Marrëdhëniet me Vëndet e Rajonit

Kosovë

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore. Bashkëpunimi dypalësh udhëhiqet nga interesi kombëtar për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si projekt themelor përbashkues i hapësirës shqiptare në shërbim të paqes, stabilitetit dhe begatisë së saj.

Mbledhja e parë e Përbashktë e dy qeverive (G2G),  zhvilluar në Prizren më 11 Janar 2014,  shënoi fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe konsiderohet si gur themeltar për zhvillimin e gjithanshëm në të dy vendet dhe mbarë hapësirën shqiptare. Me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritetit Strategjik është forcuar dhe intensifikuar me tej dialogu dhe veprimi ndërqeveritar me synimin për  jetësimin e politikave të përbashkëta strategjike dhe qëllimin kryesor përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëvë tanë.

Dy marrëveshje të tjera të nënshkruara në Prizren:

1. Marrëveshje kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë, e nënshkruar 11.01.2014, hyrë në fuqi më 11.03.2015.

2. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, në fushat e transportit dhe infrastrukturës, nënshkruar më 11.01.2014, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.

Mbledhja e dytë e Përbashkët G2G, zhvilluar në Tiranë, dt. 23 Mars 2015,  bëri një bilanc të arritjeve nga takimi i Prizrenit, evidentoi problematikat, si dhe inkurajoi që përvojat më të mira në fushat e bashkëpunimit të shtrihen gjerësisht edhe në fusha të tjera me interes reciprok. Ajo u fokusua kryesisht në:

  • Forcimi i Bashkëpunimit Ekonomiko-tregtar;
  • Forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, në kontrollin e brendshëm dhe kontrollin kufitar;
  • Forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe synimin për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë.

 

Gjatë mbledhjes G2G u nënshkruan, gjithsej, 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, si dhe një Deklaratë e Përbashkët në fushën e zhvillimit rajonal në zonat ndërkufitare Shqipëri – Kosovë.         

Duke punuar në frymën e Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik, në Ministrinë e Punëve të Jashtme është ngritur një Grup Pune që kryesohet nga Zëvendësministrja, i cili do të merret me koordinimin dhe dinamikën e zbatimit të detyrave të dala nga Mbledhja e dytë e Përbashkët e 23 Marsit, si dhe hedhjen e hapave lidhur me përgatitjen e mbledhjes së rradhës. Me nënshkrimin e Protokollit në zbatim të Marrëveshjes për Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë ne kemi bërë një hap të madh përpara, për t’i dhënë nxitje  një tregu të hapur, pa barriera burokratike.

Marrëveshjet e nënshkruara në Tiranë mbulojnë, gjithashtu, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në kontrollin e brendshëm dhe kontrollin e kufirit. Nëpërmjet tyre synohet, ndër të tjera,  të reduktohet ndjeshëm pritja  në rradhë të gjata në pikat kufitare. Kultura dhe trashëgimia kulturore është nje nga pikat tona të perbashketa. Është krijuar tashmë një traditë e mire për projekte të përbashkëta në këtë drejtim që synojnë nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në programet “Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë” dhe themelimit të përbashkët të “Qendrave Kulturore në Diasporë”.  

Eksperiencat të mira kemi shtrirë dhe në në fushën e arsimit, shkencës etj. Si rezultat i punës së përbashket, tashmë është arritur Unifikimi i Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar dhe Unifikimi i Kurrikulave Bërthamë të Arsimit Parauniversitar. Ndërkohë të dy vendet tona kane hedhur bazën për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Në vitin 2014 volumi tregtar me Kosovën ishte 176.78 milionë euro ose 17.8 milionë më shumë se një vit më parë, kemi një rritje mbi 11% vit me vit. Eksportet shqiptare drejt Kosovës shënuan një rritje me 15%, duke kapur vlerën e 134.1 milionë euro nga 116.1 milionë në 2013. Në raport me totalin ato përbëjnë 7.3% të eksporteve shqiptare.

Sot në Shqipëri numërohen 649 biznese nga Kosova, megjithatë, vlera e investimit është e ulët, 13.2 milionë euro ose 0.46% e totalit të IHD. Në këtë drejtim, theksohet se ka akoma shumë për të bërë.

