Postuar më: 15 Mars 2018

Konferencë e përbashkët për shtyp e ministrit Ditmir Bushati me zv. Kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, znj. Marija Pejcinovic Buric.

 

 

Fjala e ministrit Ditmir Bushati

Përshëndetje të gjithëve,

Është kënaqësi për mua që mirëpritëm sot në Tiranë Zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë.

Mirë se erdhe e dashur Maria!

Bashkë morëm në shqyrtim stadin aktual të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë. Në shikimin tonë këto marrëdhënie janë marrëdhënie shumë të mira mes dy vendeve që pak a shumë kanë shikime të ngjashme përsa i përket sfidave të sigurisë me të cilat përballet rajoni dhe mënyrën se si rajoni duhet të ankorohet në ujërat e Bashkimit Europian.

Dua të falënderoj Kroacinë që është një vend mik, për mbështetjen që na jep në mënyrë të qartë në procesin e integrimit evropian dhe sidomos në sfidat me të cilat ne do të duhet të përballemi përgjatë 2018, që e kemi konsideruar një vit dritare, mundësi e artë për të avancuar më tej në procesin e integrimit evropian.

Siç dihet, Kroacia nga ana jonë konsiderohet një vend me një histori suksesi përsa i përket procesit të transformimit të brendshëm, reformave në fushën e sundimit të së drejtës dhe modeli kroat ka qenë një nga modelet që është marrë në analizë gjatë procesit të bërjes së reformës në drejtësi dhe tanimë zbatimit të saj. Një gjyqtar kroat gjithashtu është pjesë e trupës ndërkombëtare që mbështet procesin e Vettingut në Shqipëri dhe ne dëshirojmë që ky bashkëpunim, sidomos përsa i përket atyre reformave të rëndësishme në procesin e integrimit evropian, të vazhdojë. Gjithashtu, kemi rënë dakord së bashku me Marian që raporti i Shqipërisë dhe Kroacisë të ngrihet në një nivel më të lartë të partneritetit strategjik dhe do të përfundojmë së shpejti një tekst, i cili duhet që të dakordohet dhe më pas të firmoset nga dy shtetet tona, ku do të përcaktohen më së miri fushat e bashkëpunimit.

Jemi dy vende pjesë të Adriatikut, ndajmë interesa të përbashkëta përsa i përket zhvillimit të mëtejshëm të hapësirës së Adriatikut, qoftë në kuadër të sigurisë, por edhe sidomos në lidhje me zhvillimin ekonomik. Sapo u firmos një marrëveshje shumë e rëndësishme sidomos në fushën e mjedisit, e cila pritet që të ketë një impakt pozitiv edhe për turizmin. Pjesë e projektit tonë trepalësh me Kroacinë dhe Malin e Zi është dhe bashkëpunimi në këtë drejtim dhe turizmi siç dihet, zë një peshë të rëndësishme.

Dua t’a falënderoj edhe një herë tjetër Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme të Kroacisë për këtë vizitë këtu dhe mbështetjen që vendi i saj i jep Shqipërisë në rrugëtimin evropian.

Faleminderit. Fjala për ju Maria!

Fjala e ministres kroate, Marija Pejcinovic Buric.

Faleminderit ministrit Bushati, faleminderit i dashur Ditmir.

Marrëdhëniet ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë tradicionalisht kanë qenë shumë të mira dhe mund të them të shkëlqyera. Një nga provat është se këtu jam brenda dy muajve, kam qenë dy herë. Së pari kam qenë në Durrës nga fundi i vitit të shkuar në kuadër të bashkëpunimit tre palësh ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe aty ramë dakord të takohemi në nivel dy palësh pikërisht për t’i shtyrë më tej marrëdhëniet tashmë të mira.

Ne besojmë dhe jemi dakord sot, në takimet që bëmë, në ato fusha ku sigurisht kemi interes të përbashkët, për të zgjeruar bashkëpunimin dhe ku duhet të punojmë më tepër dhe të vendosim dhe një plan kohor.

