). Të tjerët zgjidhen nga Konferenca e Përgjithshme (KP) çdo dy vjet sipas kritereve gjeografike. Republika e Shqipërisë ushtroi mandatin e anëtarit të Bordit të Guvernatorëve të ANEA-s për periudhën dyvjeçare shtator 2007-shtator 2009. ANEA ka tre drejtime kryesore në veprimtarinë e saj: 

•    Mbrojtja nga rrezatimi e siguria e materialeve e impianteve bërthamore 
•    Shkenca e teknologjia bërthamore 
•    Inspektim-verifikimi bërthamor 

Në vitin 2004 ANEA krijoi Programin për terapinë e kancerit që ndihmon shtetet për të ushtruar, zgjeruar e përmirësuar radioterapinë kundër kancerit.

Bashkëpunimi i Shqipërisë me ANEA-n ka qenë i rëndësishëm dhe i suksesshëm. Prioritetet e Shqipërisë lidhen kryesisht me përdorimet e teknologjisë bërthamore në mjekësi për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të ndryshme dhe mjekimin me rreze të kancerit, në mbrojtjen nga rrezatimi të punonjësve, pacientëve e mjedisit, të kontrollit e ndalimit të trafikut ilegal të lëndëve radioaktive e bërthamore. Shqipëria dhe ANEA kanë hartuar Programin kuadër kombëtar, i cili përbën strategjinë 6 vjeçare të bashkëpunimit teknik për periudhën 2012-2017, në fushën e mjekësisë, bujqësisë, mjedisit, dhe mbrojtjes e sigurisë bërthamore. Bashkëpunimi teknik me ANEA-n për ciklin 2012-2013 realizohet në tre projekte kombëtare dhe 23 projekte rajonale me vlerë të përgjithshme mbi 1 milion Euro. Për ciklin e ri 2014-2015 Shqipëria do të përfitojë projekte me vlerë mbi 2 milionë Euro, me prioritet në fushën e mjekësisë, diagnostikimit e radioterapisë, si dhe atë të monitorimit të kufijve për trafikun ilegal të materialeve radioaktive e bërthamore. Shqipëria ka ratifikuar të gjitha konventat ndërkombëtare të rekomanduara nga ANEA.

Në zbatim të drejtimit të Inspektim-Verifikimit Bërthamor, Agjencia trajton çështje/dosje të rëndësishme të zhvillimeve politike globale, siç janë ato të Iranit, Sirisë dhe RPDK. 

 

Shqipëria në CTBTO

Organizata e Traktatit për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore (CTBTO) nuk është krijuar ende pasi traktati përkatës nuk ёshtё ratifikuar ende nga të shtetet e përcaktuara si fuqi bërthamore dhe me potencial për t’u bërë të tilla. Në pritje të përfundimit të procesit, në Vjenë funksionon përkohësisht Komisioni Përgatitor i CTBTO-së dhe Sekretariati Teknik i Përkohshëm, qё ndihmon Komisionin pёr tё zbatuar detyrat e tij. Komisioni Përgatitor u krijua në vitin 1996 dhe Shqipëria është anëtare e tij që prej atij viti. Shqipëria ka ratifikuar Traktatin në vitin 2003 dhe i bashkohet thirrjeve të Bashkësisë Ndërkombëtare për hyrjen në fuqi sa më parë të tij. Instituti i Gjeoshkencave në Universitetin Politeknik të Tiranës bashkëpunon me CTBTO-n në Projektin e Aftësimit të Qendrës Kombëtare të të Dhënave.

 

Shqipëria në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë

Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë bashkon vendet që kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën frënge. Ajo përbëhet nga 77 vende anëtare apo vëzhguese.

ONF-ja ka si synim të kontribuojë në përmirësimin e jetës së popujve duke i ndihmuar që të kthehen në aktorë të zhvillimit të tyre. Ajo u jep vendeve anëtare mbështetje në përpunimin dhe konsolidimin e politikave dhe zhvillon aksionin e saj të politikës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit shumëpalësh, në përputhje me 4 misionet e mëdha:

  • Promovimi i gjuhës frënge dhe i larmisë kulturore dhe gjuhësore;
  • Promovimi i paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut;
  • Mbështetja e arsimit në të gjitha stadet, formimit dhe kërkimit;
  • forcimi i bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet të rinjve dhe grave, si dhe aksesit në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në të gjitha aksionet e ONF-së.

