Legalizimi i dokumentave

Procedurat e legalizimit të dokumenteve në Përfaqësitë jashtë shtetit dhe në MPJ


Procedura e Legalizimit është e detyrueshme për të gjitha dokumentet e lëshuara nga administrata shqiptare që do të përdoren pranë administratave të shteteve të tjera, apo ato të lëshuara nga administrata e një shteti tjetër që do të përdoren pranë administratës shqiptare.
Ajo konsiston në njohjen formale nga punonjësit konsullorë, të vulës dhe nënshkrimit të autoritetit që e ka lëshuar dokumentin. Kjo e bën dokumentin njësoj të vlefshëm, nga pikëpamja ligjore edhe jashtë territorit të vendit ku është lëshuar.
Shqipëria është anëtare e Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961, që do të thotë se dokumentet shqiptare që do të përdoren në vendet anëtare të së njëjtës Konventë, si dhe anasjelltas, nuk do të legalizohen nga përfaqësitë diplomatike e konsullore.
Në bazë të kësaj Konvente, dokumentet pajisen me një vulë Apostille nga autoriteti kompetent i vendit ku janë lëshuar dhe më pas mund të përdoren direkt në institucionin përkatës (Gjendje civile, gjykatë, institucion arsimor, etj.) të vendit pritës.
Në zbatim të nenit 12 të kësaj Konvente, përjashtohen nga aplikimi i Apostille-s dokumentet për/nga Belgjika, Greqia, Gjermania, dhe Spanja. Bëjnë përjashtim gjithashtu rastet kur dokumentet shkojnë në/vijnë nga vendet që nuk janë anëtare të Konventës së sipërpërmendur.
Në këto raste legalizimi i dokumenteve shqiptare për përdorim në këto vende, si dhe i dokumenteve të këtyre vendeve për përdorim në Shqipëri, vazhdon të bëhet sipas VKM nr. 134, datë 07.03.2003.
Në Shqipëri, Autoriteti kompetent për problemet e legalizimit të dokumenteve është Ministria e Punëve të Jashtme. Në vende të tjera mund të jetë Ministria e jashtme, Ministria e Drejtësisë, apo edhe struktura të ndryshme lokale.
Është e këshillueshme që shtetasi të interesohet për këtë që në institucionin ku tërheq një dokument, me qëllimin për ta përdorur jashtë atij vendi. Për çdo paqartësi në këtë drejtim ai mund t’u drejtohet edhe pikave të kontaktit për shërbimet konsullore, në MPJ apo Përfaqësitë e R. Sh. jashtë vendit.

 

Tarifat konsullore

Tarifat për shërbimet konsullore rregullohen në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 te Kushtetutës, të nenit 11 në  Ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” si dhe të Udhëzimit të Ministrit të Financave, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Ministrit të Brendshëm nr. 38 datë 21.11.2008, (shtojca nr. 1) “Për përcaktimin e tarifës për shërbimet konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme apo ambasadave tona jashtë vendit dhe tarifa për lëshimin e pasaportave të udhëtimit” .

I. Tarifat për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit:

1.    Pasaportë biometrike...........................108 Euro
2.    Kartë identiteti...................................... 10 Euro
3.    Lejekalimi lëshuar nga përfaqësitë ......... 30 Euro

II. Tarifat për lëshimin, verifikimin dhe legalizimin e dokumenteve:

1.    Certifikatë e çdo lloji lëshuar për shtetasit shqiptarë ................................30 Euro
2.    Certifikatë e çdo lloji lëshuar për shtetasit e huaj.............................  Reciprocitet
3.    Vërtetim i çdo lloji lëshuar për shtetasit shqiptarë .................................. 30 Euro
4.    Vërtetim i çdo lloji lëshuar për shtetasit e huaj.................................. Reciprocitet
5.    Verifikimi i dokumentit për shtetasit shqiptarë ........................................ 10 Euro
6.    Legalizimi i dokumentit për shtetasit shqiptarë........................................ 20 Euro
7. Legalizimi i dokumentit për shtetasit e huaj.................................. Reciprocitet

III. Tarifat për lëshimin dhe përpilimin e akteve të tjera noteriale dhe përkthimin e dokumenteve nga përfaqësitë .

1.    Përpilimi i deklaratave, autorizimeve, testamenteve, garancive dhe prokurave të posaçme ................................................................................... ............... 20 Euro/faqe
2. Vërtetimi i dublikatave dhe kopjeve ............................................ 20 Euro/faqe
3. Përkthimi i dokumenteve     ...................................................... 10 Euro/faqe

Tarifa mund të arkëtohet edhe në dollarë ose në monedhën e vendit, duke pasur parasysh kursin e këmbimit në momentin e kryerjes së veprimeve.