 

Ministri Bushati përmendi partneritetin strategjik. Ne po punojmë për një dokument të tillë. Do të punojmë për të pasur një kuadër të mirë nëpërmjet të cilit, operatorë të ndryshëm, të angazhohen më tepër, të kenë një fushë të cilën ta çojnë më tepër bashkëpunimin tonë. Siç tha zoti Bushati, ne jemi partnerë, jemi partnerë të shkëlqyer. U bëmë njëkohësisht anëtarë të NATO-s dhe kjo formë bashkëpunimi na dha më shumë mundësi për zhvillim të mëtejshëm.

NATO është më shumë se sa mbrojtje, siguron më shumë bashkëpunim dhe në kuadër të kësaj, kolegu ynë do të vijë muajin tjetër dhe me këtë rast mund të kombinojmë mundësitë tona, aftësitë tona për të shtyrë më tej stabilitetin e sigurisë së dy vendeve tona dhe të gjithë sigurinë me të gjithë aleatët dhe nga ana kroate presim që ky bashkëpunim të jetë gjithmonë e më i suksesshëm.

Një zonë tjetër ku shohim interes është bashkëpunimi ekonomik. Pas dy muajsh do të kemi një takim të komisionit të përbashkët në Zagreb për bashkëpunimin ekonomik. Kemi dëshmuar një interes nga investitorët kroatë për bashkëpunim në këtë fushë por sigurisht ka shumë për të bërë. Përtej kësaj që sapo u tha, duhet bërë diçka dhe në tregjet e treta me diskutimet e drejtpërdrejta dhe me ministritë tona përkatëse. Sigurisht do t’a hapim më tej këtë sferë.

Për të bërë këtë gjë, ne do duhet që të hapim komunikimin nëpërmjet fushave të ndryshme për sa i përket komunikimit nëpërmjet rrugës së detit apo korridorit ajror si dhe në fushën e energjetikes. Korridoret Adriatik dhe Jonian janë korridore të rëndësishme për të lidhur bashkëpunimin. Kroacia ka ndërtuar një pjesë të madhe të korridorit të saj, të Jonit dhe Adriatikut.

Tani po ndërtojmë një urë të madhe, investim në të cilin do të marrim fonde strukturore të BE-së. Unë e di se Shqipëria është duke bërë gjithashtu një pjesë të punës. Nëse duam të bashkohemi më shumë dhe duam që komunikimi të jetë më i shpejtë, na duhet që të punojmë më shumë në ketë fushë.

Përsa i përket Integrimit Evropian, ne jemi aleatë dhe miq për Shqipërinë, për komunikimin që pati komisioni në lidhje me zgjerimin. Do donim të thonim që ka një dokument, pra për zgjerimin, sepse zgjerimi nuk është më siç ka qenë para 10 vitesh.

Ne besojmë që duhet sjellë përsëri në qendër të vëmendjes së BE-së. Ka vende në Evropën Lindore që janë në hapa të ndryshme. Ne duam t’i mbështesim të gjithë këto vende dhe besojmë që Shqipëria ka bërë goxha përparime këto dy vitet e fundit. Progresi është bërë në mënyre të tillë që e vetmja mënyre e besueshme përpara është që në raportimin për vendin, të jepet mbështetje për hapjen e negociatave me BE-në dhe Kroacia sigurisht që do t’a mbështesë me gjithë zemër këtë zhvillim.

Ministri Bushati përmendi mbështetjen që Kroacia po jep dhe mund të japë në të ardhmen. Ne jemi shumë të gatshëm për një gjë të tillë, si anëtari më i ri dhe më i fundit që ka qenë në procesin e negociatave. Sigurisht, procesi i negociatave bëhet gjithnjë e më kompleks.

Është e rëndësishme që të kemi miq dhe të ndajmë gjithçka me ta, duke përfshirë edhe përvojat e mira si dhe ato qe nuk ishin më të mirat. Kështu që, jam shumë e kënaqur që ekspertët kroatë ishin prezentë në Shqipëri dhe në të ardhmen, në kuadër të bashkëpunimit të shtuar, ne do të bëjmë ç’të mundemi, më të mirën, për t’a patur prezencën tonë në fusha të ndryshme, aty ku nevojitet.

