Shqipëria në KDNJ

Si u krijua Këshilli i të Drejtave të Njeriut

Në kuadër të procesit të reformës tërësore të sistemit të OKB-së dhe në veçanti, në përpjekje për të rifituar reputacionin e OKB-së në fushën e të drejtave të njeriut, Paneli i Nivelit të Lartë mbi “Kërcënimet, sfidat dhe ndryshimin”, rekomandoi krijimin Këshillit për të Drejtat e Njeriut me një anëtarësi më të vogël, të kufizuar për vendet me standarde të larta për të drejtat e njeriut, si dhe me mundësinë për t'u mbledhur gjatë gjithë vitit. Mbi bazën e këtij propozimi u miratua në AP të OKB-së rezoluta 60/251 për të shpërndarë Komisionin dhe për të krijuar Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Këshilli filloi aktivitetin e tij në qershor 2006, duke u kthyer në një organ kryesor të Kombeve të Bashkuara për adresimin e çështjeve të të drejtave të njeriut. Parimet bazë për punën e ardhshme të KDNJ-së janë përcaktuar në 18 qershor 2007 dhe përfshijnë shtimin e dispozitave të reja dhe rishikimin e atyre ekzistuese si:

  • Rishikimi Periodik Universal (UPR);
  • Procedurat e Veçanta;
  • Komiteti Këshillues për të Drejtat e Njeriut;
  • Procedura e Ankimit.

Anëtarësia e KDNJ rinovohet çdo vit dhe përbëhet prej 47 vendeve, të cilët zgjidhen nga AP e OKB-së me mandat tre vjeçar, sipas përcaktimeve për çdo grupim rajonal:

Grupi

Rajonal

Grupi afrikan

Grupi aziatik dhe pacifik

Grupi i Evropës Lindore

Grupi Latin & Karaibet

Grupi i Evropës Perëndimore & Të tjerë

Numri i vendeve

13

13

6

8

7

 

Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillit për të Drejtat e Njeriut

Në Tetor 2009, Shqipëria shpalli zyrtarisht kandidaturën e saj për anëtar në KDNJ për periudhën 2015-2017. Në zgjedhjet që u zhvilluan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork më 21 Tetor 2014, Shqipëria arriti të zgjidhet për herë të parë anëtare e KDNJ, me 176 vota. Gjatë tre viteve të anëtarësisë në KDNJ, Shqipëria u angazhua fuqishëm në luftën ndaj fenomeneve të lidhura më ekstremizmin e dhunshëm dhe promovimi i tolerancës e bashkëjetesës paqësore midis komuniteteve; në të drejtat e fëmijëve; lufta kundër dhunës së grave në familje dhe barazia gjinore e përkrahja sociale; mos diskriminimi; heqja e dënimit me vdekje; forcimi i mandatit të OHCHR; mbështetja për universalitetin e UPR; promovimi i demokracive të reja; promovimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Viti 2017 shënoi vitin e fundit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut. Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka luajtur një rol aktiv në vendimmarrjen e Këshillit, jo vetëm për sa i përket substancës së punës së KDNJ që lidhet me prezantimin apo mbështetjen e rezolutave gjatë sesioneve të Këshillit, por edhe për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me përmirësimin e mënyrës së funksionimit të KDNJ. Shqipëria ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në mekanizmat e KDNJ duke përfaqësuar grupin tonë rajonal të vendeve të Evropës Lindore aktivisht përgjatë tre viteve të anëtarësisë në KDNJ.

Në vitin 2015 Ambasadorja e Shqipërisë pranë OKB në Gjenevë u zgjodh Zëvendës Presidente për të përfaqësuar grupin tonë rajonal në byronë e KDNJ. Ky pozicion ka rritur dukshëm prezencën e delegacionit shqiptar në punimet e KDNJ, duke mundësuar drejtimin nga vendi ynë të një numri të madh takimesh të sesioneve të KDNJ dhe të takimeve të sesioneve të rishikimit periodik universal (UPR). Në vitin 2016 Shqipëria u zgjodh në Grupin Këshillimor të KDNJ (Consultative group), një organ me rëndësi të veçantë në seleksionimin e mbajtësve të mandateve të procedurave speciale miratuar nga KDNJ, duke krijuar mundësinë për t’u përfshirë në procesin e rëndësishëm të zgjedhjes së mbajtësve të mandateve.

