Postuar më: 17 Prill 2017

Konferencë për shtyp e Ministrit Bushati dhe homologut të Republikës Federale Gjermane, Sigmar Gabriel

Përshëndetje të gjithëve,

I nderuar ministër i Jashtëm i Gjermanisë,

I dashur Sigmar,


Është kënaqësi e veçantë për mua që t’ju mikëpres sot në Tiranë dhe të kishim një bashkëbisedim të frytshëm për një gamë të gjerë çështjesh mbi të cilat është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe ndërveprimi midis dy vendeve tona. Gjithë besoj këtu në Shqipëri jemi koshient për cilësinë dhe dinamikën e veçantë që kemi arritur ditët e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, çka vërtetohet jo thjeshtë në shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik, por para së gjithash mbi një dinamikë të re, përsa i përket bashkëpunimit politik dhe vizitave e kontakteve të zhvilluara gjatë këtyre dy viteve. I shpreha të gjithë mirënjohjen në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar mikut, Sigmar Gabriel, për mbështetjen e pakursyer që na ka dhënë Gjermania, populli dhe qeveria gjermane, në vijimësi, sidomos në rrugën e vështirë të reformave shtet konsiliduese dhe e kam fjalën kryesisht për ato reforma që cënojnë, përmirësojnë cilësisht sundimin e së drejtës në ekonomi, por edhe reforma të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë përsa i përket krijimit të një mjedisi edhe më të mirë edhe më të sigurt për të zhvilluar biznes në Shqipëri. Pata mundësi gjithashtu që të shkëmbejmë me ministrin Gabriel pikat tona të vështrimit për situatën e fundit mbi të cilën po kalon mjedisi i sigurisë në Ballkanin Perëndimor edhe në kushtet kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi një administratë të re, por edhe në kushtet kur vetë Bashkimi Europian po përballet me disa sfida të cilat kërkojnë përgjigje. Mban pikëpamjen që procesi i Berlinit e ka rigjallëruar bashkëpunimin rajonal dhe mënyrën se si bashkëveprojnë vendet tona me vendet anëtare të Bashkimit Europian, që janë pjesë e procesit të Berlinit duke theksuar gjithashtu nevojën për intensifikimin e projekteve konkrete të infrastrukturës, të energjisë, projekteve konkrete në fushën e turizmit që do finalizonin  më tej situatën ekonomike në rajonin tonë dhe që do të krijonin natyrisht edhe një perspektiv  më të mirë për gjeneratën e re.

E informova kolegun gjerman në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri, përsa i përket sidomos sfidat me të cilat po përballemi  në procesin e zbatimit të reformës në drejtësi  dhe me kryesisht ligjit të vettingut, të cilit Gjermania, së bashku me Austrinë e Holandën ka qenë në projektin asistues të komisionit të reformës në drejtësi. Ndaj dëshiroj të shpreh edhe njëherë falënderimet jo thjesht për mbështetjen politike por edhe për financimin e taksapaguesve gjermanë për projektet në fushën e drejtësisë dhe projektet në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi, ekspertizën e kualifikuar gjermane që na ka shoqëruar në këtë proces. Gjithashtu, dëshiroj që në emër të qeverisë shqiptare të siguroj qeverinë gjermane që ne do të vijojmë me të njëjtin vullnet, do të shikojmë përpara jo përsa i përket startimit të reformës në drejtësi sepse e konsiderojmë këtë një prej gurëve më të rëndësishëm të themelit në procesin e shtet-konsolidimit dhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për ne, respektimi i demokracisë dhe rregullave të saj, funksionimi normal institucional, zhvillimi i debateve brenda institucioneve legjitime janë elementet thelbësore për vijimin e reformave shtet-konsoliduese. Ndaj më lejoni që pa humbur kohë t’ia kalojë fjalën mikut tim Sigmar Gabriel. 
Faleminderit!