Pjesëmarrja e Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale, synimi i saj për zgjerimin e njohjes së saj ndërkombëtare, si në planin dypalësh ashtu edhe shumëpalësh i japin një vlerë të shtuar investimit ndaj paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosoven në këtë aspiratë të saj.  ndeërkohë që ecuria përgjatë proceseve të integrimit evropian të dy vendeve tona përbën një fushë tjetër bashkëpunimi dhe ndërveprimi.

 

Greqi

Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë janë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të dy vendet, anëtare në NATO dhe me interesa jetike të përbashkëta, ndajnë vlerësimin se  marrëdhëniet ndërmjet tyre janë me rëndësi strategjike në rajon. 

Greqia ka mbështetur dhe shpreh zyrtarisht mbështetje për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. 

Të dy palët vlerësojnë dhe angazhohen për trajtimin, në respekt të së drejtës ndërkombëtare, kuadrit të brendshëm ligjor dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të gjitha problemet e trashëguara nga e kaluara e largët apo e vonë dhe për gjetjen e zgjidhjeve të mirëpranuara mes palëve.

Greqia vazhdon të jetë një partner shumë i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë. Për vite me radhë ajo ka qenë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe në investimet e huaja direkte. Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë ka qenë e orientuar drejt saj, duke bërë që ekonomitë e të dyja vendeve të jenë të lidhura fort mes tyre. 

Minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, përbëjnë ura të forta të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

 

Qipro

Republika e Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Qipro dhe në vijimësi ka mbështetur dhe mbështet vendimet dhe rezolutat e OKB-së, si dhe ato të Këshillit të Sigurimit, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Shqipëria mbështet idenë e zgjidhjes politike të çështjes së Qipros në mënyrë paqësore dhe realiste dhe përshëndet negociatat mes palëve greko-qipriote dhe turko-qipriote, brenda kuadrit të OKB-së dhe bazuar në standardet dhe vlerat ndërkombëtare dhe evropiane.

 

Turqi

Marrëdhëniet mes dy vendeve të bazuara në miqësinë dhe lidhjet tradicionale, tashmë kanë fituar një dimension të ri, atë të Partneritetit Strategjik, që i hap rrugën institucionalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo fushë.

Mes dy vendeve tona nuk ka asnjë problem politik.

Turqia dhe Shqipëria janë, dy vendeve anëtare të NATO-s, kandidate për në BE, bashkë anëtare në organizata dhe nisma rajonale si BSEC, SEECP, RCC, OSBE, OKI, KE, etj. Mes dy vendeve tona ka pasur dhe vazhdon të ketë bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Vlerësohet roli shumë i rëndësishëm që Turqia luan në favor të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, si dhe për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve në rajon. Turqia është ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Kosovës dhe ka lobuar fort për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare.

Niveli shume i mire i dialogut politik midis dy vendeve tona, reflektohet, ndër të tjera, në intensitetin e vizitave reciproke të nivelit më të lartë (viti 2015).

  • 13 Maj 2015 - Vizita e Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Tiranë.
  • 19 Shkurt 2015 - Pjesëmarrja e Ministrit të Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu në takimin informal të MPJ të SEECP në Tiranë.
  • 23 Prill 2015 – Vizitë e Presidentit Bujar Nishani në Turqi me rastin e 100 vjetorit të Luftës Çlirimtare të Çanakkalesë.
  • 25 Maj 2015 – Vizitë e Kryetarit të Parlamentit të Turqisë Cemil Çiçak në Tiranë, me rastin e samitit të kryetarëve të parlamenteve të SEECP (etj)

Turqia është një vend dhe një treg i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ekonominë e saj. Vlerësojmë se Turqia është një vend dhe një treg i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ekonominë e saj. Vlerësohet se për vitin 2014, Turqia është partneri i katërt i tregtisë së Shqipërisë pas Italisë, Greqisë dhe Kosovës.

Turqia është partneri i gjashtë nga pikëpamja e investimeve, në një kohë që interesi i investitorëve turq për Shqipërinë është në rritje dhe aktualisht në Shqipëri veprojnë rreth 296 kompani. Interesi i investitorëve turq për Shqipërinë është gjithmonë në rritje. Rezultat i kësaj klime pozitive lidhet dhe me faktin se në Shqipëri ka një komunitet të fuqishëm të biznesit turk, të cilët kanë investuar në fushat kryesore të ekonomisë shqiptare, si psh: në sistemin bankar, telekomunikacione, në industrinë përpunuese dhe të minierave, në arsim, në shëndetësi, etj. 

