Halil Hyseni

Zëvendësministër

Halil Hyseni

CURRICULUM VITAE

  Z. HALIL HYSENI

Zv. Minister në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Halil Hyseni ka lindur më 5 prill 1963, në fshatin Gramsh, Lushnje nga prindër të lindur në Çamëri.

Me mbarimin e gjimnazit, në vitet 1981-1984 vijon studimet për pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë. Në vitet 1984-1986 mbaron Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe emërohet pedagog pranë këtij institucioni, ku edhe shërbeu deri në prag të ndryshimit të sistemeve. Përgjatë kësaj periudhe nisi studimet e larta për matematikë - fizikë ne Universitetin e Shkodrës, të cilat i ndërpreu në periudhën e amullt të vitit 1991. Ekspertizën e përftuar përgjatë viteve nën shërbimin ushtarak  e përmbyll më 1994 me mbrojtjen e doktoraturës dhe përfitimin e titullit “Doktor”. Në këtë linjë, ndjek në vitin 2000 Kolegjin për Mbrojtje e Siguri, pranë Akademisë së  Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

I diplomuar jurist nga Universiteti i Tiranës, vijon të specializohet në këtë fushë duke marrë në vitin 2009 titullin ‘Avokat’, ndërsa në vitin 2015 diplomohet në ‘International Air Law’, nga IATA.

Halil Hyseni është dekoruar nga Presidentë të Republikës me ‘Medaljen e Artë të Shqiponjës’ dhe me ‘Medaljen e Shërbimit Ushtarak’.

 

Eksperienca e mëparshme e z. Halil Hyseni në fushën e marrëdhënieve me jashtë përfshin edhe angazhime në detyrën e Drejtorit të Kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj; detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil, përgjatë së cilës përfaqësoi vendin në organizma dhe organizata ndërkombëtare si ICAO, ECAC, EASA, Eurocontrol, etj. z. Halil Hyseni është bashkëthemelues dhe Drejtor Ekzekutiv (2007-2015) i OJF “Albanian Forum for the Alliance of Civilizations”.

 

Halil Hyseni zotëron gjuhët angleze, greke dhe italiane, dhe ka njohuri të gjuhës ruse.

 

Halil Hyseni është i martuar dhe baba i katër fëmijëve, prej të cilëve e vogla, Xhenet, e vështron dhe e mbron nga lart, nga Xheneti.