Diplomacia Ekonomike dhe Publike

Diplomacia Ekonomike dhe Publike

Diplomacia ekonomike në fokusin e politikës së Jashtme


Diplomacia ekonomike është përcaktuar tradicionalisht si një fushë e vendim-marrjes, politikë-bërjes dhe advokacisë për avancimin e interesave ekonomike të shtetit. Diplomacia ekonomike mbështetet në një ekspertizë teknike që merr në analizë efektet e situatës ekonomike të vendit për klimën politike, si edhe për interesat ekonomike vendase. 
Diplomacia ekonomike është arti i garantimit të sigurisë ekonomike dhe përmbushjes së interesave strategjike kombëtare përmes përdorimit të instrumentave ekonomike në marrëdhëniet ndërshtetërore.   
Suksesi i diplomacisë ekonomike lidhet ngushtësisht me aftësinë për të ndikuar proceset e politikë-bërjes dhe në vendim-marrjen mbi aspektet rregullatore, qoftë nga qeveritë e vendeve të huaja apo organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Diplomacia ekonomike shtrihet përtej stimulimit të tregtisë dhe investimeve, duke përfshirë edhe zgjidhjen e një sërë problematikash të cilat lidhen me konflikte të ndryshme ndërkombëtare. 
Roli i diplomacisë ekonomike është i gjithanshëm dhe parashikon ndër të tjera angazhime lidhur me tregtinë e jashtme dhe marrëdhëniet import-eksport, me promovimin e interesave ekonomike të shtetit jashtë vendit, sensibilizimin e investitorëve potencialë të huaj për mundësitë që u ofrohen, negocimin dhe arritjen e marrëveshjeve ekonomike-tregtare,  si edhe bashkëpunimin për eleminimin e divergjencave problematike dhe për harmonizimin e standarteve në fushën ekonomike, sociale, atë të mjedisit, edukimit etj.   
Diplomacia ekonomike vepron në tre nivele:  dypalësh, rajonal dhe multilateral.
Diplomacia ekonomike dypalëshe luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike me vendet e tjera. Ajo bazohet ndër të tjera në marrëveshje bilaterale mbi tregtinë, investimet, punësimin, tatimet, si edhe angazhohet në trajtimin e një sërë çështjesh ekonomike formale apo informale mes dy vendece. Marrëveshjet Bilaterale të Tregtisë së Lirë janë prej kohësh “në rend të ditës” dhe një numër i madh vendesh nëpër botë zbatojnë të tilla marrëveshje.   
Bashkëpunimi rajonal përbën një dimension me rëndësi të veçantë dhe në rritje për diplomacinë ekonomike. Praktika ka treguar se interesat kombëtare dhe liberalizimi i ekonomive vendase janë lehtësuar dhe favorizuar ndjeshëm në kuadër të mekanizmave dhe instrumentave me një fokus të qartë rajonal. Heqja e kufijve dhe hapja e tregjeve arrihet më lehtë dhe me sukses në një kontekst rajonal. 
Diplomacia ekonomike shumëpalëshe zhvillohet në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), si edhe një sërë organizmash ndërkombëtare ekonomike dhe financiare si Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe agjenci të ndryshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) etj.

Ndër të tjera, themilimi i OBT-së ka sjellë një ndryshim të kursit të politikave në sistemin global të tregtisë, veçanërisht përmes rëndësisë që i është dhënë nxitjes së veprimtarive ekonomike. Megjithatë, garantimi i konkurrueshmërisë vijon të mbetet një nga sfidat e rëndësishme të marrëveshjeve tregtare bilaterale dhe multilaterale. 

 

ColoursofAlbania - Diplomacia digjitale në veprim

 

#Çfarë është #ColoursofAlbania?

Fushatë mbarëkombëtare dhe konkurs fotografik në mediat sociale për promovimin e Shqipërisë

(Instagram, Facebook, Twitter, Web)

Prezanto me imagjinatë Shqipërinë!

Kjo iniciativë synon prezantimin e imazhit të vendit, duke përcjellë anë e mbanë botës ngjyrat e vërteta të shoqërisë, qytetet dhe fshatrat mahnitëse, bregdetet dhe pejsazhet e paprekura, si dhe pazaret e kështjellat historike të Shqipërisë.

Konkursi #ColoursofAlbania 

Tema ështe e lirë, duke përfshirë këtu bashkëjetesën fetare, shoqërinë shqiptare, artin, kulturën, etj. Çdo  javë do të publikohet tema në faqet e InstagramFacebook, Twitter, në faqet e internetit të Telekom Albania, të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të përfaqësive shqiptare nëpër botë dhe të institucioneve të tjera publike.

Kohëzgjatja

Promovimi i #ColoursofAlbania do të fillojë më 27 maj 2016 dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2016. Lançimi i fushatës do të zhvillohet në Qendrën e Telekom Albania (Lounge Bar - me kapacitet 150 persona).

Pjesëmarrësit

Konkursi është i hapur për tëgjithë qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht të rinjtë, të apasionuarit pas fotografisë, udhëtimit, artit, kulturës, natyrës, etj.

Bashkëpunëtorë në promovimin e #ColoursofAlbania

Institucionet Publike: Ministria e Kultures, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, AIDA, Bashkia Tiranë.

Personazhe të njohura: Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Kledi Kadiu, Skuadra Kombëtare e Futbollit, Laura Mersini , James Belushi, Elina Duni, Ermal Mamaqi.

  • *     

Rregullat

1.Ndiqni imagjinatën tuaj dhe fotografoni bukuritë e Shqipërisë;

2.Publikoni fotografitë në profilin tuaj në instagram me hashtag #CouloursofAlbania;

3.Bëni TAG profilin tonë në Instagram @ColoursofAlbania;

4.Bëni TAG në Facebook @ColoursofAlbania;

5.Mund të dërgoni fotografitë duke bërë “CHECK IN” vendin ku është marrë;

6.Mund të dërgoni fotografitë që keni publikuar muaj më parë, mjafton të vendosni këtë hashtag #ColoursofAlbania.

 

Çmimet
• Vendi i parë;
• Dy vende të dyta;
• Tre vende të treta.

Fituesit do të ftohen të jenë prezentë në ekspozitën e fotografisë dhe aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të iniciativës #ColoursofAlbania.

Fotot fituese do të jenë pjesë e një bookleti që do të shpërndahet në të gjitha përfaqësitë shqiptare nëpër botë dhe do të përdoret si dhuratë simbol i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

#ColoursofAlbania është projekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, mbështetur nga Telekom Albania, dhe synon eksplorimin e temës “Shqipëria është e bukur” nëpërmjet grumbullimit të fotove kreative nga përdoruesit e instagramit dhe mediave të tjera sociale.

 

Për më shumë informacion:

www.coloursofalbania.com