Postuar më: 17 Prill 2017

Konferencë për shtyp e Ministrit Bushati dhe homologut të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Bert Koenders

Ministri Bushati:

Mirëmëngjes,

I nderuar Bert, 

I dashur zoti Ministër i Punëve të Jashtme të Holandës, Koenders.

Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot jeni në Tiranë, sepse edhe takimi ynë ishte një mundësi e mirë për të rikonfirmuar marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Holandës, si kundër edhe ishte një mundësi e mirë për të rishprehur dhe rikonfirmuar angazhimin tonë për ta intensifikuar më tej këtë bashkëpunim. 

Periudhën e fundit Shqipëria ka njohur një rritje të prezencës së kompanive dhe investitorëve holandezë në Shqipëri, çka shprehet dhe në rritjen prej 30% të investimeve, krahasuar me një vit më parë dhe këtu kryesisht dëshiroj t’i referohem dy prej kompanive të njohura “Shell” dhe “Gazine” që operojnë në vendin tonë.

Gjatë bisedës me mikun dhe homologun holandez Koenders, pata mundësi për ta siguruar për angazhimin e qeverisë shqiptare, për të vijuar më tej me zbatimin e reformave që kanë për synim përkthimin e sundimit  të së drejtës në ekonomi, për të krijuar kësisoj një ambient sa më tërheqës për investitorët e huaj. Natyrisht që ne vijojmë të kemi një ambient ende të pashfrytëzuar plotësisht përsa i përket investimeve dhe turizmit dhe në këtë kontekst, kemi kënaqësinë sot së bashku me ministrin Koenders për të ndarë me ju një lajm pozitiv. Duke filluar nga 10 Maj 2017, kompania “Transavia” do të fluturojë tre herë në javë nga Amsterdami në Tiranë me një kosto të ulët. Pra, shpresojmë se do të stimulojë më tej industrinë e turizmit dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve tona. Pata mundësinë sot gjithashtu t’i shpreh gjithë mirënjohjen në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar, qeverisë holandeze dhe popullit holandez për mbështetjen e pakursyer që Holanda ka dhënë në procesin e reformave, kryesisht në reformën në drejtësi, kur dihet që misioni i Bashkimit Europian, i cili ka asistuar nga afër për këtë proces, ka qenë një konsorcium dhe një projekt i tre shteteve anëtare të BE-së, Gjermanisë, Holandës dhe Austrisë. 

Me zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke marrë parasysh këtu jo thjesht rekomandimin e Komisionit Europian, për çeljen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, por edhe mbështetjen që i kanë dhënë vendet anëtare të BE-së, përshi Holandën kësaj përqasjeje të Komisionit, që ulja në tryezë e bisedimeve të Shqipërisë do të bëhet në momentin që ne të kemi rezultate konkrete për sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi, kam parasysh këtu ligjin për Vettingun dhe natyrisht fusha të tjera të sundimit të së drejtës që kanë një lidhje të drejtpërdrejte nga zbatimi i reformës në drejtësi.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj ministrin Koenders për shikimin e tij të kthjellët për sa i përket rëndësisë strategjike që ka procesi i konsolidimit të projektit europian në këtë kënd të Europës. E kam fjalën për Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë në veçanti. Kur i referohem, kam parasysh kryesisht seancat në parlamentin holandez dhe qëndrimet e qarta të qeverisë holandeze, të Komisionit të Çështjeve Europiane në mbështetje të rrugës së vështirë të reformave që ne kemi ndërmarrë. Çështja e fundit, për të cilën ne patëm mundësi të diskutojmë sot, krahas rishikimit të stadit aktual të marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjes që na jep Holanda  në procesin e integrimit Europian dhe në procesin e vështirë të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të së drejtës, ishin edhe çështjet që kanë lidhje me zhvillimet e fundit në rajon, me ambientin e sigurisë ku natyrisht Shqipëria ka një rol të rëndësishëm edhe për shkak të faktit që është një vend anëtar i NATO-s, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe një vend i cili vijimësisht është përpjekur për të influencuar në mënyrë paqësore dhe në mënyrë sa më demokratike zhvillimet pozitive në rajon. 

Faleminderit për vëmendjen. 

 

Faleminderit shumë, e falënderoj shumë z. Ministër 

Është kënaqësi e posaçme për mua dhe nder i veçantë të jem këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, së pari më lejoni të theksoj edhe një herë dhe t’iu transmetoj le të themi ndjenjën e miqësisë së holandezëve në Shqipëri, është një ditë e veçantë në fakt është dita e dytë e pashkëve sot siç e quajmë ne në vendin tonë është një ditë shumë e mirë për të konsoliduar edhe një herë marrëdhëniet tona. 

