Postuar më: 20 Mars 2018

Deklaratë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në përgjigje të interesit publik, zëdhënësja e ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edlira Prendi deklaron se, Shqipëria dënon ashpër sulmin me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe më 4 mars 2018.  

Si shtet palë në Konventën mbi Armët Kimike, Shqipëria dënon çdo lloj sulmi kimik nga aktorë shtetërorë ose jo, dhe i konsideron shkelje të së drejtës ndërkombëtare që minojnë rendin ndërkombëtar dhe venë në rrezik jetët e qytetarëve. 

Shqipëria shpreh solidaritet të plotë me Britaninë e Madhe dhe qytetarët e saj dhe përshëndet angazhimin e Britanisë së Madhe për të punuar ngushtë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në mbështetje të hetimit të sulmit  si dhe për identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.