Prioritetet

Përparësitë e Politikës së Jashtme

Programi ynë qeverisës për politikën e jashtme synon të konsolidoje ankorimin euro-atlantik të vendit, të përshpejtojë dhe konkretizojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, të forcojë miqësinë dhe marrëdhëniet tërësore me fqinjët si dhe të rrisë rolin, kontributin dhe besueshmërinë tonë në rajon në kuadër të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal. 

Parimet bazë që udhëheqin politikën tonë të jashtme janë normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, të mirëkuptimit dhe të respektit të ndërsjellë midis kombeve, forcimi i paqes dhe sigurise ne bote, respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar. Politika jonë e jashtme do të udhëhiqet nga parimet e parashikueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë. Ajo ka në qendër të misionit të saj mbrojtjen e interesave kombëtare, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për stabilitetin demokratik në rajon e më gjerë.

Vizioni ynë mbështetet në partneritetin strategjik me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me fqinjët tanë anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, si Italia, Greqia dhe Turqia,  influenca dhe rrezja e veprimit e të cilave është e  pazëvendësueshme në rajonin e Mesdheut dhe në Ballkan. Ai mbështetet ne  zgjerimin e bashkëpunimit më të thellë e të gjithanshëm me Gjermaninë, Francën dhe Austrinë, inkurajimin e rritjes së shkëmbimeve dypalëshe dhe forcimin e lidhjeve me Vendet e Vishgradit si dhe me te gjitha vendet e tjera anëtare te Bashkimit Evropian, me Izraelin, dhe në një rrafsh më të gjerë, rritjen e shkëmbimeve me vende të tjera të rëndësishme si: Kina, Japonia, Rusia, India dhe vendet e Gjirit Persik.

Integrimi në Bashkimin Evropian, kontributi si vend anëtar i NATO-s, forcimi I marrëdhnieve me vendet mike e partnere, bashkëpunimi rajonal, roli proaktiv i Shqipërisë në organizatat ndërkombetare e forumet shumëpalëshe, kujdesi për bashkëatdhetarët jashtë vendit përfshirë duke modernizuar shërbimin konsullor, si dhe vënia e diplomacisë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit përcaktojnë konturet e politikës tonë të jashtme për një të ardhme me të mirë të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Konkretizim i mëtejshëm i ecurisë së integrimit në Bashkimin Evropian

Angazhimi ynë kryesor është ndërmarrja e të gjitha hapave të nevojshëm me qëllim hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zbatimi me korrektësi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), 12 prioriteteve të identifikuara nga BE dhe perthithja e ndihmës financiare të BE, mbeten vendimtare në këtë drejtim.

Shërbimi ynë diplomatik do të jetë më efikas në përfaqësimin e agjendës evropiane të Shqipërise në kryeqytetet e vendeve që luajnë një rol kryesor në vendimmarrjen Evropiane.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndërthur funksionet e ish Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ish Ministrisë së Integrimit Evropian, me qëllim përmbushjen e misionit dhe mbulimin e fushave të përgjegjësive të përcaktuara nga aktet ligjore në fuqi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të sigurojë zbatimin e politikës së jashtme dhe bashkërendimin e procesit të integrimit të vendit në BE; mbikqyrjen, programimin dhe menaxhimin e asistencës financiare të BE përmes programeve IPA kombëtare, bashkëpunimit territorial dhe programeve horizontale; si edhe bashkërendimin dhe çertifikimin e përafrimit të legjislacionit të BE me atë vendas.

Siguria kombëtare dhe kontributi në sigurinë globale    

Përqasja jonë ndaj sigurisë kombëtare do të vijojë të mishërojë standardet dhe parimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria do të vijojë të orientojë aksionet dhe qëndrimet e saj në fushën e politikes së jashtme dhe asaj të sigurisë në përputhje me vlerat dhe parimet kryesore të NATO-s dhe tre shtyllave përbërëse të Konceptit të saj Strategjik; mbrojtja kolektive, siguria bashkëpunuese dhe menaxhimi i krizave. 