Faleminderit për mirëpritjen e veçantë, më duhet të them që ne kemi një marrëdhënie goxha të gjatë dhe të veçantë ndërmjet të dy vendeve. Së pari më lejoni të them që operacioni i parë paqeruajtës ka ndodhur pothuajse shumë vite më përpara këtu në Shqipëri një shekull të shkuar dhe më lejoni të them që është një kënaqësi për mua që  kthehem sërish në këtë vend të mrekullueshëm.
 
Kam vizituar Shqipërinë në vitin 1991 në zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri ndërkohe që kam qenë dëshmitar i zhvillimeve që janë bërë në Shqipëri pra kam qenë dëshmitar i proceseve integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. 

Kam pasur një takim shumë të frytshëm me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Më lejoni të them pikë së pari që jam shumë i lumtur me marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet vendeve tona, e kam fjalën këtu për marrëdhënien bilaterale në fusha të shumta. Për shembull me të drejtë Ditmiri tha që Holanda është investitori i dytë në këtë vend dhe mund ta zgjerojë më tej mbështetjen tonë dhe mund të ofrojmë më tepër mbështetje për sa i përket partneriteteve ekonomike, po flasim për Shell-in dhe Gasunie.

Ndërkohë që kemi edhe fusha të tjera për shembull në fushën e veshjeve në fushën e modës ku mendoj që do të bëjmë më tepër përparime ashtu siç kemi kontribuar edhe ne fushën e ujërave edhe në fushën bujqësore. 

Mendoj që gjithmonë e më tepër ne e gjejmë vetën në fusha të tilla si për shembull turizmi dhe e thatë me të drejtë Ditmir që duke filluar prej muajit që vjen do të ketë një kompani e cila do të zhvillojë fluturimet direkte nga Amsterdami në Tiranë gjë e cila do të japë mundësi që ne të bashkëpunojmë në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera. 

Kemi po ashtu edhe një bashkëpunim shumë të mirë me forume ndërkombëtare duke përfshirë këtu edhe luftën kundër radikalizmit, luftën kundër ISIS-it. Jemi të lumtur që kemi qenë dhe që kemi pasur mundësinë që kemi qenë pjesë me Shqipërinë në misionin e parë detar në nëntor që ka qenë një mision goxha i suksesshëm dhe mezi presim që të shikojmë e të vijohet më tej me intensitetin e marrëdhënieve në muajt dhe në vitet në vijim. Holanda e mbështet perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe mbështesim perspektivën e komisionit Europian.

E mbështesim perspektiven e Komisionit Europian. Mendojmë që Shqipëria ka marre hapa të mira për miratuar reformën legjislative që është pjesë e kësaj perspektive po punojmë bashkërisht për këtë gjë në fushat përkatëse dhe Ditmir do të doja të theksoja edhe një herë rëndësinë dhe mbështetjen për reformën në drejtësi në vend dhe pushtetin e së drejtës në Shqipëri. 

Vitin që shkoi parlamenti shqiptar miratoi në mënyrë unanime ndryshimet kushtetuese që duhet të shohin përmirësimin e shtetit të së drejtës dhe mendoj që tashme ka ardhur koha që të gjitha këto ndryshime të mund të fillojnë nga zbatimi. 

Progresi i bërë në këto pesë fusha dhe zbatimi në hapat pasardhëse kështu që mendoj që edhe zgjedhjet në vijim janë padiskutim çështje e brendshme, nuk dua të ndërhyjë në këtë gjë, megjithatë mendoj që është e rëndësishme që të ketë dialog politik, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme edhe është e rëndësishme që të bëni progres edhe në procesin e vettingut, gjë e cila është shumë  e rëndësishme dhe jemi plotësisht në mbështetje të qeverise ne këtë fushë. 

Më lejoni të them në fund, se në fund thuhet zakonisht që holandezet janë strikt përsa i përket procesit dhe mbështetjes në Bashkimin Europian, janë strikt dhe të barabartë dhe neve e mbështesim fort mbështetjen e reformës ne drejtësi qe është bere deri tani. 
Në takimin bilateral kemi folur edhe për rajonin, kemi folur gjithashtu edhe për marrëdhëniet  me Bashkimin Europian me ndryshimet qe po ndodhin ne Bashkimin Europian, sepse po na largohet siç e dimë një ndër anëtarët shumë të rëndësishëm të Bashkimit Europian pra Mbretëria e Bashkua gjë e cila do te çojë në ndryshime në funksionimin tonë. Më lejoni të them që mezi pres të shikoj intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe mezi pres që të shikoj progresin e integrimit në Evropë dhe reformën në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. 
Faleminderit që më dhatë mundësinë që të bisedojë me juve dhe faleminderit për mundësinë që më është dhënë për të diskutuar me kolegë të tjerë në Shqipëri. 


Pyetje nga gazetarët.