Në vitin 2017 u zgjodh në Grupin e Situatave të KDNJ (Working Group of Situations), organ që trajton ankesat e individëve ose grup individësh për shkelje të të drejtave të njeriut, ka krijuar gjithashtu një mundësi komunikimi e influence në vendim marrje me ndikim të menjëhershëm e konkret në çështje që trajtojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Gjatë këtyre tre viteve është ndjekur me përparësi zbatimi i propozimeve të iniciuara nga delegacioni i Shqipërisë që kanë të bëjnë me rritjen e efektivitetit të punës së KDNJ-së, duke filluar me propozimet për përmirësimin e menaxhimit të kohës, nëpërmjet regjistrimit online të deklaratave të vendeve anëtare dhe marrjen e fjalës në debatet interaktive. Me rëndësi për tu theksuar është kërkesa e vazhdueshme e delegacionit shqiptar për evitimin e standardeve të dyfishta dhe zbatimin e procedurave transparente, sidomos në sponsorizimin e rezolutave për të respektuar sovranitetin dhe politikat kombëtare të secilit vend, si dhe dhënien e mundësive edhe vendeve që nuk janë prezent me Mision të Përhershëm në Gjenevë dhe në Këshill të shprehen drejtpërdrejt për qëndrimet e tyre politike.

Tërësia e iniciativave në lidhje me reformën dhe efikasitetin e punës së Këshillit kanë qenë thelbi i diskutimit të forumit një ditor, më 1 Dhjetor 2017, të organizuar nga OJF “Universal Rights Group” në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandën. Dokumenti përmbledhës i diskutimeve të këtij forumi, ku do të përfshihen edhe propozimet e delegacionit shqiptar, do të jetë baza për hartimin e një rezolute në vitin 2018 e cila do të përmirësojë metodën e punës së KDNJ në të ardhmen.

Shqipëria ka marrë pjesë në grupin bërthamë dhe ka qenë nismëtare e disa rezolutave të rëndësishme në KDNJ, konkretisht:

  • “Kontributi i Këshillit të të Drejtave të Njeriut për sesionin special të Asamblesë së Përgjithshme në problematikën botërore të drogës 2016”;
  • “Misioni i OHCHR për përmirësimin e të Drejtave të Njeriut, përgjegjësinë, pajtimin dhe kapacitet në Sudanin e Jugut”;
  • “Të Drejtat e Njeriut dhe Lufta e parandalimi i Ekstremizmit të dhunshëm”;
  • “Situata e të Drejtave të Njeriut në Sudanin e Jugut”;
  • “Varfëria ekstreme dhe të Drejtat e Njeriut”.

Kontributi i Shqipërisë gjatë procesit të negociatave të rezolutave të ndryshme ka qenë një vlerë e shtuar për dokumentet e propozuar, duke shprehur qëndrime dhe propozuar ndryshime gjuhësore. Ky angazhim ka qenë një ndihmë e vlerësuar maksimalisht nga partnerët tanë. Ndërhyrjet në cilësinë kombëtare kanë qenë në numër të konsiderueshëm, si dhe janë kombinuar me mbështetjen nga ana jonë të “deklaratave të përbashkëta” nga grupe shtetesh, duke krijuar kështu një pjesëmarrje aktive dhe prezencë të vazhdueshme të delegacionit tonë në sallë plenare.

Shqipëria është pozicionuar qartë si vend progresist me popullsi kryesisht myslimane që me të drejtë njihet për bashkëjetesën fetare dhe mbrojtjen e lirisë së besimit, si dhe mbrojtjen e të drejta universale të barabarta që i garantohen çdo individi pa diskriminim. Si vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik Shqipëria tregoi se është e mundur bashkëjetesa paqësore ndërmjet fesë e respektimit të të drejtave të njeriut në tërë dimensionin e tyre.

Një rol absolutisht për t’u vlerësuar është lidhur me çështjet e dhunës dhe diskriminimit për arsye të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Delegacioni ynë është bërë faktor në miratimin e rezolutës historike 32/2 të Këshillit për krijimin e mandatit special të Ekspertit të Pavarur për Dhunën dhe Diskriminimin bazuar në SOGI dhe simbol i tolerancës dhe qëndrimeve progresiste në krah të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Qëndrimet tona për këtë çështje janë shenjë e dukshme e integrimit politik të vendit tonë në BE dhe vlerës së shtuar që identiteti ynë kulturor e fetar i jep diversitetit të Unionit. Kjo është shprehur edhe nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në vitin 2017 në “Equal Rights Coalition” dhe “Core Group LGBT” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

