OSBE

  

 

Shqipëria në OSBE

 

Aderimi i Shqipërisë në OSBE (ish-KSBE) është realizuar gjatë punimeve të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991). Vendi ynë nënshkroi Aktin Final të Helsinkit më 16 shtator 1991 dhe Kartën e Parisit për një Evropë të Re më 17 shtator 1991. Ky aderim shënoi një ndryshim rrënjësor të kursit të politikës së jashtme shqiptare, që do ta çonte në daljen nga vetë-izolimi ndërkombëtar, në afrimin me bashkësinë euro-atlantike dhe në pranimin e vlerave perëndimore të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Aderimi i Shqipërisë u shoqërua me ndërmarrjen e reformave ligjore për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit. Rrethanat që mundësuan aderimin e Shqipërisë në OSBE ishin lëvizja demokratike e dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri dhe miratimi i Paketës Kushtetuese Provizore më 29 prill 1991, e cila përmbante dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut. 

Në vijim të trazirave të brendshme të vitit 1997, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe OSBE-së morën një dimension të ri. Në vitin 1997, Këshilli i Përhershëm vendosi me kërkesë të Qeverisë Shqiptare të dërgojë një Prezencë të OSBE-së në Shqipëri për të ndihmuar në kapërcimin e krizave dhe për të çuar vendin në zgjedhjet e përgjithshme, në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Kryesia Daneze e OSBE-së, nëpërmjet të dërguarit të posaçëm, ish-Kancelari i Austrisë, Dr. Franz Vranitzky, ndërmjetësoi në zgjidhjen e krizës politike një Shqipëri, çka bëri të mundur vendosjen e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Në një fazë të dytë pas kësaj, Prezencës iu zgjeruar mandate duke përfshirë dhe monitorimin e kufijve veri-lindorë të vendit.

Në një fazë të mëvonshme, e cila është gjithashtu aktuale, është miratuar një azhurnim i mandatit në vitin 2003 për të reflektuar më mirë zhvillimet dhe ecurinë e situatës në vend. Shqipëria po hyn gradualisht në një fazë tjetër të re, atë të një partneriteti në prioritetet që janë gjithashtu pjesë e Partneritetit Evropian të Shqipërisë. Këto janë përparësi kryesore të Qeverisë. Kjo fazë e re kërkon, pra, një partneritet cilësor dhe të fokusuar.

Prezenca nuk është një përfaqësi e përhershme e Organizatës, por ka një mandat të përkohshëm, mandati i tanishëm i të cilit është miratuar në vitin 2003. Profili i angazhimeve të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri gjatë viteve ka ndryshuar, duke reflektuar ndryshimet rrënjësore dhe të qëndrueshme në vend, si dhe arritjet historike të Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit euro-atllantik.

Sot Prania mbështet reformat ligjore, gjyqësore, administrative dhe në pronësi, forcimin e kapaciteteve të Kuvendit, luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit, nxitjen e qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e shoqërisë civile. Gjithashtu, ajo mbështet policinë e shtetit dhe procesin e demontimit të stoqeve të municioneve të vjetruara. Ajo ndihmon Shqipërinë në zbatimin e angazhimeve të marra nga vendi ynë në OSBE. Prania e OSBE-së ka reduktuar gradualisht numrin e projekteve, çka flet për progres të vendit dhe për përdorim më efikas të burimeve të Pranisë.

Prezenca e OSBE-së punon shumë ngushtë me institucionet shqiptare për të mbështetur procesin e reformave në vend, në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. 2017 shënoi 20 vjetorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Pas ngjarjeve në Shqipëri në vitin 1997, mbështetja e OSBE-së ishte thelbësore në përgatitjen e zgjedhjeve, ndërtimin e besimit në institucionet e reja dhe forcimin e sundimit të ligjit ne vend.

Rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, ka ndikuar në ndryshimin rrënjësor të marrëdhënieve OSBE-së me vendin tone. Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE-së, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe nxitjen e rolit të Organizatës në arkitekturën e sigurisë në Evropë. Gjatë këtyre viteve të fundit, Shqipëria e ka rritur dukshëm profilin e saj në OSBE. Ajo ka pritur Sesionin e Vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (tetor 2012), Konferencën e Nivelit të Lartë për Tolerancën dhe Mosdiskriminimin (maj 2013) dhe Konferencën e Tretë Rajonale për Shtypin në Evropën Juglindore (shtator 2013).

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier vizitoi Shqipërinë në përfundim të fazës së dytë të një projekti për heqjen dhe shkatërrimin e kimikateve të rrezikshme të ruajtura afër zonave të banuara (maj 2015), ndërkohë që në Tirane mbahet Konferenca për Lirinë e Medias (qershor 2015), forumi i dytë për zhvillimin e medias ( nëntor 2016).  Këshilli i Përhershëm i OSBE-së zhvilloi një sesion të posaçëm në Hofburg në Vjenë, më 3 nëntor 2016, dedikuar 25 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në OSBE, ne te cilin mori pjese Ministri i Punëve të Jashtme te Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, që adresoi takimin e 1117-të të KP.