 

Rumani

Marredheniet politike midis dy vendeve tona mund të konsiderohen në momentin e tyre me të mirë.

Ky vlerësimin i atribuohet nivelit të lartë të dialogut politik.

Gjatë vitit 2015 janë realizuar dy vizita në nivel kryeministror dhe jo vetem.

  • Më 28 shkurt 2015 - Kryeministri Rama realizoi, pas shumë vitesh, vizitë zyrtare  në Bukuresht.
  • Më 26 maj 2015 – Kryeministri rumun Victor Ponta, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm Bogdan Aurescu, mori pjesë në në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).

Shqipëria dhe Rumania janë anëtare në të gjitha nismat rajonale dhe në shumë organizata e organizma ndërkombëtare.

Të dy vendet ndajnë vlerësimin se bashkëpunimi rajonal është një shtyllë e rëndësishëm në politikën e tyre të jashtme dhe me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe prosperitetin e brendshëm. Rumania, si vend anëtar i BE, dhe Shqipëria, si vend kandidat në BE, konsiderojnë si thelbësore për rajonin integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Si dy vende partnere dhe aleate në NATO, Shqipëria dhe Rumania besojnë fort se dy shtete të konsoliduara në rajon kontribuojnë jo vetëm për paqen dhe sigurine kolektive të tij, por edhe më gjerë, duke promovuar demokraci dhe liri në vende të tjera ku ka konflikte, në bashkëpunim të ngushtë me partnerë strategjikë si SHBA dhe vende të tjera të NATO-s dhe BE-së.  

Nga pikepamja ekonomike, rritja dhe diversifikim i shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve rumune në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, ndërtimin e infrastrukturës në energji (ndërtimi i HEC-ve), industrinë e erës, industrinë kimike, tekstile, agro-biznes, etj, do të jenë prioritete të bashkëpunimit ekonomik dypalësh.

 

Bullgari

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë janë vendosur në vitin 1922 dhe, pak kohë më vonë, janë hapur përfaqësitë diplomatike në të dy vendet.

Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, kur të dy vendet u përfshinë në kampin komunist, marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur zhvillim në të gjitha fushat, zhvillim ky që ruhet dhe është avancuar edhe më tej në ditët e sotme por tashmë kur të dy vendet ndajnë të njëjtat vlera demokratike me strategji forcimin e lidhjeve brenda Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë kanë qenë dhe vijojnë të jenë shumë të mira. Ndërmjet dy vendeve ka patur në vijimësi shkëmbim vizitash politike të nivelit të lartë (President, Kryetar Parlamenti, Kryeministër, Ministër i Jashtëm).

Shqipëria dhe Bullgaria bashkëpunojnë ngushtë edhe në kuadrin e një sërë organizatash dhe organizmash ndërkombëtare e rajonale, i cili realizohet në suazën rajonale, në kuadër të: Nismës së Europës Qëndrore (CEI/NEQ), Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore (SEECP), Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), SELEC dhe Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC/BEDZ), dhe në një suazë më të gjerë ndërkombëatre, në kuadër të OKB-së, NATO-s, BE-së, OSBE-së, etj.

Shqipëria dhe Bullgaria janë të angazhuara në mënyrë konkrete për të punuar për konkretizimin e  marrëdhënieve  ekonomike midis  dy  vendeve. Nënvizojmë faktin, se ndërmjet dy vendeve janë miratuar dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike që përbëjnë kuadrin e nevojshëm ligjor për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Ndërmjet dy vendeve ekziston një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh, rreth 30 të tilla (ndër to edhe Traktati i Miqësisë, nënshkruar në vitin 1993), të cilat rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në fushat nga më të ndryshme më interes të ndërsjellë.

Të dy palët kanë shprehur interesin për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor me marrëveshje të reja në fushat të identifikuara së fundmi në Takimin e 6-të të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik, Teknik e Shkencor (Tiranë, mars 2015), të cilat paraqesin interes reciprok për të dy vendet. Ky fakt dëshmon për nivelin e lartë të bashkëpunimit shqiptaro-bullgar, si dhe për dëshirën dhe vullnetin e zgjerimit në vijimësi të bashkëpunimit.

