Postuar më: 11 Janar 2018

Deklaratë e MEPJ mbi miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat evropiane. 

Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurt euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur.