Postuar më: 10 Dhjetor 2016

Deklaratë e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

10 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, na kujton gjithnjë se respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përbën bazamentin e një shoqërie demokratike.

Kjo ditë kremtohet në të gjithë botën me arritje të padiskutueshme por edhe me sfida të mprehta.Gjatë këtij viti, liritë dhe të drejtat kanë vazhduar të shpërfillen e shkelen në zona të ndryshme të botës, për shkak të konflikteve të armatosura, terrorizmit, gjuhës së helmatisur dhe ekstremizmit të dhunshëm. 

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm përbëjnë një sipërmarrje të rëndësishme të komunitetit ndërkombëtar për të konsoliduar paqen dhe zhvillimin përmes forcimit të të drejtave të njeriut, zhdukjes së varfërisë dhe fuqizimit të shoqërisë njerëzore në tërësi. 

Si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Shqipëria kontribuon në mbrojtjen dhe promovimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. 

Kontributi fillon pikë së pari në vend. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, të drejtat e grave, fëmijëve, pakicave, personave me aftësi të kufizuar, grupeve në nevojë, barazia gjinore,arsimimi, kujdesi shëndetësor, lufta kundër dhunës në familje, lufta kundër korrupsionit dhe transformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë, janë pjesë e punës së përditshme të qeverisë dhe institucioneve shqiptare në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë. 

Jemi të vetëdijshëm që mbetet ende shumë punë për të bërë. Ndaj, do të vijojmë të jemi tërësisht të përkushtuar për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si një investim madhor për të ardhmen.