Shqipëria në botë

Shqipëria në Bote

Nëpërmjet veprimtarisë  së ambasadave  që Republika  e Shqipërisë ka në kryeqytetet kryesore të Kontinentit Amerikan, Azisë dhe Afrikës si  në Washington, Moskë, Tokio, Pekin, Otava, Brazilia, Kajro, etj. Ministria e Punëve të Jashtme mban evidencë  për të gjitha  zhvillimet  politike e ekonomike që paraqesin interes për vendin tonë, për inventarin e marrëveshjeve të ndryshme  e traktateve  ndërkombëtare  të nënshkruara me këto vende , lehtëson dialogun ndërshtetëror midis vendeve respektive si dhe kujdeset për mbrojtjen e interesave të shtetit si dhe të qytetarëve shqiptare kudo që janë.

Në zonën gjeografike që mbulon Drejtoria e Përgjithshme e Amerikave, Azisë dhe Afrikës janë gjithësej 143 vende , nga të cilët  Republika e Shqipërisë ka marrëdhënie diplomatike  me 113 prej tyre. Procesi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike  është një proces në vazhdim që pasurohet me lidhje të reja.

MARRËDHËNIET  ME SHTETET E BASHKUARA TE AMERIKËS

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë vendosur më 28 korrik 1922.

Marrëdhëniet midis vendeve tona fillojnë me vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Uillson, i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.

Shqipëria i është mirënjohëse SHBA për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese dhe integruese të vendit.

Tashmë dy vendet janë vende aleate në NATO. Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s, që i shërben zhvillimit demokratik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe rritjes së sigurisë dhe stabilitetit kombëtar dhe rajonal.

Shqipëria jep kontributin e saj në misionet paqeruajtëse si në Afganistan dhe Irak; ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit dhe ISIL, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.

Marrëdhëniet me ShBA janë të rëndësisë parësore dhe strategjike. SHBA janë aleati dhe partneri ynë strategjik. Niveli i marrëdhënieve dypalëshe vlerësohet i shkëlqyer. Këto marrëdhënie kanë hyrë në fazën e partneritetit. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara përbën një nga themelet e politikës sonë të jashtme. Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për të qenë partner i vendosur përkrah ShBA në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Deklarata e Përbashkët për Partneritet Strategjik Shqipëri-SHBA, nënshkruar më 20 prill 2015, gjatë vziitës së Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati në Uashington, pasqyron më së miri marrëdhëniet e partneritetit mes dy vendeve dhe materializon bashkëpunimin me një kalendar konkret dhe gjithëpërfshirës. Ky dokument fokusohet në partneritetin mes dy vendeve në tre plane: partneritet për çështjet globale; partneritet për çështjet rajonale dhe partneritet për agjendën dypalëshe – dialogu politik, siguria, forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe shkëmbimet arsimore-kulturore.

Bashkëpunimi ekonomik

Ekziston dëshira dhe vullneti i dyanshëm që marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në nivelin e marrëdhënieve politike. Ka një hapësirë të gjerë me potencial të pashfrytëzuar për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri.

Mbështetja që Qeveria amerikane i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë nëpërmjet agjencive të saj për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, ka nevojë të shoqërohet tashmë me investime të drejtpërdrejta amerikane veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë tonë. Realizimi i këtij synimi zë një vend të dorës së parë në marrëdhëniet me SHBA. Për realizimin e këtij objektivi, për përmirësimin e klimës së biznesit dhe legjislacionit, Qeveria ka ndërmarrë, në një kuadër më të gjerë, një sërë iniciativash ligjore, të cilat kanë thjeshtuar procedurat për fillimin e një biznesi, etj.

Aktualisht janë rreth 157 biznese amerikane, apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan me aktivitet kryesor në fushën e tregtisë, industrisë e bujqësisë të përqendruara kryesisht në Tiranë, Durrës, Vlorë (sipas QKR).

Në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë apo institucionet amerikane mund të përmendim: USAID,  Fondi Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhoma Amerikane e Tregtisë, etj.

www.usaid.gov/albania

http://www.aaef.com/

http://www.amcham.com.al/

 

Marrëveshjet Shqipëri-SHBA

Ka rreth 27 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në fusha të ndryshme ku do të veçojmë, ato në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes, dhe fushës së kulturës.