Marrëdhënie të ngushta janë mbajtur me partnerët tanë strategjikë Bashkimin Evropian, SHBA si dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Që prej vitit 2015 Shqipëria dhe SHBA kanë qenë iniciatore të dy deklaratave kundër dhunës ekstreme, si dhe kanë patur disa iniciativa të përbashkëta në tematikat për shtete specifike si në rastin e rezolutave për Sudanin e Jugut (3 rezoluta). Gjithashtu në Dhjetor 2016 vendi ynë dhe SHBA kanë qenë nismëtare për organizimin e sesionit special për Sudanin e Jugut. Gjithashtu një bashkëpunim i ngushtë ka rezultuar në tematikat për lirinë e shprehjes dhe mendimit dhe nismës bilaterale për sponsorizimin elektronik të rezolutave në KDNJ.

Shqipëria është bashkuar me tërësinë e deklaratave të përbashkëta të BE, me përjashtim të atyre që kanë patur gjuhë të fortë kundër Turqisë, Rusisë dhe Kinës. Bashkëpunimi me BE është përqendruar në temat e të drejtave të fëmijëve, mbrojtjes së shoqërisë civile, lirisë së tubimit dhe mbledhjeve, dënimi me vdekje, liria e fesë dhe besimit si dhe tematikat për vende specifike përkatësisht në Burundi, Bjellorusi dhe Mianmar. Në Dhjetor 2015 kemi bashkë sponsorizuar organizimin e sesionit special të iniciuar nga BE për Burundin.

Me anëtarësimin në KDNJ filloi një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë në KDNJ dhe OBI. Pjesëmarrja në takimet, pjesëmarrja aktive gjatë procesit të negocimit të rezolutave e deklaratave, si dhe bashkëpunimi konstruktiv në të gjitha nivelet, mundësoi krijimin e një fryme bashkëpunimi dhe respekti reciprok. Kjo frymë është pasqyruar edhe në ndikimin e gjuhës së deklaratave të organizatës, duke marrë në konsideratë qëndrimet e Shqipërisë në deklaratat e OBI. Në Dhjetor 2017 kemi bashkë sponsorizuar organizimin e Sesionit Special për Mianmarin, iniciuar nga Bangladeshi me mbështetje konsensuale të OBI.

Megjithëse me politika jo të përafërta në lidhje me të drejtat e njeriut me vendet si Kina, Turqia dhe Rusia, Shqipëria ka mundësuar ruajtjen e konsensusit, çka bën që Shqipëria të ketë në Këshill reputacionin e vendit pa “armiq” dhe me diplomaci të butë.

Vendi ynë ka pasur rol aktiv me ndërhyrje dhe rekomandime gjatë sesioneve të Grupit të Punës së Mekanizmit Universal periodik (UPR) mbi situatën e të drejtave të njeriut në vendet anëtare të OKB-së, si dhe gjatë miratimit të Raporteve gjatë sesioneve të KDNJ-së (UPR outcomes).

Në përmbushje të angazhimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut kemi  pasur një dialog të frytshëm dhe konstruktiv me komitetet e ekspertëve të Konventave si Komiteti për të Drejtat e Njeriut dhe Komitetit të Konventës për eliminimin  e dhunës ndaj grave (CEDAW).

Gjatë këtyre viteve kemi sponsorizuar dhe bashkë-organizuar disa aktivitete. Mund të veçojmë aktivitetin e Amnesty International dhe International Service for Human Rights; “HRC Pledging Event”, si dhe eventin “Rinia për të Drejtat e Njeriut dhe të mirat e përbashkëta”. Në eventin e përvitshëm organizuar nga Zvicra gjatë Sesionit të Marsit të KDNJ “Dita Multikulturore”, Shqipëria ka prezantuar kostume popullore dhe kuzhinë tradicionale.

Me përfundimin e mandatit trevjeçar të Shqipërisë në KDNJ, mbyllet me sukses një fazë e rëndësishme e pjesëmarrjes së vendit në vendimmarrjen e një organi të rëndësishëm për mbrojtjen forcimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar. Angazhimi dhe rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe krijojnë mundësi për ri-kandidimin e Shqipërisë në Këshill, rrisin imazhin e kandidaturave të mundshme të Shqipërisë në organet e traktateve apo mekanizmave të KDNJ, si dhe përforcojnë besueshmërinë e Shqipërisë për anëtarësimin e mëtejshëm në organet më të larta të OKB në përgjithësi.

 

Kandidatura e Shqipërisë ne KDNJ 2015-2017

 

Kontributi i Shqipërisë në KDNJ