Postuar më: 27 Prill 2017

Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me situatën në Maqedoni

Po ndjekim me shqetësim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe  skenat e dhunës në ambientet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj disa deputetëve.

Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.

U bëjme thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetësi, e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit.

Mbështesim thirrjen e ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qënësishëm politik në Maqedoni.