Pyetje për Koenders: Zoti ministër, ju, them Holanda njihet si një nga mbështetëset e reformës në drejtësi dhe ju e thatë dhe gjatë fjalës tuaj që është një pikë e rëndësishme. Por si e shikoni situatën aktuale ku le të themi se, procesi i vettingut është i bllokuar për shkak të bojkotit të opozitës e cila prej gati dy muajsh ka bojkotuar parlamentin dhe është në çadër dhe kërkon një qeveri teknike. Edhe pse ju thatë që nuk do ndërhyni në punët e brendshme, cili është komenti juaj për këtë situate dhe si mund të dali Shqipëria nga kjo situatë?

 Më lejoni të them diçka përsa i përket vettingut, sepse siç e thatë edhe ju nuk më takon mua që të bëjë gjykime në kuadër të partive politike, megjithatë më lejoni të them që siç e dimë të gjithë, të gjitha partitë politike kanë miratuar në mënyrë unanime të gjitha vendimet kushtetuese. Mendoj se reforma në drejtësi është, absolutisht shumë e rëndësishme, përsa i përket integrimit në  strukturën europiane, kështu që sipas mendimit tim, ka ardhur koha tashmë që ndryshime të tilla të vihen në praktikë, pra padiskutim ekziston një emergjencë për ta bërë këtë gjë dhe këtë gjithsesi do të doja t’ia lija faktorëve kryesor përkatës. 

Në seancën e fundit parlamentare, ju patët një qëndrim, le të themi goxha të ashpër kundrejt opozitës lidhur me qëndrimin e Mogherinit dhe komisionerit Han, për përgjigjen rreth çadrës. Po ashtu patët dhe akuza për opozitën, për sulmin ndaj ambasadorit amerikan dhe ambasadorëve të tjerë të vendeve partnere. Ka pasur realisht reagime nga ndërkombëtarët lidhur me këto sulme?

Unë e kam mbështetur me gjithë zemër qëndrimin e përbashkët të Zëvendës Presidentit të Bashkimit Europian dhe shefes së Politikës së Jashtme Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Han për sa i përket zgjatimit të Reformës në Drejtësi dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme, ndërprerjen e bojkotit nga ana e opozitës dhe rikthimit në jetën parlamentare dhe natyrisht kam përshëndetur të gjithë angazhimin e tyre për të na inkurajuar të gjithëve që së bashku me OSBE-ODHIR që të adresojmë rekomandimet e këtij institucioni të specializuar për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve në mënyrë që shqiptarët më 18 Qershor të kenë zgjedhje realisht të drejta, të lira, të ndershme dhe demokratike.

Së dyti, kam theksuar vijimësisht nga foltorja e Ministrit të Jashtëm por jo vetëm, që politika shqiptare duhet të ndahet nga tradita e mbrapshtë e komentimit apo ankesave ndaj përfaqësuesve të shteteve të ndryshme në Shqipëri, përfshirë këtu edhe deklarimet që janë bërë nga opozita për përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ambasadorit amerikan, apo ambasadorëve të tjerë, të cilët, sipas tyre, ishin të përfshirë në një komplot ndërkombëtar me qeverinë shqiptare.

Mendoj që askush  s’duhet të humbasë kohë. Shqiptarët kanë folur. 93 % e tyre kërkojnë fillimin e zbatimit të Reformës së Drejtësisë. Vetë opozita ka firmosur dhe ka miratuar me ne, në 21 korrik të vitit të kaluar ndryshimet kushtetuese që për nga numri i votave që morëm, do t’i kishte zili çdo parlament, 140 për 140. Dhe tanimë është koha që  t’i japim jetë procesit të Vettingut dhe  amendamenteve Kushtetuese për gjyqësorin, sepse pas zgjedhjeve të drejta dhe të lira, duhet ti tregojmë në tavolinën e  parterëve tanë që na kanë mbështetur vazhdimisht në procesin e reformave, që Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në procesin e Vetingut dhe është gati të hapë negociatat me BE-në. 

Pyetje për Koenders: Së pari, kam një pyetje për ministrin Koenders dhe më pas për ministrin Bushati. Z. Koenders ka pasur shumë shqiptarë, të cilët janë kapur në portet holandeze në përpjekjet e tyre për të kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet Holandës në Britani. Kjo është e rrezikshme për shqiptarët por gjithashtu çon edhe në shumë dëme ekonomike. A mendoni që ky problem ka dëmtuar imazhin  e shqiptarëve dhe a mendoni që qeveria shqiptare mund të bëjë më tepër për këtë çështje?