Ministri gjerman Sigmar Gabriel : 

Sigurisht e dimë që mbetet shumë për të bërë këtu në Shqipëri para së gjithash bëhet fjalë për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Sepse, nëse Evropa, nëse ka diçka që e dallon Evropën dhe Bashkimin Evropian prej pjesës tjetër të botës kjo është realizimi dhe zbatimi strikt i rregullave dhe i Kushtetutës. Kjo nuk është thjesht një ide, ne fund të fundit përmes kësaj rruge do të duhet të garantohet që njerëzit në Evropë, që jetojnë në Evropë të jenë të sigurt dhe që nuk janë objekt i lojës së interesave. Në të shkuarën jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjithë rajonin interest e qytetarëve nuk kanë qenë domosdoshmërisht në qendër të vëmendjes së politikës, ata kishin interesat e tyre, interesa elitash, interesa partish politike, dhe është pikërisht shteti ligjor ai që do të duhet të sigurojë dhe të garantojë që në fund të ditës në qendër të vëmendjes do të qëndrojnë interesat e qytetarëve dhe jo ato të politikave të vogla apo të grupeve të ndryshme që kërkojnë të shfrytëzojnë atë çka ofron një vend. Për këtë arsye, ne kemi qenë shumë të gëzuar që në parlament, në parlamentin Shqiptar, me konsensusin e qeverisë dhe të opozitës u mundësua pikërisht miratimi i ligjeve të rëndësishme. Dhe tani, për fat të keq, me shqetësim të madh më duhet të them edhe pa e kuptuar mjaft mirë shikojmë dhe konstatojmë që Reforma e Drejtësisë është duke u penguar. Askush në Evropë kam përshtypjen, nuk e kupton si duhet këtë, pikërisht faktin që parlamentarët e zgjedhur bojkotojnë parlamentin. Në vendin tim dhe në Evropë kjo është diçka plotësisht absurde, që parlamentarët, deputetët e zgjedhur refuzojnë të bëjnë punën e tyre në parlament dhe në vend të kësaj ata mblidhen në çadër duke realizuar një lloj opozite përkundrejt parlamentit anëtarë të cilit ata vetë janë. Kjo është një rrethanë të cilën ne nuk mundim dhe nuk duam ta pranojmë dhe është absurde edhe për shkak se pas pak javësh do të kemi zgjedhjet në Shqipëri, dhe në rastin më normal do të ishte që nëse deputetët nuk janë të kënaqur me atë çka realizon një qeveri ta anatemojnë këtë në kuadër të fushatave elektorale. Cili është parimi bazë i një Demokracie? Ai është që në bazën e ligjeve të vlefshme dhe të Kushtetutës pakicat të mund të pranojnë shumicat. Pse? Sepse , ne të ardhmen do të kenë vetë shansin për tu shndërruar në një shumicë, duke i  ndryshuar kësisoj ligjet më pas. Pra, thelbi është të respektojmë Kushtetutën, të respektojmë shumicat edhe nëse jemi pjesë e një pakice të caktuar. Sepse në Demokraci, pikërisht mbi bazën e kushtetutës do të mund të punohet për tu shndërruar vetë në një shumicë, sikurse ishte rasti i qeverisë së tanishme që deri para pak kohësh ka qenë një pakicë dhe pikërisht këtë kërkojmë të mbështesim në ato shtete të cilat kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Ajo ç’ka është e paimagjinueshme është që një pakicë nuk përpiqet të ndryshojë gjendjen përmes zgjedhjeve por përmes bojkotit të parlamentit. Kësisoj lind edhe përshtypja që ka një farë frike lidhur me zbatim e Reformës në Drejtësi dhe që në të ardhmen nuk do të mundim kësisoj të ndjekin interesat e tyre sikur mund të ketë qenë rasti në të shkuarën. Ndaj për ne është mjaft e rëndësishme se mbi bazën e Kushtetutës së vlefshme dhe të ligjeve të vlefshme të zbatohet reforma në sistemin e drejtësisë.

