Turizmi në Shqipëri

Hapat e ndërmarra për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit dhe Investimeve në këtë sektor

 

Turizmi, në vizionin e qeverisës, shihet si sektori që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke siguruar punësim, nxitje të ndërmarrjeve të vogla e të mëdha, më shumë të ardhura e më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

 

Ne jetojmë në një vend që ka të gjithë potencialet e duhura për t'u kthyer në një destinacion turistik tërheqës për turistët, siç janë bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore edhe mikpritja. Po kaq tërheqës është vendi ynë edhe për investitorët vendas edhe të huaj.

 

Ne synojmë të zhvillojmë turizmin gjithëvjetor dhe vendi ynë ofron të gjitha kushtet, për zhvillimin e infrastrukturës turistike, sa i takon,  Turizmit Nautik, Marinës, Turizmit Malor dhe Kulturor.

 

Një nga gjërat, që deri më sot i ka munguar zhvillimit të sektorit të turizmit, ka qenë koordinimi mes politikave shtetërore edhe nevojave të sektorit privat.

 

Turizmi shqiptar ndodhet në një fazë ridimensionimi. Masat që po merren aktualisht, synojnë ta shndërrojnë atë në një sektor konkurrues në rajon, përballë vendeve me traditë në këtë drejtim, siç janë Mali i Zi, Kroacia, Greqia, apo Italia.

 

Hapat konkrete në reformën që ka përfshirë sektorin e turizmit janë:

 

  • Ligji i ri i Turizmit dhe reformat ligjore që do të krijojnë një bazë për një turizëm të qëndrueshëm,
  • Draft-Strategjia Kombëtare 2014-2020 dhe Plani Përgjithshëm Kombëtar në planifikimin urban,
  • është duke u punuar për një paketë mbështetëse për turizmin, e cila shumë shpejt do t’i propozohet për miratim Këshillit të Ministrave.
  • krijimin e një modeli të integruar, gjithëvjetor të turizmit, me fokus dimensionin kulturor, natyror dhe bregdetar.

 

Për t’u përgjigjur nevojave dhe dinamikave të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, u miratua  Ligji i ri Turizmit[1], i cili do të garantojë standardizimin dhe  klasifikimin e shërbimeve turistike, me qëllim uljen e informalitetit dhe rritjen e shërbimeve cilësore në industrinë e turizmit. Ky ligj ka si qëllim ta kthejë turizmin në një sektor të drejtpërdrejtë prioritar të zhvillimit ekomomik, të mbështesë zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, të promovojë Shqipërinë si një destinacion turistik, si dhe të tërheqë investitorë vendas dhe të huaj.

Ligji rregullon veprimtarinë e sipërmarrjeve turistike për investitorët vendas dhe të huaj duke siguruar që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt.

Ai është i organizuar në 14 kapituj dhe 72 nene

 

Ligji parashikon futjen e Regjistrit Qendror Turistik (RQT), si dokumenti që unifikon të gjitha subjektet që operojnë në fushën e turizmit. RQT do të përbëjë një bazë të vetme elektronike të dhënave për sipërmarrjet turistike.

 

Kapituj të veçantë përcaktojnë funksionet dhe përgjegjësitë e Ministrisë përgjegjëse për Turizmin, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Komitetit Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit, Inspektoratit Shtetëror për Turizmin. Ky i fundit do të jetë struktura e re që do të sigurojë zbatimin e ligjit për turizmin, nga ana e sipërmarrjeve turistike.

 

Kreu IV përcakton planifikimin e zhvillimit të qëndrueshëm turistik, përmes hartimit të Planit Kombëtar të Turizmit, i cili parashikon një përdorim të rregulluar e të disiplinuar të territorit dhe minimizon mundësitë e hapësirat për ndërhyrje të pakontrolluara në këtë territor.

 

Sa i takon mbështetjes dhe investimeve në turizëm, pushteti qendror kërkon të nxisë iniciativën private, sidomos në zonat me rëndësi kombëtare për turizmin. Ndihma shtetërore për këto programe mund të jepet në formë granti, huaje ose lehtësie fiskale apo si një kombinim i tyre.

 

Për investimet në fushën e sipërmarrjeve turistike, me vlerë nga 50-100 milionë euro, Këshilli i Ministrave, pasi të ketë bërë vlerësimet dhe verifikimet përkatëse, mund të ofrojë dhënien me qira të pasurive të paluajtshme me tarifën simbolike 1 euro. Ndërsa per investimet në turizëm me vlerë mbi 100 milion euro, qeveria, përveç mundësisë së aplikimit të tarifës simbolike 1 euro, aplikon edhe zgjatjen e periudhës kohore të kontratës deri në 99 vjet.

 

Në nenet 36-40 parashikohet klasifikimi dhe kategorizimi i strukturave akomoduese, nga komisioni klasifikimit dhe kategorizimit të strukturave akomoduese, i cili do të jetë i detyrueshëm për ushtrimin e veprimtarisë turistike. Kjo synon të godasë fenomenin e përdorimit të standardeve pa pasur një certifikatë për zotërimin e tyre.

 

Kapitulli i VII vendos rregullat e detyrueshme për t'u zbatuar nga sipërmarrjet tregtare turistike që ushtrojnë veprimtari si agjenci udhëtimi dhe operatorë turistikë. Pra vendos procesin e licencimit. Nene të veçanta përcaktojnë detyrimin e certifikimit të veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik sipas kategorisë, i cili do të jetë një proces i unifikuar dhe transparent.

