Shqipëria në Rajon

Shqipëria në Rajon

POLITIKA RAJONALE E SHQIPËRISË

Shqipëria ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë logjike e partneritetit në rritje me të gjithë strukturat e sigurisë rajonale dhe globale pas anëtarësimit në NATO në prill të vitit 2009. Aktualisht Shqipëria ёshtё në një proces të rëndësishëm me Bashkimin Evropian, pas hyrjes në fuqi më 1 Prill 2009 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, liberalizimit tё vizave dhe aplikimit për statusin e vendit kandidat.

Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës. Politika jonë e jashtme është e vendosur të rrisë këtë rol dhe kontribut, si një faktor me peshë rajonale për forcimin e sigurisë dhe për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal.

Politika e jashtme e RSH është e orientuar për t’u angazhuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të rajonit. Shqipëria është dhe do të mbetet një partner serioz dhe një faktor i rëndësishëm rajonal, që kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të rajonit dhe më gjerë.

Shqipëria luan rol aktiv, të moderuar dhe konstruktiv në procesin e bashkëpunimit rajonal, mbështet dhe promovon parimin e gjithë përfshirjes, si një ndër parimet bazë të procesit të bashkëpunimit rajonal.

Ne inkurajojmë shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon, të bëhen promotorë të integrimeve Evropiane dhe Euroatlantike dhe të proceseve demokratike në vendet ku jetojnë

Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal shkon përtej shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë. Ai merr kuptim nëpërmjet përpjekjeve për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës dhe konkurrues.

Ajo e sheh dhe e vlerëson atë si një kontribut konkret për integrimin e rajonit dhe inkurajon shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon, që të jenë faktor dhe promotor i integrimit euro-atlantik.

Fuqizimi i një rrjeti infrastrukturor rajonal me akse që përshkojnë linjat kryesore të qarkullimit dhe fluksit të shkëmbimeve, si dhe lidhja e tyre me rrjetet infrastrukturore evropiane dhe euro-aziatike, do tё ndikojë nё proceset pozitive nё rajon, duke e bёrё atё mё tё sigurtë, duke rritur dimensionin e tij gjeo-ekonomik, duke zgjeruar në përmasa të konsiderueshme tregun dhe duke rritur interesin për investime të huaja.

Një Ballkan i ndërvarur dhe i ndërlidhur ekonomikisht me vende dhe rajone fqinjë dhe me interesa të përbashkëta dhe historike si Italia, Greqia, Turqia, me të cilat kemi marrëdhënie të natyrshme, tradicionale dhe strategjike, fuqitë tradicionale dhe anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian, por edhe me qendrat aktuale të zhvillimit ekonomik botëror, do t’i jepnin atij një dinamikë të re zhvillimi dhe prosperitetin e nevojshëm për integrimin e tij evropian, por edhe për garantimin e tregjeve rajonalë dhe ndër-rajonalë për Bashkimin Evropian.

Forcimi i dimensionit të sigurisë në konceptin tradicional dhe atë bashkëkohor në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe stabilitetit, demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollit të qarkullimit dhe konfiskimit të parave që disponojnë këto organizata, forcimit deri në përmbushjen e standardeve më të larta të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve, mund të realizohen më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjencive të zbatimit të ligjit së bashku me asistencën e vetë Bashkimit Evropian.

Siguria në sektorin e energjisë përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjeksionit rajonal, sigurimi i rrjeteve të naftës dhe gazit nga Lindja në Perëndim përmes Rrugëve Ballkanike, do të rrisë rolin specifik të rajonit si një aktor me peshë dhe rëndësi për vetë të ardhmen e BE-së dhe garantimin e sigurisë së saj nga vartësia ndaj energjisë, por mbi të gjitha në aspektin e sigurisë, paqes dhe mirëqenies së vetë popujve të tij.

Pozicioni gjeografik i rajonit, interesat strategjike të të cilit si një rrugë kryesore lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, do të përforcoheshin me një dinamikë të re që do ta bënte integrimin e tij të shpejtë, të domosdoshëm për vetë Evropën, ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike.

Gjatë viteve të fundit gjeopolitika e Ballkanit është pasuruar me realitete të reja. Shteti i ri i Kosovës ka vërtetuar se pavarësia e tij ishte një vendim i drejtë i cili siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. Njohja e Kosovës nga 111 shtete është një realitet i pakthyeshëm.

Shqipëria ka mirëpritur dhe mbështetur dialogun e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dy shtete te pavarura dhe sovrane, dhe të gjitha marrëveshjet/përfundimet e arritura. Marrëveshja historike e 19 prillit 2013 synon të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke nisur një epokë të re mes tyre, me një ndikim pozitiv në rajon. Ne presim që kjo marrëveshje, së bashku me atë të Përfaqësimit Rajonal të Kosovës, t’i japë një impuls njohjeve të reja të Kosovës, anëtarësimit të saj në forumet rajonale dhe integrimit në BE. Ne mirëpresim hapat e Kosovës drejt Bashkimit Evropian si dhe vendosmërinë e saj në realizimin e kushteve për procesin e liberalizimit të vizave.

Shqipëria ka shprehur vlerësimin e saj për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asoociimit/MSA nga ana e Komisionit Evropian (më dt. 30 prill 2015). Ne besojmë që pas miratimit të nënshkrimit nga Këshilli, Parlamenti Evropian ta nënshkruajë atë brenda këtij viti, në mënyrë që MSA-ja të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2016. Kjo do të shërbejë si nxitje për zbatimin dhe institucionalizimin e reformave dhe si një mundësi për Prishtinën për të  forcuar marrëdhëniet me fqinjët dhe kontributin ndaj stabilitetit të rajonit.