Postuar më: 17 Janar 2018

Deklaratë për shtyp e Ministrit Ditmir Bushati me Zv. Kryeministrin për Çështjet Evropiane të Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani

Fjala e Ministrit Ditmir Bushati

Përshëndetje, 

Pata kënaqësinë të mikëpres sot zv/Kryeministrin për Çështjet e integrimit Evropian të Maqedonisë, mikun Bujar Osmani, për të rakorduar gjithashtu edhe qëndrimet që po mbajnë dy vendet tona duke qenë se jemi në një periudhë intensive, ku për pak javë presim publikimin e Strategjisë së Zgjerimit nga ana e KE-së për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas, raportet individuale në prill, për të shkuar tek Samiti i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor në maj dhe më pas tek vendimmarrjet e rëndësishme në qershor të po këtij viti.

Me kënaqësi konstatojmë zhvillime pozitive, kam parasysh këtu librin e reformave që ka vënë përpara tryezës qeveria e kryeministrit Zaev, ku faktori politik shqiptar në qeverisje ka një kontribut shumë të rëndësishëm. Me këtë rast përgëzova Bujarin dhe gjithë ekipin për punën dhe kontributin që ka dhënë qoftë në miratimin e reformave të rëndësishme që e demokratizojnë dhe evropianizojnë më tej Maqedoninë, por edhe që hapin një perspektivë më të qartë për anëtarësim në NATO dhe në BE e më posaçërisht u ndalëm tek një arritje madhore e ditëve të fundit, siç është miratimi i ligjit të gjuhëve, ku kemi një avancim të qartë të përdorimit të gjuhës shqipe në përputhje në fakt, me kërkesat e faktorit politik shqiptar atje, e mbështetur nga ne, e mbështetur njëzëri edhe nga komuniteti ndërkombëtar që punon për demokratizimin e mëtejshëm të Maqedonisë.

Është shumë e rëndësishme që në ditët dhe javët në vijim, të mbajmë ritmin e komunikimit dhe rakordimit të ideve dhe qëndrimeve së bashku, qoftë në planin dypalësh ku ne duam të mbështesim Maqedoninë për zbatimin e plotë të reformës, sidomos asaj që ka të bëjë me përdorimin e gjuhëve. Duam gjithashtu të nxitim të gjithë aktorët politikë në Maqedoni për të ecur përpara me frymën e mirëkuptimit ndëretnik për të mos penguar këtë reformë të rëndësishme dhe nga ana tjetër, jemi të gatshëm që edhe nëpërmjet institucioneve tona edukative e shkencore të ndihmojmë Maqedoninë për zbatimin e duhur të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Po kaq i rëndësishëm është angazhimi ynë në rajon ku dihet që ka disa lëvizje afruese qoftë mes Greqisë dhe Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë, dhe gjithashtu takimi i dy qeverive tona që u mbajt para pak kohe në Pogradec për të vazhduar me këtë klimë mirëkuptimi, për të zbutur sa më shumë diferencat dhe qëndrimet e ndryshme për çështje qofshin këto me natyrë historike apo të aktualitetit politik, në mënyrë që rruga e vendeve tona si në planin e bashkëpunimit rajonal, po ashtu edhe në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, të lehtësohet.

Nuk besoj se them ndonjë sekret nga biseda e sotme që si ne, ashtu dhe Maqedonia presim që 2018-a të jetë një vit përcaktues për rrugën tonë të mëtejshme në procesin e integrimit evropian. Shpresojmë dhe urojmë me gjithë zemër që për Maqedoninë të jetë edhe përsa i përket procesit të anëtarësimit në NATO. Ky konstatim i yni dhe kjo pritshmëri e jona bazohet mbi stadin e reformave, përpjekjet që kemi bërë gjatë kësaj periudhe dhe gjithashtu këto pritshmëri bazohen edhe mbi pritshmërinë që kanë qytetarët tanë të cilët janë nxitësit kryesorë te reforave që ne kemi ndërmarrë.

Faleminderit.

 

Fjala e Zv. Kryeministrit të Maqedonisë, Bujar Osmani.

