Asistenca e mbrojtja e shtetasve në vështirësi

Asistenca e mbrojtja e shtetasve në vështirësi

Në situata të vështira e fatkeqësi shtetasit shqiptarë dhe të afërmit e tyre mund t’i drejtohen kurdoherë MPJ, Drejtorisë Konsullore, dhe përfaqësive tona diplomatike e konsullore jashtë shtetit, për të marrë ndihmë e për t’u këshilluar. Shtetasit mund të kërkojnë ndihmën e përfaqësive tona edhe kur u shkelen të drejtat e tyre në shtetin e rezidencës. Asistenca dhe ndihma që mund të jepet varet nga hapësirat e lejuara nga aktet ndërkombëtare dhe marrëveshjet reciproke dhe rrethanat konkrete. 

Detaje për asistencën në përgjithësi: Asistencë dhe ndihmë e përgjithshme

Katastrofat natyrore, situatat luftarake, terrorizmi dhe rrëmbimet

Katastrofat natyrore dhe situatat luftarake

Përfaqësitë tona veprojnë menjëherë për të kontaktuar shtetasit shqiptarë në zonat e prekura nga katastrofat natyrore dhe situatat luftarake jashtë shtetit. Të afërmit duhet të kontaktojnë menjëherë MPJ, Drejtorinë Konsullore, për të dhënë informacione të vlefshme për vendndodhjen e shtetasve.

Inkurajojmë të gjithë shtetasit tanë të regjistrohen pranë Përfaqësive tona që mbulojnë shtetet ku ata qëndrojnë ose të kenë përherë me vete informacion se si mund të kontaktojnë Përfaqësitë ose MPJ, Drejtorinë Konsullore.

Terrorizmi dhe rrëmbimet

Sulmet terroriste dhe rrëmbimet janë të mundshme. Shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë shtetit në zona të pasigurta duhet të mbajnë parasysh se mund të gjenden në situata të tilla. Para se të qarkullojnë në vende të huaja ata duhet të informohen për rrezikshmërinë e vendit të destinacionit. 

Vdekjet, sëmundjet dhe aksidentet e rënda

Ndihma në rastet e vdekjeve

Përfaqësitë tona ndihmojnë familjen dhe të afërmit në raste vdekjesh. Ato këshillojnë, ndërmjetësojnë me autoritetet e vendit pritës për përgatitjen e dokumentacionit për kryerjen e veprimeve të varrimit ose riatdhesimin me trasnporte funerale.

Në rast se shtetasit e vdekur nuk kanë të afërm në vendin e qëndrimit, Përfaqësitë interesohen për të njoftuar e  kontaktuar të familjarët në Shqipëri përmes MPJ.  

Asistenca për të sëmurët ose të aksidentuarit rëndë

Përfaqësitë ndihmojnë të sëmurët ose të aksidentuarit rëndë. Nëse këta shtetas nuk kanë të afërm, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme njoftohen familjarët në Shqipëri.

Të ndaluarit, personat nën hetime dhe të burgosurit

Përfaqësitë tona interesohen dhe ndihmojnë shtetasit e ndaluar, nën hetime apo të burgosur. Ato ndërhyjnë tek autoritetet vendase për të mbrojtur të drejtat e shtetasve dhe për të garantuar të drejtën për hetime e gjykime të paanshme. Ndërhyjnë për të mos lejuar keqtrajtimin e të burgosurve dhe sigurimin e kushteve normale, në raport me standardet e vendit pritës, të mbajtjes në burg.

Me dëshirën e shtetasve Përfaqësitë rekomandojnë avokatë dhe përkthyes të njohur prej tyre. Njoftojnë përmes MPJ, Drejtorisë Konsullore, të afërmit dhe familjarëve. Por Përfaqësitë nuk mund të marrin përsipër përfaqësime në procese gjykimi si avokatë mbrojtës.

Shtetasit e ndaluar, të hetuar dhe të burgosurit mund të mos lejojnë njoftimin e Përfaqësisë tonë dhe kontaktimin e tyre. Në këto raste as familja e të afërmit nuk mund të ndihmohen nga Përfaqësitë tona për t’u lidhur e për t’u informuar për ta. 

Për më shumë: Asistencë për shtetasit shqiptarë të ndaluar dhe arrestuar

Ndihma në rastet e humbjes së kontakteve

Kur humbin kontaktet me shtetasit jashtë vendit, të afërmit e tyre i drejtohen MPJ,  Drejtorisë Konsullore, ose përfaqësive tona. Përpjekjet që do të bëhen për rivendosjen e kontakteve do të jenë të suksesshme në varësi të saktësisë së informacionit që do të ofrojnë të afërmit.

Të afërmit duhet të mbajnë parasysh se strukturat e Shërbimit Konsullor nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në privatësinë e shtetasve. Ato nuk kanë të drejtë të kërkojnë, pa dëshirën e shtetasve, lidhjen me të afërmit e tyre.

Për më shumë: Asistencë për shtetasit shqiptarë të humbur

Asistenca financiare për riatdhesimin

Shpenzimet për riatdhesimin e shtetasve nuk përballohen nga shteti. Janë vetë shtetasit ose të afërmit e tyre që duhet të bëjnë pagesat për udhëtim e kthimit dhe lëshimin e dokumenteve të nevojshme.