Postuar më: 06 Shkurt 2018

Deklaratë për Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian

Strategjia e Zgjerimit e Komisionit Evropian dëshmon vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, sikundër ofron një listë masash për integrimin dhe transformimin e të gjitha vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. 

Reforma në drejtësi zë një vend qendror, ku sipas modelit të reformës së thellë e transformuese të Shqipërisë, vendeve të rajonit u rekomandohet një plan konkret hapash dhe masash për përgatitjen e tyre për zbatimin e detyrimeve që burojnë prej anëtarësimit në BE. 

Mirëpresim vlerësimin e Komisionit Evropian dhe gatishmërinë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. 

Ne besojmë që ky vlerësim i Komisionit do të mbështetet njëzëri nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave në Shqipëri dhe stabilitetin demokratik të rajonit.

Duke pasur parasysh hendekun zhvillimor mes vendeve të rajonit dhe BE-së, mirëpresim që angazhimet e kësaj Strategjie të specifikohen më tej me programe e instrumente financiare në mbështetje të infrastrukturës, ndërlidhjes, arsimit e sigurisë energjetike të rajonit tonë. 

Shpresojmë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin në rajon e të demonstrojë qartësi strategjike për të transformuar thellësisht dhe këtë pjesë të Evropës.