Kompletimi i të gjithë kuadrit ligjor të nevojshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat midis të dy vendeve merr rëndësi të veçantë, duke vlerësuar klimën shumë tërheqëse që qeveria shqiptare ka krijuar për sa i përket zhvillimit të investimeve të huaja, për nxitjen e investitorëve bullgarë për të investuar në Shqipëri.

Një nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit dypalësh është bashkëpunimi në fushën ekonomiko-tregtare. Nisur nga niveli shumë i mirë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, gjykohet se niveli aktual i bashkëpunimit ekonomik dhe i shkëmbimeve tregtare, edhe pse ato kanë njohur rritje, është ende larg mundësive dhe hapësirave që ofrojnë potencialet e të dy vendeve.

Ndër fushat kryesore të aktiviteteve dhe bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet dy vendeve mund të përmendim bashkëpunimin në fushën e nxitjes së biznesit (Këshilli Shqiptaro-Bullgar i Biznesit; partneriteti i krijuar midis Albatro dhe Bulpro), bashkëpunimin në sektorin e hidrokarbureve (Naftësjellësi AMBO Bullgari-Maqedoni-Shqipëri), bashkëpunimi në sektorin minerar, në fushën e transportit (rrugor, detar, ajror, të mallrave), bashkëpunimi në fushën e financave, tatimeve, doganave.

Të dy vendet kanë shprehur angazhim dhe vullnet për të vijuar dhe intensifikuar me përparësi bashkëpunimin edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ku spikat rëndësia dhe nevoja imediate që ka rajoni ynë për t’u përfshirë në projektet infrastrukturore të rëndësishme evropiane, siç është Korridori 8, por edhe në projekte të tjera, siç është ai i ndërtimit të gazsjellësit TAP, të cilat do t’i japin një shtytje të mëtejshme zhvillimit të ekonomisë të vendeve te rajonit. Konkretizimi i projekteve në kuadër të Korridorit 8 vazhdon të mbetet prioritet për të dy vendet. Një ndërmarrje e tillë merr edhe më tepër rëndësi në kohën aktuale, pas iniciimit të Procesit të Berlinit më 2014, i cili hap përpektiva të reja të bashkëpunimit ekonomik të rajonit tonë.

Në Shqipëri ushtrojë aktivitetin e tyre një sërë kompanish bullgare, të cilat operojnë kryesisht në fushën energjitike, të furnizimit me materiale për ndërtimin e rrugëve; në fushën e ndërtimit të rrugëve; në fushën e krediteve; të prodhimit të lëngjeve, të furnizimit me cigare, etj.

Eksportet nga Shqipëria në drejtim të Bullgarisë, edhe pse në rritje, janë ende shumë të kufizuara, kryesisht për shkak të mungesës së produkteve konkurruese. Kanë dominuar lëndët sekondare - bakri, bronzi, alumini, lëkura dhe bitumi.

Grupet e mallrave më të të eksportuara në Shqipëri janë: gjëja e gjallë, skrapet e hekurit apo çelikut, prej gize apo produkte të çelikut, ushqimore, farmaceutike, metalurgjia dhe industria kimike, tela, kabllo dhe përçuesë të tjerë elektrik, etj. 

Barriera në tregtinë reciproke mund të konsiderohen mungesa e transportit të rregullt të drejtpërdrejtë (rrugor, hekurudhor), njohuritë e pamjaftueshme të mundësive të biznesit (për import dhe eksport) të tregut në të dy vendet.

Spektri i mundësive për të zgjeruar praninë e tregut shqiptar bullgar është i gjerë dhe mund të përfshijë fushat e mëposhtme: produkte kimike (plehrave, plastike), produktet farmaceutike, kozmetike dhe parfume, makineri bujqësore, pajisje për industrinë ushqimore, linja prodhimi për ushqime të lëngëta, bizneset e vogla për përpunimin e produkteve të qumështit, mishit, ruajtjen e frutave dhe perimeve, tekstilet, shkëmbimi i produkteve bujqësore dhe ushqimore (kryesisht fara, grurë dhe fidane), impiante për përpunimin e mbetjeve të ngurta, materialeve të ndërtimit, etj.