Sfidat bashkëkohore të sigurisë kanë njohur gjatë viteve të fundit një trend të rritur dhe diversifikuar, duke sjellë, krahas dimensioneve tradicionalë dhe konvencionalë, zgjerimin dhe intensifikimin e rreziqeve të reja, të një natyre komplekse e  shumë-planëshe, siç janë ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, sulmet kibernetike, apo lufta hibride. Sfida të tilla e bëjnë të domosdoshme rritjen e përpjekjeve tona për konsolidimin e sigurisë në vend, në territorin e Aleancës dhe më gjerë, në përputhje me interesat kombëtare, detyrimet dhe angazhimet tona si vend aleat, parimet dhe normat e gjithëpranuara ndërkombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë dhe aktorët kyçë globalë.

Në të njëjtën kohë, përgjigja ndaj këtyre sfidave, kërkon një rol të konsoliduar koordinues të MPJ në rang kombëtar, si dhe një kontribut në rritje dhe një bashkëveprim aktiv të politikës së Jashtme të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal dhe shumëpalësh, me një theks të veçantë në sigurinë e rajonit dhe atë të territorit aleat.   

Në këtë kontekst përqasja e Shqipërisë ndaj sfidave aktuale do të udhëhiqet nga parimet e mbrojtjes aktive të interesave kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbështetjes së domosdoshmërisë për unitetin dhe lidhjen trans-Atlantike, ruajtjen dhe rritjen e angazhimit të Aleancës në Ballkanin Perëndimor, si dhe gatishmërinë tonë për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në kuadër të operacioneve dhe misioneve të NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.  

Kompleksiteti i sfidave që vijnë nga vendet në konflikt, kryesisht lufta kundër terrorizmit, kthimi i Luftëtarëve terroristë të Huaj dhe emigracioni masiv nga vendet në konflikt, kërkon gjithashtu angazhim të spikatur të Shqipërisë në këtë hapësirë dhe ndërveprim më të koordinuar si me partnerët tanë kryesorë dhe vendet që ndajnë të njëjtat shqetësime, ashtu dhe me Bashkimin Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.  

Gjithashtu, me anëtarësimin e NATO-s në Koalicionin Global kundër ISIL (maj 2017), Shqipëria do të vijojë promovimin e një roli të shtuar të Aleancës në luftën kundër terrorizmit dhe forcimin e bashkëpunimit të saj me organizatat e tjera ndërkombëtare, e sidomos me BE, ku Shqipëria synon të rrisë ndërveprimin në lëmin e sigurisë dhe kontributet e saj operacionale.  

Një aspekt i rëndësishëm i aksionit tonë politik do të jetë nxitja dhe intensifikimi i ndërveprimit me vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet platformave rajonale që adresojnë fenomenet e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Ballkani Perëndimor, është një hapësirë e kërcënuar nga një kombinim i rreziqe dhe sfidave të sigurisë nga Lindja dhe nga Jugu. Këto rreziqe dhe sfida të natyrës hibride përbëhen si nga aksione aktive të inteligjencës dhe propagandës që burojnë prej aktorëve dhe faktorëve të tretë shtetërorë, ashtu dhe nga kërcënimet direkte dhe indirekte të veprimeve aktive të natyrës subversive dhe propagandistike të të ashtëquajturit Shtet Islamik, ku spikasin veçanërisht terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe rreziku nga kthimi i luftëtarëve terroristë të angazhuar në konfiktet në Siri dhe Irak. 

Në këtë kontekst, Shqipëria do të vijojë të ruajë një angazhim aktiv për një përqasje sa më strategjike dhe për një vëmendje të shtuar të organizatave të sigurisë dhe vendeve aleate ndaj rajonit tonë duke inkurajuar bashkëpunimin gjithëpërfshirës në rajon dhe eliminimin e zonave gri të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. 

Angazhim i qenësishëm në Rajon

Fuqizimi i bashkëpunimit rajonal do të vijojë të udhëheqë qasjen konstruktive dhe lidershipin aktiv të Shqipërisë në rajon. Aktiviteti ynë në këtë kuadër do të vijojë të jetë, në mënyrë të drejpërdrejtë, i lidhur me mbrojtjen dhe nxitjen e interesave tona kombëtare, ruajtjen e forcimin e rolit tonë në nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbështetjen e gjithanshme të konsolidimit të shtetit të Kosovës, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve që jetojnë në vendet e tjera fqinjë, pjesëmarrjen dhe nxitjen e një bashkëveprimi gjithnjë e më të ngushtë në mekanizmat rajonalë, përfshirë si kontribut në perspektivën e përbashkët euro-atlantike. 

