Postuar më: 17 Nëntor 2017

Konferencë e përbashkët për shtyp e Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi

Fjala e  Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati

Mirëmëngjesi të gjithëve.

Dëshiroj në radhë të parë të falënderoj kolegët nga Kroacia dhe Mali i Zi, Marije-n dhe Sergjan për këtë takim të dytë të vendeve të Adriatikut të cilin ne e kemi themeluar si nismë vitin e shkuar kur bëmë edhe mbledhjen tonë të parë në Split si një mundësi për të bashkëvepruar më mirë, jo thjesht për të ndërruar pikëpamjet për sa i përket sfidave të sigurisë në hapësirën e Adriatikut dhe për t’u dhënë shtysë projekteve të ndryshme të ndërlidhjes, projekteve në fushën e turizmit, energjisë por natyrisht, për të përfituar sa më shumë të jetë e mundur nga njëri-tjetri edhe për shkak të formatit fleksibël duke qenë se Kroacia është  një vend anëtar në Bashkimin Evropian, Mali i Zi është një vend në tryezën e bisedimeve për anëtarësim dhe vendi më i përparuar në këtë drejtim nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria një vend kandidat që flet dhe punon në drejtim të hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Nga ana tjetër, të treja vendet tona janë vende  anëtare të NATO-s.

Kur u mblodhëm vjet, Mali i Zi ishte në hapat e fundit drejt anëtarësimit në NATO. Në këtë vit jemi tre vende anëtare të NATO-s ku kemi mundësi jo vetëm për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, por edhe për të dalë në pozicione të përbashkëta brenda suazës së NATO-s dhe mundësisht për të kontribuar së bashku për sa i përket sigurisë jo vetëm brenda hapësirës së Adriatikut apo vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore por edhe në zona të tjera të globit me peshën modeste që kanë vendet tona në këtë drejtim.

Ne sot kemi miratuar gjithashtu edhe një deklaratë të përbashkët, e cila do ti vihet secilit prej jush në dispozicion dhe për të maksimizuar sa më shumë kohën, unë thjesht dua të them edhe njëherë përpara se t’ia kaloj fjalën fillimisht koleges kroate Marija dhe me pas kolegut malazez, Srđan. Është e qartë që kjo platformë trepalëshe nuk është një platformë që zëvendëson forumet kryesore, platformat kryesore dhe peshën kryesore që ka NATO dhe Bashkimi Evropian në këtë kënd të Evropës.

Është një platformë e cila ka lindur si një nevojë e jona për të koordinuar më tej projektet dhe përpjekjet, qofshin ato në fushën e ndërlidhjes apo projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin e turizmit dhe me kthimin e bazenit të Adriatikut në një mundësi zhvillimore për vendet tona dhe për vende të tjera të cilat pavarësisht se nuk kanë një qasje në det, mund të përfitojnë përmes këtyre projekteve.

Ka disa ide, të cilat po zhvillohen në kuadër të procesit të Berlinit ku vendet tona janë përfituese. Gjithashtu ne morëm në rishqyrtim edhe mjedisin e sigurisë së hapësirës tonë, të Evropës Adriatike dhe hapat që ne do të mundemi t’u propozojmë dhe kolegëve të vendeve të tjera apo institucioneve partnere me të cilat punojmë në përballimin e sfidave të sigurisë.

Dëshiroj edhe njëherë tjetër të falënderoj të dy kolegët për mbështetjen që i japin procesit të hapjes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ç’ka reflektohet edhe në deklaratën e përbashkët. Kroacia është një vend i yni i afërt, me kuptimin politik të fjalës dhe lidhjeve tradicionale që ne kemi kultivuar në të shkuarën, por është edhe një nga ato vende që për ne si Shqipëri, konsiderohet model për sa i përket procesit të transformimit që ka ndodhur aty gjatë rrugëtimit evropian.

Është një vend që ne do të dëshironim të përfitonim edhe më shumë nga eksperienca e tij në këtë transformim. Rolin e Kroacisë në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e procesit të integrimit evropian, e shohim si mjaft domethënës.

Nga ana tjetër, Mali i Zi është një vend pararojë në këtë proces. Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në momentet kur Mali i Zi po i afrohej tryezës së NATO-s dhe sot kemi një mundësi të shkëlqyer jo vetëm për të punuar në tryezë, por edhe për të përfituar ne si Shqipëri nga eksperienca e tij në procesin e vështirë të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Prandaj, duke e mbyllur, duke falënderuar të dy kolegët, dua të them që ka shumë gjëra që na bashkojnë dhe kjo është një platformë nga e cila ne shpresojmë se do të jetë produktive dhe do të nxisë më tej bashkëpunimin rajonal, shumë të domosdoshëm mes nesh.

Marija fjala për ju.