Nxitja e zhvillimit të kontakteve në nivel të firmash (forume biznesi, prania më e madhe e firmave në ekspozita të organizuara në të dy vendet), vlerësohen si një mundësi më tepër që mund të kontribuojë në rritjen e sasisë së tregtisë dypalëshe.

Një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, që ka njohur zhvillim vitet e fundit, është arsimi (organizimi i kurseve verore për gjuhët përkatëse, shkëmbime studentësh dhe pedagogësh ndërmjet universiteteve të të dy vendeve), shkenca, kultura, artet (teatri dhe baleti), shëndetësia, turizmi, bashkëpunimi në fushën e arkivave të filmit, bibliotekave, trashëgimisë kulturore, etj.

Si urë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh kanë shërbyer edhe marrëdhëniet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve. Përmendim këtu faktin, se në fund të shekullit 19 – fillimi i shekullit 20, kryeqyteti i Bullgarisë, Sofja, ka shërbyer si “vatra” ku mblidheshin patriotët shqiptarë dhe ku është është kryer një veprimtari shumë e pasur për çështjen kombëtare shqiptare. Ndër to veçojmë: organizimin e parë të diasporës shqiptare përmes shoqërisë kulturore-arsimore “Dëshira”, e cila u themelua në vitin 1886; hapjen në vitin 1897 të shtypshkronjës “Mbrodhësia”; në Bullgari kanë qëndruar shumë figuara të shquara shqiptarësh, si Ismail Qemali e Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi e Themistokli Gërmenji, Thimi Mitko, Pandeli Cale e Mit’hat Frashëri, por edhe shumë të tjerë.

Personaliteti rilindas, Shahin Kolonja, me ëndrrën për të hapur një gazetë në gjuhën shqipe shkoi në Bruksel, në Londër, në Paris, hyri në lidhje me shoqërinë “Dëshira” të Sofjes dhe në gusht të vitit 1901 udhëtoi për në Bullgari, kërkoi leje pranë organeve të qeverisë bullgare për hapjen e gazetës dhe e mori atë. Numri i parë i gazetës doli më (14 nëntor) 1901 dhe ai i vuri asaj emrin “Drita”, në kujtim të gazetës që nxorën dikur në Stamboll, Naim dhe Sami Frashëri. Në këtë mënyrë, nisi botimi i njërës prej gazetave më përparimtare, më patriotike, më progresive dhe më demokratike të shtypit shqiptar të Rilindjes.

E themeluar në vitin 1886 shoqëria “Dëshira”, me një kontribut të madh në realizimin e objektivave të Rilindjes sonë Kombëtare dhe më pas shpalljes dhe krijimit të shtetit shqiptar, u shkri në vitet 20 të shekullit të kaluar.

Në Bullgari ushtron veprimtarinë e vet Shoqata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e krijuar në vitin 1923.

Aktualisht, në Bullgari jeton një numër shqiptarësh, i cili, sipas përllogaritjeve të përafërta të bëra në bazë të dokumenteve që disponon Ambasada shqiptare në Sofje, numri i përgjithshëm i tyre (ose më saktë, i shtetasve bullgarë me prejardhje shqiptare) i kalon të 5.000 vetat, ndër të cilët, vetëm në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, jetojnë rreth 100 familje me prejardhje shqiptare. Pjesa dërrmuese e bashkëkombasve e ka humbur gjuhën, ndërsa brezi i ri, si pasojë e martesave të përziera, përgjithësisht nuk identifikohet me kombësinë shqiptare.  

Në Shqipëri ekziston një minoritet i vogël bullgar që jeton kryesisht në zonat e Gorës, Gollobordës, Prespës. 

 

Maqedoni

Marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni kanë një specifikë të veçantë krahasuar me marrëdhëniet e vendit tonë me shumë vende të tjera. Kjo shpjegohet pikësëpari me faktin, se në Maqedoni jeton një popullsi shqiptare, e cila për nga numri dhe përqindja që zë në popullsinë e përgjithshme të Maqedonisë, është elemnt shtetformues. Përveç këtij fakti tepër të rëndësishëm, duhet patur parasysh se Shqipëria dhe Maqedonia ndajnë së bashku një vijë të gjatë kufitare (tokësore dhe ujore).

