Postuar më: 14 Prill 2018

Deklaratë për shtyp e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon ashpër sulmin me armë kimike, më 7 prill, në qytetin e Doumës, Siri, i cili mori jetën e shumë civilëve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë.

Sulmet e sotme nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca janë një përgjigje në kohë ndaj përdorimit, për të disatën herë, të armëve kimike nga regjimi sirian, akt që përbën një krim të rëndë, shkelje të normave ndërkombëtare dhe si e tillë duhet të dënohet. Nxitësit dhe autorët e akteve të tilla duhet të përballen me drejtësinë dhe të mbajnë përgjegjësi për këtë krim të tmerrshëm kundër njerëzimit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme beson se një zgjidhje politike është ende e mundshme dhe mbështet çdo përpjekje për këtë qëllim, si mënyrë për t'i dhënë fund konfliktit dhe vuajtjeve të popullit sirian dhe për të sjellë një paqe afat-gjatë dhe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.