 

Fjala e Ministres së Kroacisë, Marija Pejčinović Burić

Faleminderit shumë Ditmir, faleminderit shumë për mikpritjen e madhe që na ofruat. Ne jemi duke punuar për të krijuar rrethanat për takimin e parë që u zhvillua në Split dhe mendojmë se, siç tregon dhe emri, Adriatiku është ai që na bashkon. Dhe kur dikush pyet pse është ky format, mua më duket shumë e qartë.

Temat që ne diskutuam sot, do të vazhdojnë të jenë tema në takimet tona të ardhshme të cilat janë të gjitha në një farë mënyre të lidhura me këtë temë të rëndësishme. Është e rëndësishme për vendet tona, e rëndësishme për sektorët e industrisë, sidomos atë të turizmit, por edhe në kuadër të mbrojtjes së mjedisit.

Së dyti, do të doja të përshëndesja edhe njëherë, zyrtarisht, (sepse ky është takimi i parë që nga takimi i Splitit), kolegët e Malit të Zi për atë që ka ndodhur përgjatë kësaj periudhe ku Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s.

Mendoj që kjo e bën bashkëpunim tonë trepalësh edhe më të fortë sepse në ndryshim nga takimi i parë i shkurtit, ka ndodhur kjo që thashë. Mendoj që se bashku ne kemi punuar për tre shtylla. E para është mbrojtja, bashkëpunimi për mbrojtjen dhe sigurinë, ku anëtarësia e të tre ne në NATO është një vlerë e shtuar. Dhe siç ne diskutuam, jemi vende që nuk mund t’i trajtojmë sigurisht të gjitha çështjet globale të politikës së jashtme. Por padyshim jemi në gjendje të diskutojmë çështjet që i përkasin rajonit të Evropës Juglindore ku ky takim trepalësh ka vlerë.

Shtylla e dytë ishte bashkëpunimi evropian, sidomos integrimi evropian i Evropës juglindore dhe në veçanti i Shqipërisë dhe pastaj i Malit të Zi.

Shtylla e tretë padyshim mbështetet tek dy të tjerat. Pas sigurisë dhe stabilitetit vjen begatia, gjë qe ne të gjithë do të donim të arrinim dhe të punonim më shumë. Siç tha Ditmiri, projektet e infrastrukturës ku ne mund të punojmë së bashku, i kalojnë kufijtë e shteteve tona dhe që padyshim janë me rëndësi për të gjithë ne.

Pra, kjo ndërlidhje dhe sidomos siguria energjetike dhe furnizimi me energji, kanë qenë çështje me rëndësi që ne diskutuam. Por edhe turizmi që është një sektor ekonomik në zhvillim dhe me mundësi për zhvillim për të gjithë rajonin tonë. Kroacia këtë vit në fakt ka shënuar sezonin më të mirë turistik që nga koha që ne u bëmë të pavarur. Pra, ne besojmë që disa nga përvojat tona mund t’i ndajmë me ju. Ato plotësojnë sektorin tonë të turizmit dhe një nga propozimet tona është që ministrat e Turizmit të takohen bashkë, të diskutojnë më me hollësi fushat e mundshme të bashkëpunimit në një mbledhje të veçantë.

Së fundi, do të doja të thosha se ne diskutuam situatën në rajonin tonë, ku Kroacia i mbështet të gjithë anëtarët e Evropës Juglindore të bëhen anëtarë në përpjekjet e tyre për të arritur në Bashkimin Evropian dhe rrugën Euro-Atlantike. I mbështesim të gjithë vendet e Evropës Juglindore në përpjekjet e tyre, pra, për t’u futur në BE dhe në këtë drejtim, ne mbështesim plotësisht procesin që po zhvillohet në Malin e Zi që po ecën shumë mirë. Pothuajse po i hap të gjithë kapitujt e bisedimeve. Pra, të gjithë vendet që po ecin në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ecuria e tyre të mbështetet në merita. Ne besojmë që Mali i Zi po ecën mirë në këtë rrugë dhe ne padyshim i mbështesim përpjekjet e tij për të shkuar aty. Në lidhje me rrugën e Shqipërisë, ne mendojmë që viti i ardhshëm do të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, meqë Shqipëria po punon shumë për të përmbushur disa nga kërkesat e fushave të ndryshme që janë të rëndësishme për reformat. Besojmë që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, në çdo muaj, do të vijë një mesazh i rëndësishëm nga Brukseli për të arritur në fazën e samitit që do të zhvillohet në Maj, në Bullgari. Ne shpresojmë që Shqipëria do t’i bëjë këto hapa të tjera shtesë dhe se përpjekjet e saj do të jenë përpjekje të merituara që do të rezultojnë në hapjen e negociatave, gjë që Kroacia do t’a mbështesë plotësisht Shqipërinë me kusht që gjithçka të zhvillohet, të bëhet në kohë. Ne besojmë që Shqipëria po ecën në rrugën e mirë, në rrugën e duhur për t’a bërë këtë. Për sa i takon anëtarësisë në NATO, ne jemi anëtarë të plotë të NATO-s, por ne  besojmë që për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithëve, është e rëndësishme që edhe vende të tjera, të ecin përpara në këtë rrugë me dëshirën e tyre sigurisht, sepse jo të gjithë vendet e rajonit duan të jenë anëtarë të plotë të NATO-s, por ata që duan, ne i mbështesim shumë. Ne po ashtu, i mbështesim dhe shpresojmë që së bashku do të ecim përpara në këtë drejtim, sepse nuk është vetëm në interesin e këtyre vendeve, por është në interesin e secilit prej nesh, jo vetëm si kombe, por edhe në kuadrin trepalësh. Faleminderit shumë!