Dua që thelbin ta vë tek pyetja e mëparshme. Është në interesin e Holandës dhe Bashkimit Europian që ndryshimet kushtetuese të cilat janë votuar me unanimitet të mund të shikojnë dritë, të mund të zbatohen tashmë. Kështu që do doja t’ju bëja thirrje të gjitha partive në këtë vend që të rrisni nivelet e ambicies dhe të përshpejtojmë të gjithë proceset. Sepse njerëzit po presin për  ndryshimet të tilla që po ndodhin, po presin që të realizohet reforma në drejtësi. Kështu që vërtetë do doja ta theksoja rëndësinë shumë të madhe të procesit. Siç e thashë, Holanda dhe të gjitha vendet e tjera janë strikt dhe të drejta por është absolutisht shumë e rëndësishme që procese të tilla të mund të zhvillohen pasi edhe shqiptarët duan t’i shohin të realizuar reforma të tilla. Përsa i përket azilkërkuesve shqiptarë, më lejoni të theksoj dy gjëra kryesore. Së pari, holandezët janë të mirëpritur tek neve. Janë të mirëpritur për turizmin, për të punuar por është e qartë që vendi juaj nuk është në një pozitë të tillë që, le të themi, të jeni azilkërkues në Holandë.  Azilkërkuesit shqiptarë nuk mirëpriten dhe jo vetëm kaq ,por edhe dekurajohen sepse nuk jeni në statusin për të kërkuar azil. Kështu që ne nuk pranojmë azilkërkuesit dhe nuk ka asnjë shans që ju dilni e të kërkoni azil tek ne. Pa diskutim që jeni të mirëpritur të vini si turistë. Dhe mendoj që nuk është ide e mirë që te vini e të kërkoni azil. Ne punojmë shumë mirë me Shqipërinë përsa i përket kësaj qasje dhe kemi absolutisht të njëjtin qëndrim për këtë gjë. Nuk mendojmë që azilkërkuesit mund të kenë një status të pranishëm tek neve pasi ky vend përbën goxha progres.

Pyetje për Bushati. Ministër Bushati, kam dhe një pyetje për ju: Çfarë mund të bëjë Shqipëria konkretisht për parandalimin e klandestinëve shqiptarë që tentojnë të ikin drejt Anglisë?

Së pari, dëshiroj të them që sot kam nderin të kem mik ministrin e Jashtëm të Holandës, dhe jo Boris Johnson, por për shkak të profesionit të nderuar të gazetarit dhe Ora News-it që përfaqëson po përpiqem, duke të thënë që Shqipëria, ka një qëndrim të qartë në lidhje me këtë fenomen, i cili për hir të së vërtetës, nuk është një fenomen shqiptar, por ka prekur edhe vende të tjera të rajonit, por jo vetëm. 
Së pari, duke bashkëpunuar në fushën policore me autoritetet e vendeve të cilat janë prekur nga ky fenomen dhe siç e tha dhe ministri Koenders, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Holandës, për shembull, ka qenë një bashkëpunim shembullor, ç’ka demonstrohet edhe tek shifrat, në rast se krahasojmë 2015 me 2017. Të njëjtën gjë kemi bërë me autoritetet gjermane. 

Kjo është diçka që e kam thënë edhe në të shkuarën, në fillim ka pasur një keqinformim dhe keqkuptim mbi liritë e Bashkimit Evropian dhe statusit të vendeve tona për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen. Pas kësaj, masa u morën nga ana institucionale lë lidhje me bashkëpunimin policor dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Të gjithë ne kemi ndërmarrë një bashkëpunim dhe fushatë informuese përfshirë autoritet ligjore. Këtë dua të përshijë kontrollin paraprak që nuk është një faktor i vogël, në momentin kur qytetarët tanë udhëtojnë jashtë atdheut dhe kur ka dyshime të arsyeshme që një qytetar mund të keqpërdorë këtë liri dhe mund të qëndrojë në mënyrë te parregullt brenda hapësirës Shengen.

Edhe për sa i përket rastit që ju referoni me Mbretërinë e Bashkuar, ka një bashkëpunim të shkëlqyer policor në këtë proces, një bashkëpunim që është konfirmuar këtu, në të njëjtën sallë, nga Philip Hammond, në atë kohë Sekretar Shteti i Britanisë dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite mbi bazat e përditshme.

Pyetje për Koenders: Një koment për referendumin turk.

Për mua është ende herët për të dhënë një përgjigje për këtë gjë, do të ketë një reagim të OSBE-ODHIR në atë vend dhe do të duhet të shikohet pak më tepër rreth realizimit të zgjedhjeve. Duket se aktualisht ka një shumicë të pakët, ka një ndryshim shumë të vogël për sa i përket ndryshimeve Kushtetuese. Kemi disa shqetësime për sa i përket këtyre ndryshimeve megjithatë një koment të vërtetë nuk mund t’ju jap tani. Na duhet pak më shumë qartësi për procesin, ndoshta gjatë ditës mund të shprehemi.