Shqiptarët në Botë

Shqiptarët në Botë

Dëgjesë Publike për  Diasporën

Nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sektori i Diasporës në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) po zbaton projektin “Shfrytëzimi i ndikimit pozitiv të migracionit shqiptar për zhvillimin e Shqipërisë”, financuar nga Fondi i Zhvillimit i IOM.
 
 
Projekti ka si objektiv të përgjithshëm mbështetjen e përpjekjeve të qeverisë shqiptare në procesin e angazhimit të komuniteteve shqiptare jashtë vendit për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të vendit.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të Projektit është hartimi i një dokumenti politik dhe plan veprimi në funksion të strukturimit të angazhimit të komuniteteve shqiptare jashtë vendit në zhvillimin ekonomik, shoqëror e politik të Shqipërisë.
 
Dokumenti mendohet të orientohet në drejtimet e mëposhtme:
 
Diaspora dhe angazhimi i të rinjve
Diaspora dhe kultura/ turizmi
Roli i Diaporës në rritjen e Investimeve 
Transferimi i aftësive të Diasporës
Shkëmbimet Studentore / Rrjeti i Universiteteve 
Diaspora dhe inovacioni
Përfshirja e Diasporës në jeten shoqerore, ekonomike dhe politike
Diaspora dhe Marketingu/ Komunikimi
Diaspora dhe aspektet gjinore
Rrjetet e specialistëve në Diasporë (p.sh. mjekët, arkitektët, etj.)
Filantropia e Diasporës
 
Dokumenti është në fazën paraprake të hartimit të tij, me kontributin e të gjithë aktorëve të përfshirë.
 
Në funksion të hartimit të një dokumenti i cili të përfshijë mendimin e të gjithë aktorëve të interesuar, ju ftojmë të kontribuoni me mendimin tuaj në lidhje me nisma të angazhimit të komuniteteve shqiptare jashtë vendit në fushat e mësipërme dhe me aspekte të tjera që mund të përfshihen në këtë dokument të rëndësishëm në adresën email  diaspora@mfa.gov.al

 
Data e përfundimit të tërheqjes së sugjerimeve e mendimeve është deri më datë 20 maj 2016

 
*****
Diaspora shqiptare, historike dhe e re, përbën një rast unikal. Krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, në trojet etnike, është ndër më të mëdhatë në botë. Kurse si shtrirje gjeografike kap thuajse të gjitha kontinentet e banuara. Në total ajo numëron disa milionë veta, të përqendruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj.   
Dukuria e migrimit të shqiptarëve jashtë vendit nuk është e re. Ajo është e dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë me largimin e një mase të madhe banorësh të trevave shqiptare, veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga Perandoria Osmane dhe vdekjes së Skënderbeut.
 
Rezultat i këtyre valëve migratore ishte krijimi i ngulimeve të rëndësishme shqiptare në Italinë e Jugut, Greqi, në bregdetin e Dalmacisë e gjetkë. Modeli më i spikatur është komuniteti arbëresh i vendosur  në Siçili e Kalabri.
Gjatë shekujve që pasuan, deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, në vitin 1912, proceset migratore vazhduan në formën e lëvizjeve “të brendshme” nga trevat shqiptare në rajone të tjera të Perandorisë Osmane ose në vende fqinjë, të cilat, me kalimin e kohës, fituan autonomi apo pavarësi nga Porta e Lartë.
Këtyre lëvizjeve u detyrohet krijimi dhe konsolidimi i komuniteteve relativisht të rëndësishme shqiptare në rajonet e Turqisë së sotme, në Egjipt, Siri, Bullgari, Rumani e në ndonjë vend tjetër.
Periudha që nis me fillimin e shekullit të 20-të dhe, në veçanti, me formimin e shtetit shqiptar solli një ndryshim të rrugëve të emigrimit. Emigrimi drejt Turqisë vazhdoi përsëri, kryesisht për hir të lidhjeve që ekzistonin me ata që qenë vendosur atje, por tani ky vend, me problemet e shumëllojta që solli rënia e Perandorisë, nuk përbënte më një truall të parapëlqyer për emigrim.
Prandaj shqiptarët u orientuan kryesisht drejt  ShBA, Argjentinës, Australisë dhe në një numër më të kufizuar edhe në ndonjë vend evropian (Francë, Austri, Itali).
 
Një kontingjent të veçantë përbënte emigracioni politik, i larguar nga Shqipëria si rezultat i qëndrimit dhe veprimtarisë kundërshtuese ndaj regjimit të Zogut dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në harkun kohor 1945 - 1990 u shënua një shuarje thuajse e plotë e dukurive emigruese
Emigracioni u rishfaq në Shqipëri në korrik 1990. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit nga vendi u largua  në emigracion rreth 25 për qind e popullsisë totale, ose rreth 35 për qind  e popullsisë aktive.
Sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit rreth 1 milion e 400 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit tonë në botë. Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë.
 
Përgjithësisht prirja e emigrantëve shqiptarë me kalimin e viteve është orientuar drejt vendeve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore (Itali, Gjermani, Holandë, vendet e Skandinavisë, Britani e Madhe etj.), si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.
 
Shtrirja gjeografike e emigracionit shqiptar në vendet pritëse është diktuar nga kërkesat e tregut të punës. Në Greqi dhe Itali, për shembull, emigrantët shqiptarë gjenden të përhapur kudo në territoret e këtyre shteteve, natyrisht me një përqëndrim më të madh në qytetet kryesore.​