Postuar më: 07 Mars 2017

Deklaratë e MPJ lidhur me sulmin në Muzeun e Manastirit

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e saj dhe dënon sulmin e ditës së sotme ndaj Muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (Bitola), në këtë ditë të shënuar për gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët.

Kërkojmë nga autoritetet e Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal dhe dënimin e autorëve. Sulmet e përsëritura ndaj Muzeut janë dëshmi e kërkesës për mbrojtje më efektive të kësaj trashëgimie të përbashkët nga autoritetet kompetente.

Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, frika, mungesa e informacionit dhe retorika e dëmshme e kohëve të fundit.

Dëshirojmë të theksojmë se historia, tradita, gjuha e kultura e popullit shqiptar janë vlerë e shtuar për fqinjët tanë në Maqedoni dhe se ruajtja e tyre tregon vlerat më të larta demokratike e njerëzore.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë.

I bëjmë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të ndalojnë retorikën kundër shqiptarëve, e cila vetëm sa shpërqendron vëmendjen nga problemet reale të vendit, dëmton marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik.

I bëjmë thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të mos bien pre e provokimeve por të tregojnë qytetari e maturi dhe të ruajnë besimin se kriza në vend do të zgjidhet në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.