Përfaqësimi dypalësh

Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Washington D.C. Floreta Faber

Ambasador i SHBA në Tiranë, Donald Lu

MARREDHENIET ME  VENDEVE TË AMERIKËS LATINE

Kuadri i plotë i marrëdhënieve me vendet e zonës së Amerikës Latine

Nga 33 shtete të pavarura të Amerikës Latine (konsiderohen të tilla të gjitha vendet në jug të Shteteve të Bashkuara), Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike me 25 prej tyre.

Marrëdhëniet dypalëshe me vendet e Amerikës Latine mbulohen nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Brazilia (e vetmja përfaqësi rezidente në këtë zonë), ndërkohë që Meksika, Panamaja dhe Republika Domenikane mbulohen nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Uashington, ndërsa Kuba dhe Santa Lucia, nga Misioni ynë pranë OKB-së në Nju Jork.    

Vlen të përmendet se, synimi kryesor në marrëdhëniet me vendet e Amerikës Latine ka qenë rivitalizimi i marrëdhënieve duke me një theks të veçantë në diplomacinë ekonomike, duke u përqendruar tek vendet me ekonomi të fuqishme në rang botëror. Ndërkaq, ka shënuar rritje niveli i dialogut politik, përmes shtimit të kuadrit ligjor të bashkëpunimit.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

ME VENDET E AZISË, LINDJES SËMESME & AFRIKES DHE EUROAZISE

AZIA

Marrëdhëniet e vendit tonë me shtetet e këtij kontinenti kanë synuar intensifikimin e marrëdhënieve me to, duke gërshetuar veprimtarinë diplomatike me diplomacinë ekonomike, kulturore e më gjerë; rritjen e dialogut politik në nivelet më të larta.

Ambasadat e RSH-së në këtë kontinent në Pekin dhe Tokio, japin një kontribut thelbësor dhe ndihmojnë në intensifikimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe vendeve aziatike.

Me rëndësi për vendin tonë është bashkëpunimi me shtete të fuqishme ekonomikisht dhe sigurimi i e mbështetjes me grande dhe donacione nga këto shtete, në fusha si shëndetësi, arsim, bujqësi, mjedis, infrastrukturë, teknologji, kulture, turizëm etj.

Vizitat e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2015 në Japoni dhe Singapor i dhanë një impuls në rritje marrëdhënieve, duke përcaktuar fushat konkrete të bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen.

Objektiv të rëndësishëm përbën puna dhe vazhdimi i përpjekjeve për njohjen e Kosovës nga mjaft vende të rajonit aziatik.

E rëndësishme ka qenë shtrirja e marrëdhënieve dhe kontakteve me vende ku ato ose kanë munguar ose kanë qenë minimale.

Bashkëpunimi ekonomik, diplomacia parlamentare, konsultimet politike nga Ministria e Punëve të Jashtme e institucione të tjera, si dhe shkëmbimet kulturore, janë shtylla të tjera të rëndësishme për konsolidimin e marrëdhënieve me vendet e kësaj zone.

LINDJA E MESME DHE AFRIKA

Veprimtaria diplomatike me vendet e Lindje së Mesme dhe Afrikës, mbështetet në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mbi bazat e respektimit të parimeve të sovranitetit dhe interesit të ndërsjellë.

Politika e vendit tonë ndaj vendeve të Magrebit dhe shteteve afrikane është e fokusuar kryesisht në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe me këto vende,  uljen e tensioneve në rajon dhe kontribute të tjera në kuadrin e OKB-së për përballimin e emergjencave natyrore, kryesisht në Bririn e Afrikës.

Me vendet e Gjirit Persik, vendi ynë ka shtrirë përfaqësimin diplomatik në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetin e Katarit dhe Shtetin e Kuvajtit. Pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit me këto vende është dimensioni ekonomik, promovimi i potencialeve të Shqipërisë dhe nxitjes së investimeve të drejtpërdrejta të biznesit të këtyre vendeve në tregun shqiptar. Politika e Shqipërisë synon që ta kthejë vendin në një partner të këtyre shteteve në rajonin e Ballkanit.

