Postuar më: 04 Maj 2017

Konferencë për shtyp e Ministrit Bushati dhe homologes suedeze Wallström

 

Mirëmbrëma të gjithëve,

E dashur Margot, mirë se erdhe në Shqipëri!

 

Është kënaqësi e veçantë për mua që t’ju mikprisja sot këtu në Tiranë. Aq më tepër që vizita juaj vjen pas një kohe relativisht të gjatë vizite të një kolegu suedez në Shqipëri. Dhe për hir të së vërtetës, duhet thënë që kjo vizitë përkon edhe me një dinamikë të përtërirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Dëshiroj gjithashtu t’ju përgëzoj publikisht dhe t’ju shpreh mirënjohjen tonë për ngritjen e nivelit të përfaqësimit diplomatik në Shqipëri, në një ambasadë e cila natyrisht vjen si shenjë vlerësimi jo vetëm për stadin e ri të marrëdhënieve tona, por besoj se nga ana tjetër do të forcojë marrëdhëniet tona dypalëshe në planin e zhvillimeve ekonomike, aq më tepër kur kemi një rritje të volumit tregtar vitin e kaluar, por besoj që do t’i shërbejë shumë edhe procesit që ne vlerësojmë të mbështetjes së marrë nga Suedia, krysisht në rrugën tonë të integrimit europian. E kam fjalën për ato reforma, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, kanë çelur rrugën europiane të Shqipërisë.

Unë pata gjithashtu mundësi që së bashku me kolegen Ëallstrom të diskutojmë jo vetëm për sa i përket ecurisë së reformave të shtet-ndërtimit demokratik, reformës në drejtësi, kur dihet që Suedia ka qenë një ndër vendet pararojë në mbështetje si për mbylljen e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, si për ratifikim e kësaj marrëveshje, statusin e vendit kandidat e deri te vendet mbështetëse për sa i përket rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Natyrisht ne patëm mundësi të shohim sot një ekspozitë për marrëdhëniet tona që datojnë nga 1920-ta dhe janë më të larmishme se konferencat e shtypit apo shkëmbimet e mesazheve që bëjmë në publik. Por mund të them që nuk është rastësi që drita jeshile e Shqipërisë i është dhënë qoftë për procesin e Stabilizim-Asocimit për marrëveshjen që në Samitin e Golloborgut ku Suedia ka luajtur një rol vendimtar, ashtu edhe në ditët e sotme ku me kënaqësi kemi konstatuar mbështetjen e plotë të Suedisë, të Ministres, të grupit të miqve, i organizuar për sa i përket hapjes së negociatave aponë mbështetje të procesit të negociatave me Shqipërinë. 

E kemi mbështetur dhe kemi besim dhe pritshmëri që Suedia do të jetë një anëtare aktive e Këshillit të Sigurimit, duke njohur jo thjesht eksperiencën suedeze por kemi pasur kënaqësi t’a shohim Suedinë si një anëtare në këtë tryezë të rëndësishme të vendimmarrjes ndërkombëtare  por dhe të përfitojmë nga mënyra dhe fushata e komunikimit se si Suedia arriti të fitojë këtë karrige të rëndësishme.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, ne patën një këmbim pikëpamjesh edhe për sa i përket situatës në rajon, të aktorëve të ndryshëm, ato që ne i konsiderojmë, si aktorë të tretë, krahas rrugës së qartë evropiane që kanë zgjedhur vendet tona dhe natyrisht për sa na takon ne, e vetmja rrugë mbetet procesi i integrimit evropian si kartëvizita me e mirë për të konsoliduar reformat që janë ndërmarrë këto vite dhe për të vazhduar më tej me procesin e hapjes së negociatave.

