OKB

“Shqipëria 60 vjet në OKB”

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) është organizata më e madhe në botë, e cila ka për qëllim ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Ajo u  themelua pas Luftës së Dytë Botërore, në 24 tetor 1945 me iniciativën e shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore (ShBA, Kina, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Franca), me qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit midis shteteve të botës, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. 

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Kombet e Bashkuara kanë luajtur një rol të madh në uljen e tensioneve në një botë të polarizuar. Pas rënies së Murit të Berlinit, OKB-ja ka mundur të ruajë autoritetin e vet, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në rendin botëror. Vendet anëtare të OKB-së pajtohen me mendimin se bota e sotme moderne po bëhet gjithnjë e më të globalizuar dhe  ka nevojë për një organizatë ndërkombëtare të aftë  për të vepruar globalisht dhe në mënyrë efektive për  zgjidhjen e konflikteve globale. Sot OKB është e përfshirë në një sërë nismash dhe aktivitetesh të cilat adresojnë dhe synojnë të zgjidhin çështjet globale me rëndësi të madhe për të ardhmen e njerëzimit.

Pranimi i Shqipërisë  në Kombet e Bashkuara më 14 dhjetor 1955 përbën  padyshim një nga ngjarjet e shënuara në historinë e vendit . Menjëherë pas anëtarësimit në OKB, Shqipëria mori pjesë në mënyrë aktive në punimet e organeve dhe agjencive të specializuara të saj. Shqipëria mban misione të  përhershme diplomatike pranë selisë  të  OKB-së në Nju Jork dhe Zyrave të OKB-së në Gjenevë dhe në Vjenë si dhe në UNESCO.

Gjatë aktivitetit të saj në Kombet e Bashkuara, Shqipëria u ka kushtuar rëndësi të veçantë çështjeve që lidhen me  ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë, promovimin dhe  mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  zbutjen e problemeve ekonomiko dhe sociale,  promovimin e mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e kulturës dhe shkencës.

 
Vitet e fundit Shqipëria ka mbështetur aktivisht përpjekjet e OKB-së për ruajtjen e paqes. Ajo merr pjesë në operacionet paqeruajtëse të OKB-së duke kontribuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policore si dhe duke kontribuar me fonde financiare në buxhetin e operacioneve paqeruajtëse. 

Aktiviteti i Shqipërisë në OKB është një element i rëndësishëm i aksionit tonë politik ndërkombëtar dhe shumëpalësh, në partneritet me miqtë dhe aleatët tanë strategjikë. Bashkëpunimi me OKB-në dhe agjencitë e saj ka qenë i gjerë dhe i suksesshëm në shumë fusha.

Shqipëria është zgjedhur anëtare e ECOSOC për periudhën 2005-2007 dhe për periudhën 2013-2015. Gjatë vitit 2013 Shqipëria ka dhënë kontributin e saj në ECOSOC edhe në cilësinë e Zëvendës Presidentit të Këshillit Ekonomik dhe Social.

Shqipëria është pjesë e programit “Një OKB”, si vend pilot që po zbaton këtë reformë të Kombeve të Bashkuara. Konferenca ndërkombëtare “Delivering as One”, e mbajtur në Tiranë 27-29 qershor 2012, vlerësoi përvojën e Shqipërisë në këtë drejtim.

Që prej janarit të vitit 2011 Shqipërisë është anëtare në Bordin Ekzekutiv të UN-HABITAT.  Shqipëria u zgjodh në prill 2011 në Bordin Ekzekutiv të UNICEF për mandatin 2012 –2014 dhe në Bordin Ekzekutiv të UNEP, për periudhën 2012-15. Shqipëria sapo mbylli një mandat të suksesshëm edhe në Këshillin e te Drejtave të Njeriut, për periudhën 2015-2017. Shqipëria është anëtare e Komisionit të Statusit të Gruas (CSW) për periudhën 2016-2019.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike në 22 prill 2016, e ratifikoi atë në 14 korrik 2016 dhe depozitoi instrumentin e ratifikimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në shtator 2016, duke u bërë një ndër 55 vendet e para që ndërmorën këtë hap. Qe nga nëntori 2016, kjo marrëveshje është në fuqi për Shqipërinë.

Shqipëria është angazhuar në zbatimin e Objektivave te Zhvillimit te Qëndrueshëm, Agjenda 2030, si dhe është ndër të paktat vende në botë, pjesë e programit pilot të OKB, për zbatimin e Objektivit 16, që ka të bëjë me forcimin e institucioneve demokratike në vend, shtetit ligjor, zhvillimin e një ekonomie te qëndrueshme tregu dhe respektimin e te drejtave te njeriut. Shqipëria është duke punuar  për te bashkërenduar Objektivat e Zhvillimit te Qëndrueshëm me ato te Integrimit Evropian. Një ndër objektivat e Shqipërisë është përmbushja e angazhimit të saj, në kuadër të rezolutës A/RES/70/1 “Transformimi i Botës: Agjenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, për një prezantim vullnetar në forumet e OKB-se, në korrik 2018.

Shqipëria, me cilësinë e vendit anëtar të Bordit Ekzekutiv të UNDP/UNFPA/UNOPS, ka qenë kryesisht e fokusuar në hartimin e planit strategjik 2018-2021 për këto agjenci. Perfaqesuesja e Shqipërise ne OKB mban postin e Zëvendës Presidentes të Bordit Ekzekutiv të Programit Zhvillimor të OKB-së, Fondit të Popullatës dhe Zyrës për Shërbime Projektesh të OKB-së (UNDP/UNFPA/UNOPS), për vitin 2018, çka është dëshmi e angazhimit të vendit për një rol sa më aktiv në kuadër të agjencive zhvillimore të OKB-së, veçanërisht, të zbatimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ka disa vite tashmë që Shqipëria ka shpallur kandidaturën e saj për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023. Shërbimi i Shqipërisë në KS përgjatë periudhës në fjalë do të përbëjë një objektiv madhor të politikës së jashtme shqiptare dhe kontribut të vyer në shërbim të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke mos lenë askënd pas.

Gjatë vitit 2017, Shqipëria kandidoi dhe fitoi edhe një mandat të dytë si vend anëtar në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, për periudhën 2017-2021.

Kandidatura e Shqipërisë ne KDNJ 2015-2017