Shqipëria ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur Maqedoninë pasi ajo u shkëput nga RFJ.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në tërësinë e tyre, kosiderohen si shumë të mira dhe me mundësi thellimi në të ardhmen. Parë në aspektin politik, duhet theksuar fakti se ndërmjet dy vendeve ka patur shkëmbime intensive vizitash politike të të gjitha niveleve, çka përbën një bazë solide për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë sfera të tjera të bashkëpunimit dypalësh, rajonal e më gjerë, për çështje me interes të ndërsjellë.

 

Sa i përket marrëdhënieve ekonomike, vërejmë se niveli i tyre ende nuk i përgjigjet nivelit të lartë të marrëdhënieve politike ndërmjet dy vendeve tona, për më tepër që Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë probleme të hapura politike mes tyre.

Në takime të ndryshme ndërmjet ministrive të ekonomisë dhe odave ekonomike të të dy vendeve, si pengesa që  pengojnë rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve janë konstatuar mungesa e infrastrukturës (çka e bën edhe më të domosdoshëm që të dy palët të bashkëpunojnë për korridorin VIII, autostrada dhe lidhja hekurudhore), mungesa e forumeve të shpeshta e të vazhdueshme ekonomike, si dhe mungesa e mundësisë për paraqitjen e përbashkët në tregjet e vendeve të treta, mungesa e unifikimit të tarifave doganore ndërmjet dy vendeve, etj.

Sipas të dhënave  statistikore, shkëmbimet tregtare Shqipëri-Maqedoni, deri në fund të vitit 2014, arrijnë në rreth 90 milionë Euro, ku importet zënë rreth 54 milionë Euro, ndërsa eksportet nga Shqipëria drejt Maqedonisë zënë rreth 36 milionë Euro. Konsiderohet pozitiv fakti, se eksportet gjatë 11 muajve të patë të vitit 2014 janë shtuar nga 30 milionë Euro në 36 milion Euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ose rreth 20%, duke e ngushtuar deri diku dizbalancën eksport-import, e cila prej shumë vitesh është afërsisht 2:1 në favor të palës maqedone, por me tendenca ngushtimi.

Megjithatë, vërejmë se ky volum shkëmbimesh mbetet i ulët për të dy vendet, gjë që e bën Shqipërinë të mos renditet as në listën e 20 vendeve, me të cilat Maqedonia ka volumin më të madh të shkëmbimit tregtar.

Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunojnë në një sërë fushash me interes të ndërsjellë, si energjia, transporti, ekonomia ujore dhe mjedisi, kultura dhe turizmi, bujqësia, arsimi dhe shkenca, drejtësia, mbrojtje-siguri dhe lufta kundër terrorizmit, etj. Të dy palët i kanë të gjitha mundësitë për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Shqipëria dhe Maqedonia janë të angazhuara në mënyrë konkrete për të punuar për konkretizimin e  marrëdhënieve  ekonomike midis  dy  vendeve. Nënvizojmë faktin, se ndërmjet dy vendeve janë miratuar dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike që përbëjnë kuadrin e nevojshëm ligjor për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. 

Të dy palët kanë shprehur interesin për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor me marrëveshje të reja në fushat të identifikuara. Një shtysë më tepër për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh konsiderohet zhvillimi në të ardhmen e afërt të Takimit të rradhës të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik, Teknik e Shkencor.

Kompletimi i të gjithë kuadrit ligjor të nevojshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat midis të dy vendeve merr rëndësi të veçantë, duke vlerësuar klimën shumë tërheqëse që qeveria shqiptare ka krijuar për sa i përket zhvillimit të investimeve të huaja, për nxitjen e investitorëve maqedonë për të investuar në Shqipëri.

Një preokupim i veçantë për vendin tonë ka qenë ndjeshmëria për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni dhe trajtimi i tyre në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë të këtij vendi. Në këtë kuadër, Shqipëria ka treguar interes dhe ka kërkuar në vijimësi respektimin e plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet ndërmjet dy grupeve krysore të popullsisë në Maqedoni, maqedonëve dhe shqiptarëve, rrit mirëbesimin ndërmjet tyre dhe shërben si bazë për stabilitetin demokratik në vend dhe synimin e Maqedonisë për t’u integruar në strukturat euro-atlantike, BE dhe NATO. Në këtë kontekst, ende ka zvarritje sa i përket zbatimit të së drejtës të shqiptarëve për përdorimin e gjuhës amtare, flamurit kombëtar shqiptar, punësimin, buxhetin, etj.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë një bashkëpunim të mirë edhe në nismat dhe iniciativat rajonale, si SEECP, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Iniciativën për Evropën Qendrore (CEI), MARRI (Migration, Asylum, Refugiees Regional Initiative), etj.