Lindja e Mesme është në fokusin e punës së këtij sektori.Qendrat kryesore të përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë janë Kajro dhe Tel Avivi.Shqipëria i kushton vëmendje të konsiderueshme procesit të paqes në Lindjen e Mesme dhe zgjidhjes së konfliktit në Siri.

Shqipëria është anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe gëzon statusin e vëzhgueses pranë Unionit Afrikan.

EUROAZIA

Në zonën e quajtura Euroazia, e cila përfshin të  gjithë hapësirën që me parë ka qenë e njohur si Bashkimi Sovjetik janë krijuar shume shtete të pavarura me të cilat vendi ynë ka marrëdhënie  diplomatike. Marrëdhëniet dy dhe shumëpalëshe, kryesisht në fushën politike, ekonomike e kulturore janë në fokus të zhvillimeve me këto vende.

Plotësimi i kuadrit ligjor të bashkëpunimit dhe finalizimi i marrëveshjeve në proces, përbën një nga prioritetet konstante të sektorit.

Veçohen kontaktet dypalëshe Shqipëri-Rusi që janë zhvilluar në bazë konsultimesh diplomatike, mes zyrtarësh të MPJ-ve.

Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me Rusinë janë në fillimet e një bashkëpunimi pozitiv.Rusia, është një nga dhjetë vendet e para të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.

Me Azerbajxhanin, vërehet një tendencë gjithnjë në rritje e kontakteve politike, sidomos këto vitet e fundit.Vlen të përmenden vizitat e Kryeministrit, e Ministrit të Punëve të Jashtme, si dhe një sërë ministrash nga pala azere.Janë mjaft marrëveshje të nënshkruara dhe janë në proces disa të tjera.Interes gjithnjë në rritje gjatë intensifikimit të bashkëpunimit ka pasur nё fushёn e ekonomisё, veçanërisht në sferën e energjetikës. Veçohet Projektin TAP, i cili u shpall edhe projekti fitues për transportin e gazit azer në BE.

Konstatojmë një tendencë në rritje të kontaktit diplomatik dhe politik edhe me vende të tjera të kësaj hapësire gjeopolitike.

KANADA

Marrëdhëniet me Kanadanë bazohen në dialogun e shkëlqyer politik dhe në partneritetin e ngushtë si aleatë në NATO.Ato karakterizohen gjithashtu nga një miqësi e konsoliduar. Në prill të  vitit 2001, u hap ambasada e Shqipërisë në Otavë, e cila  i dha një impuls të ri  forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Viti 2012 u shënua nga disa momente kyçe me impakt dhe vizibilitet nëriafirmimin e klimës së shkëlqyer të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze. Përmendim Vitin e Shqipërisë në Kanada, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë; Paketën e gjerë të veprimtarive, e cila evidentoi potencialin e jashtëzakonshëm të miqësisë dhe lidhjeve mes dy popujve; Fjalimin historik të Kryeministrit Harper mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët; 25 Vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Mbajtja e konsultimeve diplomatike është gjithashtu një tregues i vullnetit të përbashkët për të konsoliduar bashkëpunimin politik, në të mirë të avancimit të marrëdhënieve dhe zgjidhjes së çështjeve që mund të lindin mes palëve përmes një interlokuimi të hapur dhe të bazuar në argumenta. Objektiv kryesor në marrëdhëniet dypalëshe, mbetet forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht përmes thithjes së mëtejshme të investimeve kanadeze në sektorë jetikë, siç janë nafta e gazi, minierat, energjia hidrike e administrimi i burimeve ujore dhe industria e turizmit në vendin tonë. 

Në kuadër të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, dy vendet kanë nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi në fusha të ndryshme. Shqipëria dhe Kanadaja, po koordinojnë me vullnet të përbashkët avancimin e marrëveshjeve në proçes.  Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore dhe Marrëveshja për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve të Huaja, janë në proçes përfundimi.Plotësimi i kuadrit ligjor, do të përbëjë një garanci të mëtejshme për nxitjen e ndërsjellë të shkëmbimeve dhe investimeve dypalëshe.