Në këtë formë lind edhe përshtypja që ka një farë frike lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi dhe që në të ardhmen nuk do të mundin të ndjekin interesat e tyre sikurse mund të ketë qenë rasti në të shkuarën. Ndaj për ne, është mjaft e rëndësishme që mbi bazën e Kushtetutës së vlefshme dhe të ligjeve të vlefshme të zbatohet reforma në sistemin e drejtësisë dhe së dyti, ne apelojmë si qeverinë, ashtu edhe parlamentin që të punojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjeve të vlefshme për zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këtë gjë do ta përcjellim si mesazh edhe kundrejt përfaqësuesve të opozitës. Qeveria Federale, Kancelaria Federale janë të bindjes që bojkoti i parlamentit nuk është një rrugë e pranueshme për të shprehur vullnetin. Pati një letër të partnerëve në koalicionin qeveritar, unë vetë jam social-demokrat por edhe partnerët tanë nga CDUCSU-ja kanë shkruar një letër drejtuar opozitës së këtushme, sikurse dhe një pjesë e madhe e partive popullore europiane kanë apeluar për të mos bllokuar reformën e drejtësisë në vend. Një politikë që përpiqet të pengojë pikërisht këtë, largohet nga Europa dhe më lejoni të bëj një pyetje: Çfarë është më e rëndësishme, interesi i vendit dhe i popullsisë dhe i përfaqësimit të tyre apo interesat e partisë politike? Dhe në pozicione vendimtare pikërisht këtu dallohen burrat dhe gratë e shtetit, prej shumë atyre të tjerëve të angazhuar në politikë, pikërisht përmes faktit që në qendër të vëmendjes së punës së tyre vendosin interesat e qytetarëve dhe qytetareve dhe mendoj që interesi i qytetarëve shqiptarë është pikërisht shteti i së drejtës, vendosja e tij në qendër të vëmendjes dhe jo interesi i grupimeve më të vogla. Pikërisht kjo do të jetë e rëndësishme dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona për të bindur opozitën që të mbërrihet në zgjedhje të rregullta, në një qeveri të re , çka mendoj që është elementi i çdo demokracie dhe i debateve midis një qeverie dhe një opozite. Gjithsesi unë mendoj që Europa mund të bëjë shumë më tepër për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të bëjë më tepër. Ne e dimë që rruga drejt bashkimit për tu bërë krejtësisht anëtarë të Bashkimit Europian do të kërkoj pak kohë sepse kërkohen hapa të caktuar dhe reforma të caktuara, por ndërkohë, për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, Europa mund të bëjë shumë më tepër për t’i përmirësuar kushtet e qytetarëve të Shqipërisë. Procesi i Berlinit nisi me një farë euforie e cila ndërkohë sikur ka rënë disi, do të vijojë Konferenca e Triestes, konstatohet një farë ngadalësimi i ritmeve. Nuk mund të shpjegohet pse projekte të caktuara ku rrjetet energjetike të vendeve të ndryshme të këtij rajoni do të duhet të lidheshin me njëri tjetrin, nuk ecin përpara ashtu si duhet apo ato të infrastrukturës. Shpesh herë këtu luajnë rol interesat e grupimeve të caktuara, por mendoj që strukturat e Bashkimit Europian dhe strukturat qeveritare do të duhet të bënin më shumë për përshpejtimin e këtyre projekteve. Nëse duam që hapat e procesit në integrimin europian të mund të ndërmerren sa më shpejt që të jetë e mundshme sikurse është përmirësimi i kushteve ekonomike, i arsimit etj. dhe pikërisht për këtë qëllim ne si qeveri federale duam që të angazhohemi më fort në të ardhmen në bashkëpunimin e politikës në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Por, si europianë, ne duhet të jemi në gjendje ta mbështesim deri në momentin e integrimit në BE duke bërë të mundur që kushtet e jetesës mund të përmirësohen.

Faleminderit. 

 

Pyetje nga gazetarët.

Pyetje. Një pyetje për ministrin Gabriel. Zoti ministër, kreu i opozitës Lulzim Basha ka aluduar se ka një komplot ndërkombëtarësh kundër opozitës dhe zgjedhjeve. Cili është komenti juaj për këtë gjë dhe çfarë ndodh në fakt nëse opozita vendos mos të futet në zgjedhje, çfarë i ndodh Shqipërisë?