Për sa i përket zgjerimit të projektit që u përmend, ne kemi detin që na lidh, kemi trepalëshin, tre vende pra të Adriatikut, kemi interes të përbashkët,  turizmin. Në rastin tonë, turizmi është 20% e GDP-s tonë dhe për momentin, është industria më e rëndësishme. Është duke u rritur. Vitin e shkuar patëm sezonin më të mirë të Kroacisë dhe do donim ta vazhdonim këtë. Shpresojmë që Shqipëria ka një potencial shumë të mirë. Ministri i Turizmit ishte me ne në takimet tona dhe shpresoj që së bashku të punojmë mbi këto gjera dhe të krijojmë sinergji e të shtratëzojmë potencialin që vjen nga tregjet.

Ne besojmë që lidhja do të ndihmojë që ne të zhvillojmë bashkëpunimin në këtë fushë. Në fakt, projekti që sapo firmosëm do të kryhet me UNDP-në në Shqipëri. Ka për qellim që të shënojë disa objektiva njëkohësisht.

Së pari, të ndihmojë në mbrojtjen e ambientit në fushën e detarisë sepse herë pas herë vihet re që ka ndotje të zonës së detit nga jugu në brigjet e Kroacisë.

Duke pasur parasysh, ajo që është avantazhi ynë në lidhje me industrinë e turizmit është pikërisht pastërtia e ambienteve të plazheve tona dhe ne duam t’a ruajmë këtë gjë. Sigurisht menaxhimi i ndotjes dhe mbrojtjes se ambientit është një zonë ku ndoshta për momentin shoqëria shqiptare nuk është shumë e fokusuar.

Do t’ju siguroja ama se, kur ne filluam negociatat, kjo fushë ishte pjesa më e gjatë ku Kroacia duhet të përmbushte të gjitha kërkesat gjatë periudhës tranzitore.

Për mbrojten e ujit për shembull, ku ne bëmë shumë investime, ne jemi aktivë edhe në Shqipëri nëpërmjet një projekti për këtë fushë ose do të ndihmojmë në këtë fushë. Mbrojtja e ujit ka nevojë për investime më të mëdha. Sa më shpejt të punoni mbi këtë fushë, aq më shpejt do të jeni të gatshëm. Është avantazh për të gjithë, jo vetëm ambienti apo uji i pastër, por i jep edhe një shtysë pozitive industrisë së turizmit.

Së fundmi, diskutuam dhe për rajonin juglindor. Ne ndajmë të njëjtat shqetësime, të njëjtat dëshira për këtë rajon. Ne besojmë se një qasje e balancuar dhe e mirë e të gjitha këtyre vendeve që duan të hyjnë në BE, duhet përkrahur dhe duhet vënë në praktikë nëpërmjet vendimeve të mëtejshme. Në këtë drejtim, do të doja ta falenderoja edhe njëherë zotin Bushati për ftesën. Do të thoja që ky është vetëm fillimi i bisedimeve. Në një fazë tjetër ne do të vazhdojë të flasim për zonat e ndryshme të bashkëpunimit. Kroacia është një mike e Shqipërisë dhe do të donim që kjo miqësi të zgjerohej në praktikë.

Pyetje nga gazetarët

Përshëndetje Merita Haklaj, TCH.

Për ministren e Jashtme kroate. Me kaq sa ju e njihni Shqipërinë dhe marrëdhëniet që keni me vendin tonë, duke pasur parasysh që Shqipëria ju ka model për integrimin evropian, a besoni në një rekomandim të qartë të komisionit evropian për hapjen e negociatave dhe për aftësitë bindëse të Shqipërisë për vendet anëtare për të marrë hapjen e negociatave?

Dhe për ju z. Bushati, në rast të një rekomandimi në prill, a keni planifikuar një fushatë lobimi në vendet kryesore, të paktën në vendet skeptike? Ju keni qenë në një pjesë të mirë të vendeve të Bashkimit Evropian, por e kam fjalën kryesisht për Gjermaninë, një vizitë të nivelit të lartë, për të bindur për ato çështje kryesore që janë çështje e shtetit ligjor apo çështje të tjera që janë kërkesa kryesore nga vendet e unionit.

Kam edhe një pyetje z. Bushati lidhur me marrëdhëniet me fqinjin jugor. A keni një datë kur kryeministri grek mund të arrijë në Tiranë dhe a keni pasur kontakte të tjera me Presidentin e Republikës lidhur me autorizimin për marrëveshjen e detit?