Mbrojtja e interesave kombëtare dhe forcimi i rolit dhe i ndikimit tonë në rajon do të gërshetohen natyrshëm në matricën e objektivave dhe përparësive që orienton angazhimin tonë si anëtar i NATO-s dhe vend kandidat në BE. Në këtë kontekst, do të ruajmë e theksojmë qartësinë gjeo-strategjike që na ka karakterizuar në angazhimin tonë në rajon, duke vijuar të mbështesim në çdo formë integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Do të vijojmë, gjithashtu, të manifestojmë vullnetin e palëkundur për të ndërtuar marrëdhëniet më të mira e më të ngushta të mundshme më të gjithë fqinjët tanë, pasi ato janë gur themeli për politikën tonë të jashtme rajonale dhe i shërbejnë fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës së përbashkët euro-atlantike. 

Institucionalizimi i mëtejshëm dhe forcimi i mekanizmit të takimeve të rregullta ndërqeveritare me vendet fqinje Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, apo në formate të tjera tripalëshe, katërpalëshe me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të EJL-së, siç janë Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria e Rumania, etj do të orientojnë punën e nisur për lehtësimin e barrierave tregtare, nxitjen e konektivitetit, përmirësimin e klimës së investimeve si edhe promovimin e përbashkët të mobilitetit rinor, shkëmbimeve njerëzore, kulturore e turistike. 

Përmbushja e këtyre objektivave do të vijojë të materializohet edhe përmes shtrirjes së kontributit të deritanishëm për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit shumëpalësh rajonal, me synim vëniën në jetë të vendimeve të marra në kuadër të Procesit të Berlinit në mbështetje të projekteve zhvillimore, ndërlidhjes energjetike dhe infrastrukturore, në funksion të kohezionit ekonomik rajonal. Përforcimi i kapaciteteve dhe zgjerimi i aktivitetit të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor dhe të Fondit të Ballkanit Perëndimor, do të forcojnë më tej kuadrin e bashkëpunimit dhe përafrimit rajonal. 

Shqiptarët në rajon, veçanërisht në Maqedoni, Mal të Zi e në Luginën e Preshevës, do të mbeten përparësi madhore e veprimit tonë diplomatik. Prosperiteti i tyre dhe adresimi i problematikave me të cilat ndeshen do të mbeten në epiqendër të vëmendjes sonë, jo vetëm si pjesë e dialogut me autoritetet e vendeve respektive të çdo niveli, por edhe në linjën e komunikimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë shqiptarë të atjeshëm, bazuar mbi kontributin e faktorit politik e popullsive shqiptare, si forcë emancipuese e demokratizuese për vendet ku gjenden si dhe urë lidhjeje për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes nesh dhe fqinjëve tanë. 

Bashkëpunimi ndërkombëtar shumëpalësh

Shqipëria evropiane, me një rol të ri në bashkëpunimin shumëpalësh, do te vijojë të kontribuojë në shërbim të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajon dhe në botë, nëpërmjet angazhimit te vazhdueshem te saj ne lufte kunder terrorizimit nderkombetar, ekstremizmit te dhunshem, parandalimit dhe eleminimit te konflikteve te ndryshme, do te nxise bashkepunimin dhe zhvillimin midis vendeve dhe kombeve nepermjet politikave prioritare zhvillimore, bazuar ne Agjenden 2030 te Objektivave te nje Zhvillimi te Qendrueshem global, pa lene askend pas.

Dimensioni i diplomacise shumepaleshe do te vijojë të jete nje instrument i fuqishem i politikes sone te jashtme, ne sherbim te zhvillimit te reformave te gjithanshme ne vend, te proceseve te anetaresimit te vendit tone ne BE, ne mbrojtje te te drejtave te shqiptareve kudo qe ata ndodhen, anetaresimit te Kosoves ne organizata nderkombetare, por edhe rritjes se vizibilitetit te vendit nepermjet perfaqesimeve dinjitoze ne institucione dhe mekanizma nderkombetare, ne sherbim te interesave tona kombetare. Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin dhe rrisim angazhimet në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OSBE, Këshillit të Evropës etj., per ti kontribuar zhvillimit, duke pasur ne qender te tij respektimin dhe mbrojtjen e te drejtave te njeriut. 