Faleminderit Ditmir,

Dua në fillim të falënderoj ministrin Bushati për mikpritjen në këtë vizitë timen të parë si Zëvendës Ministër për Çështjet Evropiane, por edhe në një ditë simbolike ku shënojmë 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë Skënderbeut, simbol i cili na bashkon ne si shqiptarë gjithandej, por bashkon edhe vendet e rajonit si një përcaktues i objektivit tonë gjeopolitik drejt Perëndimit. Maqedonia dhe Shqipëria këtë vit, në vitin 2018 gjenden para sfidave dhe mundësive historike.

Ne në Maqedoni, 2018-ën e kemi shpallur një mundësi në një mënyrë, një dritare të artë të oportunitetit për të bërë një hap drejt Integrimit në BE dhe në NATO. Kontekstet janë të tilla, qoftë brenda në qeverinë e re reformatore, qoftë rajonale por edhe europiane me një rifokusim të vendeve të Bashkimit Evropian drejt perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor që ne duhet t’a shfrytëzojmë. T’a shfrytëzojmë nëpërmjet koordinimit e sinkronizimit të aktiviteteve tona që përpjekjet tona të arrijnë një sinergji ndërmjet përpjekjeve tona individuale që i kemi në këtë udhëtim. Kemi disa pika të rëndësishme siç i përmendi ministri, në vitin 2018.

E para është ajo e strategjisë për zgjerim e titulluar si strategji kredibile për Ballkanin Perëndimor. Vlerësimi ynë është se kjo strategji nuk mund të jetë kredibile pa pasur Shqipërinë dhe Maqedoninë brenda në të. Rajoni duhet të rrugëtojë bashkë në këtë proces, natyrisht duke u bazuar në meritat individuale të secilit shtet veç e veç. Duhet gjithashtu të koordinohemi që të jemi sa më të përgatitur për Samitin e Sofjes në maj, i cili duhet të betonojë në një mënyrë perspektiven evropiane të rajonit duke marrë parasysh që kjo perspektivë u hap në Samitin e Selanikut diku në vitin 2003.

Ne kemi edhe një sfidë tjetër përmes BE- së, është Integrimi në NATO. Për ne është jetësore Integrimi në NATO, si shqiptarë të Maqedonisë por dhe si shtet për shkak edhe të ndikimeve të shumta gjeopolitike të cilët mund të rrezikojnë të ardhmen e vendit, mund të destabilizojnë rajonin prandaj po bëjmë të gjitha përgatitjet e duhura, të gjitha masat e nevojshme që në Samitin e korrikut të marrim ftesë për anëtarësim në NATO. Kam kënaqësinë që sot në Shkup kemi mysafir Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Stoltenberg, i cili në një mënyrë jep një mesazh të rifokusimit të NATO-s për perspektiven e Maqedonisë për këtë vit. Thjesht të rrumbullakoj, është një rilindje e perspektivës europiane të rajonit dhe ne duhet të jemi të gatshëm që të kapim këtë mundësi për shkak se po e lëshuam do të futemi në një qark vicioz, jo vetëm Maqedonia por i gjithë rajoni i cili, më pas mund të keqpërdoret dhe të kidnapohet nga forca të cilat nuk ja duan të mirën rajonit dhe perspektivës së saj euroatlanike dhe më pas të orientojë në drejtime jo të duhura.

Mendoj që sinkronizimi dhe koordinimi i aktiviteteve do të ndihmonte të kemi marrëveshje ndërmjet dy qeverive për bashkëpunimin në çështjet e integrimit. Kemi mekanizëm dhe instrument që paraqet kjo marrëveshje, Komiteti i Përbashkët të cilin duhet t’a fusim në funksion por gjithashtu të këmbejmë eksperiencat tona në përdorimin e mjeteve nga fondet IPA, Bashkimit Evropian edhe në kontekst të bashkëpunimit ndërkufitar por edhe në përgjithësi në ngritjen e kapaciteteve për përdorimin e këtyre mjeteve që europianizon shtetet tona dhe gjatë rrugës drejt Integrimit.

Ju faleminderit ​