Përgjigje, ministrja Buric

Sigurisht që Kroacia do ta mbështesë nëpërmjet mbështetjeve të ndryshme, pikërisht Shqipërinë, pra nisjen e negociatave për Shqipërinë. Sigurisht që është në dorë të komisionit që t’a lëshojë këtë dokument muajin që vjen. Shpresojmë që komisioni do t’i konsiderojë përpjekjet e qeverisë shqiptare. Janë shumë përpjekje të mëdha. Unë mendoj se marrja me fusha të tilla si gjyqësori, sundimi ligjit, ca fusha të tjera që janë pjesë të kapitullit njëzetë e tre të gjyqësorit dhe të drejtat themelore, janë nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më të vështirë. Ky ishte kapitull i vështirë edhe për Kroacinë, kështu është edhe për Shqipërinë.

Sigurisht që jo çdo gjë mund të bëhet brenda një nate dhe prandaj përcaktimi i sekuencave dhe njohja e progresit të bërë është shumë i rëndësishëm dhe ne i përkasim atyre vendeve që besojmë se vendosja e sekuencave dhe teknologjia është shumë e rëndësishme. Në ketë aspekt, ne do të bëjmë maksimumin tonë për të ndikuar në Komisionin Evropian. Jo çdo vend anëtar ka të njëjtën ndjesi për këtë gjë. Ka pra miq të të zgjerimit, ka që janë diku në mes dhe ka nga ata që për arsye të ndryshme janë të tërhequr në lidhje me zgjerimin. Nga eksperienca jonë po ju them përsëri se ju duhet t’i bindni ato vende. Duhet të shkoni në kryeqytetet e këtyre vendeve, të shpjegoni  çfarë keni bërë dhe pse në kuadrin e gjerë ju duhet një tjetër hap për të ecur dhe për të kaluar në fazën tjetër. Unë jam shumë optimiste që kolegu im dhe anëtarë të tjerë të qeverisë janë duke e bërë tashmë këtë gjë dhe do të vazhdojnë t’a bëjnë këtë gjë.

Nga ana jonë mund të themi që do të bëjmë maksimumin tonë për të ndihmuar. Është shumë e rëndësishme nëse prisni që një vend të bëjë diçka, në të njëjtën kohë është shumë e vështirë të ecet përpara në fusha të tilla. Gjyqësori, problemet me gjyqësorin, siç e dini në vendet tona, në rajonin tonë, problemet nuk u krijuan brenda natës dhe zgjidhjet nuk zbatohen dot brenda natës. Kështu që kërkon kohë dhe mendoj që kjo është ajo që duhet kuptuar nga ana e shteteve anëtare të BE-së. Ajo që duhet kuptuar nga vendet potenciale kandidate është pikërisht të kuptojnë logjikën që në reforma duhet të ketë rezultate. Është e rëndësishme të ndiqen reformat dhe të bindni të tjerët për atë që keni bërë. Është edhe teknike, por edhe shumë politike, sepse ju duhet një shtytje politike për reformat, ndërkohë që jeni duke i kryer ato. Sa më të forta të jenë reformat, aq më shumë kapital politik ju duhet. Në mëngjes takova Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin Rama dhe duke folur me kolegun tim ministër mendoj që të gjithë e kuptojnë këtë gjë dhe kjo është e rëndësishme. Duhet të keni aktorët politikë mbrapa këtij procesi dhe ne e mbështesim projektin. Edhe për mua është e admirueshme ajo që ka arritur Shqipëria.

Përgjigje e minisitrit Bushati

Për sa i përket pritshmërive tona rreth raportit të Komisionit Evropian që do të publikohet për pak javë, më duhet të ritheksoj që në këtë proces, besoj se duhet të jemi të gjithë të qartë që ne nuk presim dhurata dhe as që bëhet fjalë për lëshime reciproke. Ne presim që në radhë të parë Komisioni Evropian dhe më pas vendet anëtare, t’i qëndrojnë besnik rekomandimit të 2016-së dhe logjikës së miratuar nga të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Evropian ku parashikohet fillimi i bisedimeve për anëtarësim i lidhur me procesin e Vettingut apo zbatimit të reformës në drejtësi.

Në këto dy vite, jo vetëm që ka vazhduar puna për kompletimin e paketës legjislative, krahas ndryshimeve Kushtetuese, por trupat e vettingut janë në punë, ka një ekspertizë ndërkombëtare që mbështet trupat e vettingut, gjyqtarë dhe prokurorë nga vendet e BE-së.