ONF-ja është themeluar në vitin 1997, në fillim me emrin Agjencia Ndërqeveritare e Frankofonisë. Ajo ka pasur Agjencinë e bashkëpunimit Kulturor dhe Teknik, të krijuar më 1970.

Shqipëria është anëtarësuar në ONF-në në vitin 1997, me statusin e vëzhguesit dhe në vitin 1999 është pranuar si anëtare me të drejta të plota.

Shqipëria në UNAOC

Aleanca e Qytetërimeve e Kombeve të Bashkuara (UNAOC) është një nismë e propozuar nga Kryeministri i atëhershëm spanoll, Jose Luis rodriguez Zapatero, në sesionin e 59të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të bashkuara në vitin 2005, me mbështetjen e Kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan. Kjo nismë synon të nxisë aksonin ndërkombëtar kundër ekstremizmit nëpërmjet forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërkulturor dhe ndërfetar. Aleanca i kushton një vëmendje të veçantë shkrirjes së tensioneve mes Perëndimit dhe botës islamike.

Media, rinia, arsimi, emigracioni dhe integrimi janë fushat kryesore ku përqendrohet aktiviteti i saj.

 

Shqipëria në UNESCO

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) është një agjenci e specializuar e OKB-së që është krijuar në vitin 1945. Ajo ka si qëllim të kontribuojë në paqen dhe sigurinë nëpërmjet promovimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës, për të rritur respektimin universal të drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, si dhe liritë themelore të shpallura në Kartën e OKB-së. Ajo është pasardhësja e Komisionit Ndërkombëtar për Bashkëpunimin Intelektual të Ligës së Kombeve.

Marrëdhëniet e vendit tonë me UNESCO-n janë afatgjata dhe të frytshme. Që prej anëtarësimit tonë në vitin 1958, fryma e bashkëpunimit ka qenë e frytshme dhe konstante, në katër fushat e kompetencës së Organizatës, përkatësisht arsim, shkencë, kulturë e komunikim.

Në zbatim të Kushtetutës së UNESCO-s, vendi ynë ka krijuar në vitin 2000 Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, me Kryetar Ministrin e Arsimit dhe Sekretar të Përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Shqipëria është e pranishme në listat e ndryshme të UNESCO-s që promovojnë vlerat kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Konkretisht:

  • Në Listën e Trashëgimisë Botërore vendi ynë ka regjistruar Butrintin (1992), dhe Qendrat historike të Gjirokastrës (2005) dhe Beratit (2008).
  • Në Listën e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore vendi ynë ka regjistruar Iso-Polifoninë (2005).
  • Në listën e Kujtesës së Botës vendi ynë ka regjistruar Kodikët e Purpurt të Beratit (2005).

Projektet në ndjekje janë: projekti për regjistrimin e pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit (si shtesë pjesës maqedonase) në Listën e Trashëgimisë Botërore si një sit me vlera natyrore dhe kulturore; regjistrimin e formacioneve karstike më përfaqësues në Listën e Trashëgimisë botërore si site me vlerë natyrore, në kuadër të projektit rajonal Fenomenet Karstike të Dinarideve; regjistrimin e Basenit Prespa-Ohër si rezervë ndërkufitare biosferike (së bashku me Maqedoninë) në Listën e Rezervave Biosferike të Njeriut dhe Biosferës; regjistrimin e Liqenit të Shkodrës si rezervë ndërkufitare biosferike (së bashku me Malin e Zi) në Listën e Rezerva Biosferike të Njeriut dhe Biosferës.

Gjatë punimeve të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, mbajtur në nëntor 2013, vendi ynë u zgjodh për herë të dytë anëtar i Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2013-2017 dhe Zëvendës-President i Byrosë së Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2013-2014.

Shqipëria është anëtare e Komitetit të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore për periudhën 2009-2013; e Komitetit të Larmisë së Shprehjeve Kulturore për periudhën 2009-2013; e Byrosë së Programit Ndërqeveritar për Zhvillimin e Komunikimit (IPDC) për periudhën 2009-2013, si dhe e Byrosë së Këshillit Ndërqeveritar për Programin e Menaxhimit të Transformimeve Sociale (MOST) për periudhën 2009-2013.