Ne çmojmë bashkëpunimin me FMN-në, Bankën Botërore OBT-në etj., institucione te rendesishme ekonomiko-financiare nderkombetare keto qe ndihmojne proceset e zhvillimit te mëtejshëm ekonomik e social te vendit tone, konsolidimin makroekonomik dhe fuqizimin e urave tregtare te bashkepunimit me vende te tjera anetare te ketyre organizmave nderkombetare.

Diplomacia në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit

Zhvillimi i brendshëm ekonomik dhe diplomacia janë ngushtësisht të lidhura. Hapja e tregjeve ndërkombëtare për Shqipërinë dhe futja e “made in Albania” në tregje rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare është misioni i MEPJ në shërbim të rritjes ekonomike të vendit. Në këtë optikë, MEPJ mbështet veprimtaritë që synojnë të tërheqin investime produktive në Shqipëri, të promovojnë produktin vendas jashtë, flukset turistike dhe talentet e shkëlqyera, të cilat përbëjnë objektivat strategjike që frymëzojnë aktivitetet e përditshme të diplomacisë ekonomike. Gjithashtu, MEPJ ka zgjeruar fushën e përgjegjësive të saj dhe ka ndarë fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike me agjenci të tjera si dhe me institucione shtetërore të cilat janë krijuar posaçërisht për të afruar kuadrin ekonomik ndërkombëtar në vendin tonë. 

Shqiptarët në botë

Një nga misionet kryesore të MEPJ është mbështetja e shqiptarëve që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë, përfshirjen e tyre në zhvillimin ekonomik dhe projekte inovative në vend, mbrojtjen e të drejtave të tyre civile dhe sociale në vendet pritëse dhe në Atdhe, si edhe ofrimi i shërbimeve më të mira konsullore. Ekziston një bazë e mjaftueshme eksperience mbi të cilën është rritur më tej dhe do të vijojë të rritet dialogu dhe bashkëpunimi mes vendit Amë dhe Diasporës, i cili synon të mbushet me një përmbajtje të re.
 
Shërbim konsullor modern dhe profesional

Do të vazhdojnë përpjekjet për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve në administratën publike duke zgjeruar përdorimin e E-Konsullata dhe Shërbimi Konsullor Online (SHKO) dhe dixhitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve konsullore. 

Shërbimit Konsullor Online (SHKO) sjell ndryshime rrënjësore në ofrimin e shërbimit për shqiptarët në botë, rritjen e cilësisë, lehtësimin e procedurave, shkurtimin e kohës së shërbimit si dhe  rritjen e transparencës dhe luftës kundër korrupsionit. ShKO ofron procedura të automatizuara dhe dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve konsullore dhe reformon rrënjësisht Shërbimin Konsullor, duke krijuar 36 shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira evropiane, e cila thjeshton procedurat, standardizon të gjitha shërbimet dhe unifikon ofrimin të shërbimeve në një platformë të vetme për të gjitha Përfaqësitë Diplomatike dhe Konsullore të RSh-së. E-Konsullata komplementon platformën SHKO dhe do tu vijë në shërbim edhe shtetasve të huaj, të cilët duan të vizitojnë Shqipërinë, duke bërë të mundur rritjen e vizibilitetit të MPJ si institucion si dhe në promovimin e vendit.

MEPJ do të zbartojë një plan veprimi gjatë vitit 2018, duke synuar shtimin e ofrimit të shërbimeve në Përfaqësitë Diplomatike dhe Konsullore, thjeshtimin e procedurave dhe të procesit të dixhitalizimit të shërbimeve konsullore si dhe reduktimin e kërkesave të një sërë dokumentesh, prfshirë lëshimin e Dëshmive të Penalitetit në PDK e RSH-së jashtë, verifikimi i Lejeve të Drejtimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare nga ana e PDK të RSH-së jashtë, regjistrimin e  adresës së emigrantëve, portalin e veçantë për aplikimet për Vizë (e-Viza.al).