Shqipëria në NATO

Shqipëria në NATO

Mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

 

Në vitin 2009,  Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s,  Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke  avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

   
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26  Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet  të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin. Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë. 

Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë. 

Nëpërmjet një serie takimesh dypalëshe midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve të institucioneve shqiptare u trajtua dhe u konfirmua zyrtarisht interesi, vullneti dhe mundësitë e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake të anëtarësimit në NATO. Produkt final i këtyre diskutimeve ishte një kalendar me afate kohore për përmbushjen e kritereve dhe reformave të domosdoshme. 

Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara, si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj. 

Më 9 korrik 2008, të 26 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan gjatë një ceremonie në selinë e NATO-s në Bruksel Protokollet  e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, akte këto juridike që i bashkëngjiten Traktatit të Uashingtonit duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm institucional  për anëtarësimin e të dy vendeve në Aleancën Atlantike. 

Shqipëria mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës. 

Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike e, për rrjedhojë, edhe me sigurinë kombëtare. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria është në pozita më të mira për të konfirmuar interesat e saj kombëtare dhe për të rritur prestigjin dhe reputacionin kombëtar. Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërveprueshme me NATO-n. Ky integrim dhe modernizimi i Forcave të Armatosura është shoqëruar  me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve, si dhe shkatërrimin e një sasie të madhe municionesh.

Gjithashtu, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj  në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support, pas vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në disa prej komandave rajonale të ISAF-it,  duke përmbushur më së miri detyrat e ngarkuara nga komanda e ISAF-it. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë. Ajo i ka kushtuar dhe kushton vëmendje të veçantë mbështetjes së bashkëpunimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe procesit politiko-ushtarak të ridimensionimit të rolit të KFOR-it në Kosovë. 

Edhe në shekullin e 21’, objektivi kryesor i Aleancës mbetet  përballimi i sfidave të sigurisë.  Ashtu si edhe më parë siguria e vendeve anëtare të NATO-s bazohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit që është edhe parimi themelor i “mbrojtjes kolektive” të Aleancës.  Ky nen, i cili përcakton se sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO-s është sulm ndaj të gjitha vendeve, duke parashikuar mbrojtën kolektive, mori një rëndësi të veçantë si pasojë e rreziqeve të sigurisë që u materializuan gjatë vitit 2014 dhe që u trajtuan gjerësisht në Samitin e NATO-s në Uells. 

Në Uells, vendet aleate ndërmorën, nëpërmjet adoptimit të Planit të Veprimit (RAP), hapat e nevojshme për të përforcuar sigurinë euroatlantike ndaj kërcënimeve që vijnë nga lindja dhe nga jugu i territorit të vendeve aleate. Krahas mbështetjes për Ukrainën përmes krijimit të pesë fondeve të mirëbesimit, vendet aleate ritheksuan angazhimin e tyre në mbështetje të Afganistanit. Po ashtu, ata u angazhuan për ndaljen e rënies së shpenzimeve të mbrojtjes dhe rritjes së tyre gjatë një dekade deri në nivelin 2% të GDP-së, si dhe vunë theksin mbi rëndësinë e forcimit të lidhjes Transatlantike.  

Duke ritheksuar rëndësinë e Politikës së NATO-s së Dyerve të Hapura, vendet anëtare vendosën hapjen e bisedimeve intensive me Malin e Zi, me qëllim që brenda vitit 2014 të merrej një vendim nëse Mali i Zi do të ftohej për t’u anëtarësuar në NATO. Gjithashtu, Aleatët i afruan Gjeorgjisë një paketë të zgjeruar masash në ndihmë të përgatitjeve të këtij vendi për anëtarësim në NATO. 

Në një kohë përcaktuese për sigurinë Euroatlantike dhe në kuadër të kërcënimeve dhe sfidave që vijnë nga shumë drejtime, angazhimet e Uellsit u ritheksuan dhe u çuan më tej gjatë Samitit të Aleancës në Varshavë, më 8-9 korrik të këtij viti. Duhet theksuar se të gjithë vendimet që u morën në Varshavë kanë natyrë mbrojtëse dhe transparente dhe se ato nuk kanë për qëllim të rrisin tensionet në Evropë.   

Në Varshavë, vendet aleate ritheksuan angazhimin e marrë në Uells për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Në vitin 2015, pas një periudhe të gjatë rënieje, vendet aleate dëshmuan një rritje të vogël të shpenzimeve të përgjithshme të mbrojtjes. Gjithashtu, vendet e NATO-s u angazhuan që të përforcojnë rrjetet e tyre kompjuterikë, si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme të vendeve të NATO për të rritur elasticitetin e përgjigjeve të tyre ndaj kërcënimeve kibernetike. Po ashtu, NATO mori komandën e sistemit të mbrojtjes anti-raketë të ndërtuar nga SHBA në Evropë për të mbrojtur territorin aleat ndaj kërcënimeve rraketore nga jashtë territorit Euroatlantik.

 

Vendet aleate trajtuan, gjithashtu, nevojën për më shumë shkurajim dhe parandalim në lindje të Aleancës, duke zgjeruar më tej praninë ushtarake të NATO-s atje, nëpërmjet vendosjes së katër batalioneve shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Kjo vendosje përbën një kontribut të  qenësishëm, të proporcionuar dhe mbrojtës për sigurinë e përbashkët të vendeve të NATO-s, si dhe, njëherësh, përbën një sinjal të qartë që vendet aleate janë të vendosura ta mbrojnë  njëri-tjetrin në respekt të arkitekturës së sigurisë evropiane. Vendet e NATO-s ranë po ashtu dakord që shkurajimi duhet plotësuar me një dialog kuptimplotë me Rusinë me synim transparencën reciproke dhe reduktimin e rreziqeve. NATO vazhdon të mbetet e hapur për dialog me Rusinë dhe vlerëson se Këshilli NATO-Rusi ka një rol të rëndësishëm si një forum për dialog dhe shkëmbim informacioni, për reduktimin e tensioneve dhe rritjen e parashikueshmërisë.