 

Një risi e ligjit është përfshirja e aktiviteteve sportivo-rekreative dhe të aventurës, për të cilat ministri përgjegjës për turizmin, në bashkëpunim me institucionet e tjera që mbulojnë këtë fushë, përcakton kushtet minimale teknike.

Objektivat e drejtpërdrejta të ligjit, janë:

  • Krijimi i një turizmi të qëndrueshëm dhe miqësor për mjedisin dhe një turizëm gjithë vjetor;
  • përgatitja e një plani kombëtar sektori i turizmit, i cili mungon;
  • Planifikimi i zhvillimit të turizmit nëpërmjet përcaktimit të zonave me përparësi të zhvillimit të turizmit që është një risi, e këtij ligji.
  • Rritja e numrit të turistëve, netë-qëndrimeve dhe të ardhurave prej tyre.
  • Rritja e cilësisë së shërbimeve.
  • Reduktimi i informalitetit.
  • Nxitja e investimeve strategjike në turizëm.
  • Rritja e cilësisë së jetës së komunitetit që preket, për mirë kuptohet, nga sektori,
  • krijimi i bazës së të dhënave.

 

Ligji afron për herë të parë një gamë shumë të plotë dhe të detajuar të definicioneve. Janë 52 definicione që kanë të bëjnë me standardet, cilësinë, nominimin e proceseve, procedurave e subjekteve.

Është rikonceptuar Fondi i Zhvillimit të Turizmit, dhe për herë të parë vendosen rregullat për ushtrimin e veprimtarive turistike.

Ligjit trajto në një kapitull tjetër çështjet e standardizimit dhe klasifikimit të koteleve dhe strukturave akomoduese, që është një definicion i gjerë në ligj.

Kapitulli lidhur me çështjet e mbështetjes dhe nxitjes së investimeve në sektorin e turizmit, detajon gjithë procedurën në parim, të mbështetjes së investimeve në këtë fushë. Ajo është e harmonizuar me ligjin e investimeve strategjike

Ligji vendos një platformë të drejtpërdrejtë, të qartë dhe shumë lehtësuese për industrinë e turizmit që të kalojë në hapin tjetër dhe merr parasysh, në parim, edhe konkurrencën që kemi me tregun rajonal, qoftë nga Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Turqia.

Strategjia e Zhvillimit të Turizmit 2014 – 2020, do të shërbejë si gur themeli për zhvillimin e sektorit mbas 2020. Kjo strategji adreson nevojën imediate të Shqipërisë për të siguruar një pozicion të konsoliduar në tregun kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Strategjia shërben si një mekanizëm rregullues dhe gjithëpërfshirës për industrinë e turizmit, institucionet publike dhe aktorë të tjerë, të interesuar për t'u bërë pjesë e tregut të turizmit. Strategjia synon që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion turistik rajonal, e konkretizuar me 30 destinacione në të gjithë vendin, respektivisht nga 10 në tre drejtime bazë në turizmin natyror, kulturor e bregdetar.

 

Risia që sjell garanton zhvillimin e kësaj industrie, bashkëpunimin dhe mirë koordinimin me njësitë e qeverisjes vendore,  ndërtimi dhe forcimi i partneritetit  publik-privat përfshirja në zhvillimin e këtij sektori të universiteteve, shoqërisë civile, madje edhe mediave.

 

Për të vënë në jetë projektet tona ambicioze dhe inovative, filozofia jonë e përbashkët është zhvillimi i qëndrueshëm urban dhe i mirë integruar me  zhvillimin e turizmit. Shqipëria ofron mundësi shumë atraktive për investitorët e huaj, të cilët janë të mirëpritur për t’u bërë pjesë e këtij transformimi pozitiv të vendit.

 

Për një promovim më të mirë të Shqipërisë dhe potencialeve të saj,  ne kemi prezantuar se fundmi edhe Imazhin më të Ri Turistik "BRANDING ALBANIA".

 

Për të përmirësuar pozicionin e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit, Shqipëria në mars 2014 nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit me Organizatën Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO)[2], në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.

 

Organizata Botërore e Turizmit do të ofrojë asistencë në tre fusha kryesore: marketingut dhe promovimin, forcimin e kapaciteteve dhe menaxhimin e destinacioneve turistike dhe lehtësimin e procedurave për turistët.

 

Kjo marrëveshje do të jetë e vlefshme për një periudhë dy vjeçare dhe do të konsistojë në adoptimin e politikave të turizmit në funksion të rritjes së rolit të sektorit të turizmit, përmirësimit të pozitave të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit, shkëmbimit të praktikave dhe eksperiencave më të mira në koordinimin e sinergjive në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori, promovimit dhe zhvillimit të politikave të qëndrueshme dhe veçanërisht mbrojtjes së mjedisit, biodiversitetit, barazisë sociale dhe kohezionit, prosperitetit ekonomik të komuniteteve lokale, përmirësimit të konkurrueshmërisë në këtë sektor duke ofruar ekspertizë në zgjerimin e njohurive për stafin e ministrisë nëpërmjet trajnimeve dhe programeve të veçanta të ndërtimit të kapaciteteve.

 

 

 

[1] asistencë teknike e drejtpërdrejtë nga Banka Botërore nga USAID, nga Organizata Botërore e Turizmit dhe janë konsultuar të gjithë institucionet e drejtpërdrejta që merren me turizmin në rajon, Turqia, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Malta dhe Italia.

[2] Shqipëria është anëtare e UNWTO-së organizëm me një anëtarësim që përfshin 162 vende dhe më shumë se 400 Anëtarë që përfaqësojnë sektorin privat, institucionet arsimore, shoqatat e turizmit dhe autoritetet turistike vendore.