Dokumente Arkivore

Ministria e Punëve të Jashtme  administron   pasurinë dokumentare arkivore të krijuar nga shërbimi i jashtëm shqiptar që nga krijimi i shtetit modern shqiptar në v.1912 e në vazhdim.

Ajo administron  gjithashtu fondin origjinal të marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe të nënshkruara nga shteti shqiptar pas krijimit të tij.
Administrimi i kësaj pjese të trashigimisë historike kombëtare  e cila pasurohet çdo vit me prurje të reja dokumentare, si dhe shfrytëzimi i saj për interesat e politikës së jashtme dhe komunitetit të shkencës kryhet nga Drejtoria e Arkivit Historik dhe Dokumentacionit pranë këtij institucioni.Arkivi Historik i diplomacisë shqiptare është anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (International Council of Archives-ICA), me qendër në Paris.

Shfrytëzimi i këtij fondi dokumentar bazohet në Ligjin nr.9154, dt.6.11.2003 “Për Arkivat”.  Sipas nenit 61, pika 2, të  këtij ligji, dokumentet që administrohen në institucionet arkivore shtetërore, jepen për shfrytëzim pasi kanë kaluar 25 vjet nga data e krijimit të tyre. 

Për dokumentet e klasifikuara “sekret shtetëror”, procedohet sipas masave që parashikon Ligji Nr.8457, dt.11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.

Për të pasur akses në pasuritë arkivore historike të shërbimit të jashtëm shqiptar, çdo i interesuar vendas apo i huaj, duhet të paraqesë pranë Drejtorisë së Arkivit Historik dhe Dokumentacionit një kërkesë personale ose në emër të institucionit që ai përfaqëson. Në kërkesë përmendet saktësisht objekti i hulumtimit në pasurinë arkivore të institucionit dhe periudha kohore e krijimit të dokumentacionit të kërkuar. Në kërkesë vendosen edhe mundesitë e kontaktit për  të komunikuar pas miratimit të kërkesës. Për të lehtësuar komunikimin me Drejtorinë e Arkivit Historik dhe Dokumentacionit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është vendosur në dispozicion adresa elektronike arkivi.historik@mfa.gov.al

Studimi i dokumentacionit arkivor kryhet në Sallën e Studimit pranë Drejtorisë së Arkivit Historik dhe Dokumentacionit ku janë të vlefshëm edhe katalogët informues rreth fondeve dokumentare. Çdo interes për kopje të autorizuara të dokumenteve arkivore të shërbimit të jashtëm, depozitohet pranë kësaj Drejtorie e cila e realizon këtë shërbim pasi i pala kërkuese ka kryer pagesën përkatëse në Banke në llogari të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tarifat financiare të parashikuara për këto shërbime jane unike për të gjitha kategoritë e arkivave publike në Shqipëri dhe janë të afishuara në Sallën e Studimit të dokumenteve arkivore në MPJ.