Ishte një kënaqësi dhe jam tejet i inkurajuar edhe nga mbështetja që morëm sot nga qeveria suedeze. Jo thjesht mbështetje politike por edhe mbështetje teknike për sa i përket sfidave në të cilat përballet jo thjesht Shqipëria por edhe rajoni dhe duke i ri-kaluar fjalën Margotit, dëshiroj të ri-konfirmoj dhe njëherë tjetër dhe të siguroj që Shqipëria vlerëson mjaft mbështetjen e Suedisë në të gjithë këto vite sikundër e konsiderojmë dhe çmojmë rolin e patjetërsueshëm të Suedisë, si një vend mik i Shqipërisë dhe si një vend mik i proceseve të zgjerimit që në këtë vend të Evropës përkthehen si procese të shtet ndërtimit dhe shtet konsolidimit demokratik.

Faleminderit dhe njëherë tjetër.

 

Margot Wallstrom: Faleminderit shumë.

Jam vërtet e kënaqur, që vizitoj Shqipërinë për herë të parë. Jam e kënaqur që ju koleg dhe mik më keni pritur me kaq përzemërsi pavarësisht që m’u desh aq shumë kohë për të ardhur këtu dhe për shkak të kësaj periudhe të gjatë që ka kaluar nga vizita e fundit në nivel ministerial.

Me kënaqësi e kam pritur këtë vizitë për të diskutuar të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen evropiane. Prej vitesh kemi parë siç e pamë dhe në këtë ekspozitë kaq të rëndësishme ku ka dhe dokumente që shërbejnë si provë, dëshmi e marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyera prej një kohe shumë të gjatë. Po kështu ne jemi dhe donatorët dypalësh më të mëdhenj për Shqipërinë.

Jemi absolutisht, plotësisht të angazhuar për integrimin e vazhdueshëm, për vazhdimin më saktë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e mbështesim vazhdimisht në agjendën tuaj për anëtarësimin në BE dhe besojmë se e ardhmja e Shqipërisë i përket anëtarësimit në Bashkim Europian. Ju e keni vendosur vetë hapin, ritmin e reformave, procesit të reformave dhe mundësisë për të ecur përpara sa i takon marrjes së vendimeve  të rëndësishme. Në fakt, ju meritoni të vlerësoheni për atë që keni bërë, për përpjekjet për reformat, të cilat i vazhdoni, sidomos progresi i vitit që shkoi në procesin e integrimit Europian si dhe miratimi i reformës së drejtësisë, të cilën ne e kuptojmë që nuk është detyrë e lehtë për t’u bërë por është shumë e rëndësishme në këtë frymë që është krijuar në mënyrë që të marrë fund kjo ndarje, kjo ndasi midis qeverisë dhe opozitës për të ecur përpara në procesin e integrimit Europian. Koha po ecën përpara prandaj shpresoj që situata të përmirësohet.

Na vjen keq për bojkotin që i bën parlamentit opozita dhe për këtë vendim që ata kanë marrë për zgjedhjet. Debati politik duhet të ndodhë në parlament, jo jashtë tij dhe për këtë arsye duhet shtuar gjithashtu që duhet respektuar dhe Kushtetuta. Shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të drejta në përmbushje të standarteve zgjedhore dhe me pjesëmarrjen e plotë të opozitës.

Marrëdhëniet e mira, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ishin një temë tjetër për të cilën ne diskutuam. Janë të rëndësishme për një Ballkan Perëndimor ku mbizotëron paqja dhe stabiliteti. Është e rëndësishme që vendi juaj vazhdon të luaj një rol konstruktiv në rajon, në përputhje me nismat e stabilitetit në rajon dhe në këtë aspect, integrimi Europian dhe procesi i Berlinit janë instrumenta të rëndësishme. Ne gjithashtu  cekëm edhe ide të tjera se si t’a thellojmë bashkëpunimin në të ardhmen.

Admiroj popullsinë në moshë të re të vendit tuaj, besoj se këta të rinj dëshirojnë dhe meritojnë një të ardhme, e cila të jetë e shkëlqyer dhe e begatë. Përmes thellimit të reformave dhe zhvillimit demokratik do të jemi në gjendje që t’a realizojmë këtë gjë  në vendin tuaj  të bukur.

Ju falenderoj dhe një herë që më pritët, ju uroj më të mirat në këto kohë të vështira.