Angazhimi dhe bashkëpunimi në kuadër të këtyre nismave i ka shërbyer promovimit të fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, sigurimit të mbështetjes politike për aspiratat e përbashkëta të integrimit në strukturat euroatlantike, përparimit në rrugën e demokracisë dhe reformave, zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, sigurimit të mbështetjes për financime të projekteve tona në fushat prioritare të zhvillimit. 

Rëndësia në rritje e këtij dimensioni të bashkëpunimit, e bën gjithnjë e më të nevojshme koordinimin e qëndrimeve të përbashkëta, shfrytëzimin e potencialit, konsultimet paraprake dhe bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të SEECP-së, NEQ-it dhe të RCC, BEDZ, etj, duke synuar kthimin e një praktike të tillë në normë në të gjitha veprimtaritë shumëpalëshe.

Shqipëria ka ndjekur në vijimësi një politikë konstruktive e të moderuar në rajon, ka vendosur dhe ruajtur marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, ka promovuar zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e dypalësh në të gjitha fushat, në dobi të mirëqenies e të interesit të ndërsjellë të popujve dhe vendeve tona, përfshi Maqedoninë.

Një vend të veçantë zë edhe bashkëpunimi i vendit tonë me Maqedoninë në kuadër të procesit të integrimit evropian, si dhe bashkëpunimi për integrimin në NATO. Shqipëria e mbëshet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke e parë këtë anëtarësim si shumë të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Përveç kësaj, të dy vendet kanë një bashkëpunim shumё tё mirё edhe nё kuadёr tё “Kartёs sё Adriatikut”, i cili zhvillohet pozitivisht në të dyja nivelet, në nivelin politik dhe atë ushtarak, si dhe ka ndikuar ndjeshëm në forcimin e sigurisë brenda rajonit, por edhe mes vetë vendeve tona.

Në pjesën juglindore të Shqipërisë, në komunën e Liqenasit (Pustecit) dhe Vërnikut në rrethin e Devollit, ka një prezencë të pakicës  maqedonase. Persona të kësaj pakice jetojnë edhe në vende të tjera (Bilisht, Korçë, Pogradec, Tiranë etj). Sipas të dhënave të censusit të vitit 1989, kjo pakicë përbëhej prej 4697 persona ose 0.14% e numrit të përgjithshëm. Sipas të dhënave të censusit të vitit 2011, numri i personave që kanë vetdeklaruar përkatësinë etnike maqedonase ishte 5512 ose 0.20 % e numrit të përgjithshëm.

Shteti shqiptar  i ka krijuar mundësitë popullsisë maqedone të arsimohet në gjuhën amtare maqedone dhe  të ketë shkollat e saj. Në planin mësimor dhe në programet lëndore krijohen mundësi që nxënësit e kësaj pakice të studiojnë historinë, traditat dhe kulturën e kombit të tyre.   

Pakica maqedonase është e organizuar në disa shoqata dhe ka krijuar edhe Partinë “Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian”. Kjo pakicë ka gjithashtu përfaqësuesit e vet në pushtetin vendor, (komuna, bashki, këshill komune, këshill bashkiak etj). Përsa i përket përfaqësimit në jetën publike, kjo pakicë ka një përfaqësues në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve, si dhe persona që i përkasin kësaj pakice janë të punësuar në sektorë të ndryshëm shtetërorë, strukturat e policisë etj.

Në mars 2013 në Kuvendin e Shqipërisë është miratuar, ndryshimi emrit të Komunës Liqenas” në “Komunën Pustec”.  Aktualisht, me organizimin e ri territorial në vendin tonë, Pusteci është kthyer në bashki.

 

Itali

Miqësia dhe partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë bazohet në rrënjë të lashta historike, në kulturën dhe vlerat e përbashkëta të cilat sot pasurohen edhe më tej nga faktorë të tjerë domethënës.