 

Për sa i përket projektimit të  stabilitetit përtej kufijve të territorit aleat, në Varshavë  u miratua nisma për të filluar trajnimet në Irak për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve  të forcave ushtarake irakene që përballen me ISIL/Da’esh. Po ashtu, vendet aleate vendosën që  avionët AWACS (Radar) të NATO-s të shërbejnë për t’i dhënë informacion të detajuar Koalicionit Global Ndërkombëtar kundër ISIL-Da’esh. Vendet aleate ranë dakord për një rol më të spikatur të NATO-s në Mesdheun Qendror, duke rritur më tej bashkëpunimin me Bashkimit Evropian, krahas bashkëpunimit aktual me operacionin SOPHIA në detin Egje, që synon prerjen e linjave të trafikimit të qenieve njerëzore. Në të, gjithashtu u ra dakord për të lançuar edhe një nismë të re në funksion të parandalimit të fluksit migrator nga vendet e Afrikës së veriut – nismë e quajtur See Guardian.

Duke qenë se Bashkimi Evropian është një partner unik dhe thelbësor për NATO-n, Aleanca dhe Bashkimi Evropian nënshkruan në Varshavë një deklaratë të përbashkët mbi partneritetin mes dy organizatave me synim intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të tilla të rëndësishme si lufta ndaj  kërcënimeve hibride dhe siguria detare. Po ashtu, vendet e NATO-s ritheksuan angazhimin e tyre për vazhdimin e misionit “Resolute Support” në Afganistan përtej këtij viti dhe për të vazhduar kontributin financiar për forcat afgane deri më 2020. Vendet aleate ritheksuan angazhimin e tyre për të ndihmuar Ukrainën që të jetë një vend i pavarur, sovran dhe i angazhuar në mënyrë të vendosur për demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe u angazhuan në mbështetje të aspiratave për integrim euroatlantik të Gjeorgjisë dhe të aftësitë  të mbrojtjes të  Moldavisë me synim aftësimin e për t’i rezistuar presionit nga jashtë dhe për të çuarjen përpara të reformave demokratike.

Sa i takon Shqipërisë, ky Samit shënon një hap përpara në promovimin e kontributit modest dhe substancial që vendi ynë ofron, si në kuadër të angazhimeve të Uellsit, ashtu edhe për nismat e Aleancës në kufijtë veriorë dhe jugorë të saj. Krahas angazhimit të saj në kuadër të shkurajimit dhe parandalimit në lindje të Aleancës,  Shqipëria i dedikon vëmendje të shtuar kontributit tonë në angazhimin e Aleancës për përballjen e sfidave që vijnë nga krahu jugor. Kështu, Shqipëria u angazhua që të kontribuojë me asete detare në misionin e NATO-s në Egje. Gjithashtu në Varshavë u ritheksua vendosmëria jonë për të asistuar Afganistanin për sa kohë që kjo gjë të jetë e nevojshme. Në këtë kontekst Shqipëria deklaroi dyfishimin e trupave tona në Misionin “Resolute Support” dhe vijimin e këtij kontributi edhe në 2017.

Samiti i Varshavës, nënvizoi gjithashtu rëndësinë që ka angazhimi i Aleancës në forcimin e partneriteteve dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë në vendet e dështuara të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Është për t’u nënvizuar vlerësimi që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg i bëri Shqipërisë pas angazhimit të vendit tonë për të ofruar një kontingjente trajnuesish ushtarakë në Irak, gjë e cila, sipas tij, duhet të ndiqet si një shembull i mirë edhe nga aleatë të tjerë.

Në kuadër të luftës kundër terrorizmit, vendi ynë ka hedhur hapa konkretë për të ngritur së shpejti edhe një Qendër Ekselence për luftën kundër fenomenit të Luftëtarëve Terroristë të Huaj, kontribut i cili vjen në sinkron me angazhimin tonë, si në kuadër të Aleancës, ashtu edhe si pjesëmarrës në Koalicionin Global për luftën kundër terrorizmit.

E fundit, por jo nga rëndësia, një nga objektivat tonë në Samit ishte promovimi i politikës së dyerve të hapura, duke konfirmuar mbështetjen tonë për anëtarësimin e Malit të Zi, inkurajimin e shteteve të tjera fqinje që aspirojnë anëtarësimin, si dhe për një vëmendje të shtuar të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe në Kosovë, me synim eliminimin njollave gri nga rajoni dhe konsolidimin e paqes dhe sigurisë aty.

Në këtë kontekst, në komunikatën e miratuar nga Krerët e Shteteve dhe Qeverive, falë insistimit dhe kontributit tonë, u arrit që të theksohet nevoja e marrjes së masave nga Aleanca për një angazhim më të madh, konkret dhe substancial të NATO-s në rajonin tonë. Gjithashtu, përsa i përket Kosovës, miratimi i tekstit të Komunikatës Finale të Varshavës mes të tjerash hap mundësi pozitive për ecurinë e marrëdhënieve Kosovë – NATO.