 

Fjala e Ministrit të Malit të Zi, Srđan Darmanović

Faleminderit !

Shkëlqesi, kolegë të nderuar, Zonja dhe Zotërinj. Eshtë kënaqësi e madhe vërtet për mua që jam sot këtu në Durrës dhe marr pjesë në takimin e dytë të ministrave të Jashtëm e të takohem e bisedoj me kolegët e mi të dashur Marija dhe Ditmir. Ky është takimi i parë i platformës trepalëshe pas Splitit, pasi ne, Mali i Zi, u bë anëtar i plotë i NATO-s.

Më lejoni të them disa fjalë për këtë. Anëtarësia e Malit të Zi në NATO, në mënyrë të padiskutueshme, ka shënuar një hap të madh drejt Perëndimit dhe demokracive perëndimore. Gjatë këtyre përpjekjeve, ne kemi qenë të nderuar që ju, dy fqinjët tanë të mirë, na keni shoqëruar në çdo hap në këtë rrugë dhe për këtë ju falënderoj.

Mbështetja juaj ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për rezultatin e suksesshëm të procesit. Edhe njëherë ju shpreh mirënjohje.

Hyrja jonë në NATO  na ka sjellë përfitime të menjëhershme. Pati një efekt stabilizues në Ballkanin Perëndimor në shumë drejtime. Historia jonë e suksesit është një inkurajim edhe për aspirantë të tjerë në rajon që ndjekin politikën e dyerve të hapura dhe se në këtë mënyrë, plotësohet arkitektura e sigurisë së rajonit dhe i gjithë bregu i Mesdheut është nën ombrellën e NATO-s. Si aleat i NATO-s, do të vazhdojmë të promovojmë sigurinë, stabilitetin, demokracinë dhe begatinë ekonomike që vjen me integrimin në struktura Euro-Atlantike. Në këtë kuptim, ne vazhdojmë të promovojmë politikën e dyerve të hapur brenda NATO-s dhe duam që aspirantëve e rinj të rajonit t’u bëhet ftesë, kur edhe ata t’i kenë plotësuar kriteret dhe standardet e nevojshme, siç ishte rasti ynë.

Tema kryesore e takimit të sotëm ishte situata aktuale politike e sigurisë në rajon. Shkëmbyem mendime për stabilitetin, për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe për kontrollin e emigracionit. Ne vlerësojmë se vazhdimi i dialogut bazohet në besim dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të vendeve tona që rezulton në një bashkëpunim të rëndësishëm në periudhën e mëtejshme dhe ofron një bazë për zhvillim të mëtejshëm.

Ne ramë dakord për një punë të përbashkët e cila duhet thelluar e përmirësuar për të ruajtur stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon. Shkëmbyem informacion për projektet e zhvillimit ndërkufitar dhe theksuam rëndësinë e zhvillimeve në fushën e infrastrukturës. Lidhja e mirë në rajon është një parakusht për bashkëpunimin ekonomik.

Qëllimet e përbashkëta të politikës së Jashtme hapin një mundësi të madhe për  bashkëpunim në të ardhmen dhe komunikim të rregullt. Në këtë kuptim, ne theksuam rëndësinë që ka futja në BE për vendet e tjera të Ballkanit dhe njësoj si na kanë ndihmuar ne, vazhdojmë të ndihmohemi nga Kroacia si vende të avancuara në këtë proces, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë dhe të mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj për të hapur negociatat dhe për të na ndjekur me sukses në këtë rajon.

Integrimi Euro-Atlantik dhe Evropian i partnerëve dhe miqve tanë janë interesat më të mira kombëtare dhe ne besojmë se janë në interesin më të mirë të vetë rajonit. Ne ramë dakord se integrimi evropian është një nga fushat kryesore ku bashkëpunimi konkret trepalësh duhet avancuar në të ardhmen. Edhe njëherë jemi mirënjohës për Kroacinë,  për ndihmën zemërgjerë që na ka dhënë para dhe gjatë bisedimeve për hyrje dhe siç thashë më parë, jemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë dhe kandidatë të tjerë në të njëjtën mënyrë që Kroacia na ka ndihmuar ne. Ju faleminderit edhe njëherë për mikpritjen tuaj dhe faleminderit për vëmendjen.

Ministri Bushati: Faleminderit Sergjan, faleminderit Marije për fjalët e mira dhe për mbështetjen  që na keni dhënë në këtë proces.