Është i vetmi vend në rajon dhe i vetmi vend që pret tryezën e bisedimeve që të ketë këtë përfshirje të ekspertizës ndërkombëtare, krahas punës që është bërë më komisionin e Venecias me shërbimet e Komisionit Evropian dhe me të gjithë vendet partnere dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në procesin e reformës.

Ka disa dorëheqje të niveleve më të larta, qoftë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që tregon që vettingu dhe procesi i vettingut i ka dhënë efektet e veta në praktikë dhe besojmë fuqishëm që duke u nisur nga këto reforma, Komisioni Evropian do të vijë me një rekomandim përsa i përket nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Por nuk mjaftohemi vetëm me kaq.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe përsa i përket intensifikimit të luftës kundër krimit të organizuar, sidomos jo thjesht me shfarosjen e bimës narkotike nga kultivimi i saj në territorin shqiptar, por edhe me disa operacione ndërkombëtare të suksesshme, të cilat janë ndërmarrë nga ana e policisë së shtetit dhe organeve të tjera ligj-zbatuese të Shqipërisë, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe përsa i përket konsolidimit të reformave dhe të gjitha akteve në fushën e Lirive dhe Të Drejtave Themelore të Njeriut. Prandaj është krejt legjitime, duke u nisur edhe nga filozofia e Strategjisë së Zgjerimit që ka publikuar Komisioni Evropian, ku kërkohet që vendet të kenë një strategji të qartë sesi ta reformojnë sistemin e drejtësisë. Tek rasti i Shqipërisë, ne kemi vite që nga momenti i strategjisë, kemi kaluar tek zbatimi i saj. A do të ketë takime të tjera dhe vizita të tjera të rangjeve të ndryshme, qoftë në Gjermani, Francë? Por me të gjitha vendet anëtarë të BE-së, ne do të kemi komunikim të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe, një komunikim i cili do të vijë duke u intensifikuar, edhe pas publikimit të raportit, duke qenë se do të ketë një samit në Sofje me fokus të veçantë Ballkanin Perëndimor dhe më pas do të jetë takimi i qershorit, apo samiti i qershorit.

Përsa i përket pyetjes së dytë, ka kohë që punohet për një vizitë në nivelin e kryeministrit grek në Shqipëri.

Nuk ka ende një datë apo afat të finalizuar për këtë gjë.

Vizita është e rëndësishme në vetvete, sepse presim që përmes kësaj vizite të shënohet një hap i ri pozitiv në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, por nga ana tjetër puna e përbashkët po vazhdon.

Siç e dini Greqia para pak ditësh, njoftoi tërheqjen nga rezerva e vulës apostille, çka i kursen shqiptareve që jetojnë dhe punojnë në Greqi rreth 6.7 milionë euro në vit. Në javët në vijim, do të kemi një tjetër lajm pozitiv për të cilin po punojnë ministritë respektive për sa përket njohjes së ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të automjeteve, një proces i cili gjithashtu do të çlirojë energji pozitive sidomos në fushën e shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve tona. Në nivelin e ekspertëve po punohet për të jetësuar të gjithë paketën e çështjeve për të cilat palët kanë rënë dakord që do të duhet të bisedohet dhe natyrisht, përsa i përket fillimit të bisedimeve për një marrëveshje të re për delimitimin e zonave detare, e kam fjalën këtu për detin territorial, për zonën ekskluzive ekonomike dhe shelfin ekomomik, ne jemi në kontakt të vazhdueshme me Presidentin e Republikës.

Siç e dini, Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion për çështje specifike të cilat shkojnë në disa raste edhe përtej fokusit dhe kompetencës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kemi kryer gjithë procesin e koordinimit edhe me institucionet e tjera dhe i kemi dorëzuar Presidentit gjithë informacionet që ai ka kërkuar.

Besoj që jemi afër momentit kur ekipi shqiptar të ulët në tryezë më ekipin grek me shpresën se do të arrijmë një marrëveshje të re në këtë fushë e cila besojmë se do të jetë një marrëveshje më e mirë, nuk diskutohet se ajo e 2009-ës, më e drejtë, me e ndershme dhe në fund të ditës, një marrëveshje që do të çlirojë energji pozitive në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.