Postuar më: 24 Prill 2017

Deklaratë e MPJ për incidentin tragjik të ndodhur në datë 23 prill, në Pryshyb, Ukrainë

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë shpreh keqardhjen për incidentin tragjik të ndodhur në datë 23 prill, në Pryshyb, Ukrainë, ku një anëtar i Misionit të Posaçëm Monitorues të OSBE-së mbeti i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet e saj familjes së viktimës dhe uron shërim të shpejtë të monitoruesve të plagosur.

Ministria e Punëve të Jashtme ripërsërit bindjen se zbatimi i plotë i Marrëveshjeve të Minskut mbetet rruga e vetme për një zgjidhje politike të qëndrueshme të situatës në Ukrainë, në respekt të plotë të integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës.

Shqipëria, si një vend me kontribut aktiv në Misionin e Posaçëm Monitorues të OSBE-së në Ukrainë, beson në rolin jetik të SMM në vëzhgimin, dokumentimin dhe verifikimin e respektimit të armëpushimit në zonën e sigurisë së rënë dakord sipas Protokollit të Minskut dhe në zbatim të Marrëveshjeve të Minskut. Aksesi i plotë, i sigurt dhe i papenguar në të gjitha zonat e prekura nga konflikti, si dhe siguria e monitoruesve të SMM janë të panegociueshme.

Ministria e Punëve të Jashtme thekson nevojën për hetim të shpejtë dhe nxjerrjen e përgjegjësisë së plotë për ngjarjen tragjike të 23 prillit. ​