Italia vazhdon të mbetet partneri i parë në shkëmbimet dypalëshe dhe një nga kontribuesit më të rëndësishëm në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme, përmes investimeve, programeve të kooperacionit apo pjesëmarrjes dhe bashkëfinancimit të programeve shumëpalëshe.

Partneriteti Strategjik midis dy vendeve (i sanksionuar në Deklaratën e Partneritetit Strategjik të firmosur dhe hyrë në fuqi më 12 Shkurt  2010), si edhe mbështetja e fuqishme e Italisë në rrugën e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, konfirmojnë edhe më shumë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.  

Kooperacioni Italian për Zhvillim (KIZH) ka qenë i pranishëm në Shqipëri që në vitin 1991, në mbështetje të zhvillimit shoqëror-ekonomik të vendit përmes programeve që synonin konsolidimin e sistemeve të prodhimit, për lidhjen me rrjetet rajonale të infrastrukturës, nxitjen e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, së bashku me ato shoqërore, arsimore dhe shëndetësore.

Protokolli për zhvillimin e bashkëpunimit 2014-2016, me vlere 81.7 milione euro, i cili u nënshkrua në Tiranë, është një tregues i qartë i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe ndihmës së vazhdueshme të Italise ndaj Shqipërisë.

Italia ka qenë dhe ende përfaqëson një partner të privilegjuar për Shqipërinë: është një prej donatorëve kryesorë bilateralë gjatë më shumë se njëzet vjetëve të fundit, vendi mikpritës i njërit prej komuniteteve më të mëdha shqiptare të emigrantëve jashtë shtetit, partneri i parë tregtar dhe kryesor i Investimeve të Huaja Direkte shqiptare. Për më tepër, Italia ka qenë gjithnjë në krye për sa i përket ndihmës për qeverinë shqiptare gjatë tranzicionit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të hapur, deri tani, duke prezantuar një mbështetje të fuqishme për integrimin e Shqipërisë në BE.

Dialogu midis qeverive të Italisë dhe Shqipërisë është i qëndrueshëm dhe i fuqishëm dhe është mbështetur në marrëdhënie të thella bashkëpunuese bilaterale në mjaft sektorë dhe fusha. Megjithatë niveli i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka nevojë të ngrihet në një stad tjetër më të lartë me pjesëmarrjen e bizneseve dhe kompanive të mëdha si ENEL, AGIP, Finmeccanica, etj. si dhe duke shfrytëzuar ato kapacitete ende të pazbuluara e me interes të ndërsjellë të tregut shqiptar për investitorët dhe biznesmenët Italianë.   

Angazhimi politik i Italisë në Shqipëri reflektohet edhe në strategjinë më të gjerë të qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, e cila synon nxitjen dhe qëndrueshmërinë e Politikës së Zgjerimit të BE-së, duke rrënjosur brenda saj vlerat demokratike dhe mundësitë e siguruara në lidhje me kultivimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Ndër drejtimet kryesore të bashkëpunimit ka qenë dhe do të mbetet dhe intensifikimi i bashkëpunimit në kuadër të nismave rajonale, me prioritet Makrorajonin Adriatiko-Jonian, Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun. Për Italinë, Shqipëria konsiderohet si një vend prioritar në rajon, për shkak të vendndodhjes strategjike gjeo-politike dhe pozitës së saj pajtuese dhe stabilizuese që ka treguar me vendet fqinje në aspektin më të gjerë të Makrorajonit Adriatiko-Jonian të BE-së.

Italia dhe Shqipëria kanë treguar angazhimin e tyre dhe po bashkëpunojnë intensivisht për promovimin e projektit TAP, si nje projekt me rëndësi strategjike jo vetëm për të dy vendet tona por edhe për tërë rajonin e madje edhe për vetë sigurinë energjetike të BE-së.

Një tjetër element shumë i domethënës në marrëdhëniet midis dy vendeve tona është diaspora, komuniteti shqiptar e arbëresh në Itali, (por tashmë edhe italianët në Shqipëri)  të cilët përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve të gjithanëshme tradicionale e të reja midis dy vendeve tona si dhe një shembull të shkëlqyer të bashkjetesës, tolerancës dhe harmonisë  midis popujve.