Përgjigje: Më lejoni që me gjithë respektin, në momentin që vjen, në rajon, kur nuk gjendet një rrugëzgjidhje, zakonisht shpiken këto teoritë e komplotit. Kjo nuk është diçka e veçantë. Në fund të fundit kjo tregon që mungojnë argumentet e vërtetë. Çdo qytetar në Shqipëri mund të pyesë pse duhet që komuniteti ndërkombëtar të ketë interes për të ndryshuar  ligjet dhe Kushtetutën në Shqipëri. Çfarë interesi kishte një komunitet ndërkombëtar për të penguar luftën ndaj korrupsionit? Cili është interesi i ndërkombëtarëve të pengojnë që 800 gjykatës dhe prokurorë të verifikohen nëse ato mund të ushtrojnë siç duhet detyrën e tyre? Cili do të ishte interesi në këtë mes? Shumë shpejt do të arrinit në rezultatin se nuk ka asnjë lloj interesi, e pse do të duhet të  kishin një interes? Ka diçka tjetër. Gjithsecili do të duhej ta mendonte këtë. Në fakt ka paragjykime përkundrejt Shqipërisë dhe ajo çka opozita është duke bërë në Shqipëri konfirmon në një farë mënyre paragjykimet e shumë njerëzve jashtë këtij vendi përkundrejt Shqipërisë, madje do të thoja se kush bojkoton parlamentin për të penguar në një farë mënyre reformën në sistemin e drejtësisë i bën dëm vendit dhe i bën dëm reputacionit të Shqipërisë. Ndaj këshilla ime do të ishte të gjendeshin dhe të kërkoheshin rrugë për të lënë rrugën e bojkotit dhe për të mbërritur në zgjidhje. Askush në Gjermani apo në vende të tjera të Evropës nuk e kupton se pse pak para zgjedhjeve kërkohet dorëheqja e një qeverie dhe vendosja e një qeverie teknike, që në një farë mënyre kërkohet shpërbërja e qeverisë aktuale. Që opozita nuk e dëshiron këtë qeveri në pushtet kjo është diçka normale por, në këtë pikë është e pakuptueshme. Ndaj kush dëshiron që të shkojë i sigurt në rrugën drejt Bashkimit Evropian si vend, do duhej të punonte që të forcoheshin, konsolidoheshin ligjet, kushtetuta, rruga e parlamentit dhe kush nuk e bën këtë e largon Shqipërinë nga Bashkimi Evropian. Dhe jam shumë i sigurt që ky nuk është interesi i qytetarëve të vendit. Ata duhet të vendosin se kush duhet të qeverisë vendin. Nuk është vendimi ynë, kjo është vendimmarrja e shqiptarëve se cilën parti ata zgjedhin, po minimi dhe sabotimi në një farë mënyre i shtetit ligjor për ne, kjo nuk është në interesin e Bashkimit Evropian apo të Gjermanisë.

Kam një pyetje të përbashkët, ju lutem. Çfarë do të ndodhë me Shqipërinë nga pasojat e një skenari bllokues për vettingun dhe së dyti, a duhet të futet qeveria aktuale, a duhet të shkojë në zgjedhje përsa kohë opozita nuk do të jetë e pranishme. Dhe duke pasur parasysh çka po ndodh në rajon si në Maqedoni ashtu edhe në vendet e tjera të rajonit, a duhet të ndryshojë politika e zgjerimit e Bashkimit Europian, a ndoshta duhet të kemi përshpejtim të procesit integrues? Faleminderit! 

Përgjigje: Ministri Ditmir Bushati: -Qëndrimi im për këtë çështje është krejt e qartë. Më 21 korrik të vitit të kaluar, të gjithë faktorët politikë përfshirë partinë demokratike, kemi votuar në parlament paketën e ndryshimeve kushtetuese me unanimitet të plotë. Paketë, e cila i hap rrugën sistemit të vështirë dhe plot zgjidhje të reformimit të drejtësisë shqiptare, ngritjes së institucioneve të reja, përmirësimit të një pjesë të institucioneve ekzistuese, procesit të verfikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në çdo nivel, krijimit për herë të parë të një prokurorie të posaçme për të gjurmuar ato raste korrupsioni të nivelit të lartë për çdo qytetar. Këtë proces, me konfirmim të bindshëm deri në minutën e fundit, e kemi votuar të gjithë së bashku. 

Dhe atë çka kërkojnë sot për sot qytetarët shqiptarë është zbatimi në radhë të parë i asaj që kemi rënë dakord në letër, ndryshimi kushtetues dhe së dyti, besoj se edhe ministri Gabriel ishte i qartë si kristali, por po kështu edhe ministri Koenders.
Pak më parë, investimi politik njerëzor dhe financiar që ka bërë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë proces kaq të rëndësishëm, është momenti që ne ta kthejmë mbrapsht. Dhe çështja e tretë që dua të them është që reforma në drejtësi ka një lidhje të drejtpërdrejtë, jo thjesht në reformat e tjera që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për cështjet e sigurisë në një rajon i cili, për fat të keq sot ndihet më i trazuar sec ishte dy vite apo tre vite më parë kur mori spunto edhe procesi i Berlinit. 

Përsa i përket cështjes së zgjedhjeve të 18 Qershorit, unë do doja të thërrisja qëndrimin e Kryeministrit Rama, që përsa na takon ne, jemi të gatëshëm për të zbatuar një më një të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, një institucion prestigjioz që e ka ndihmuar jo thjesht Shqipërinë por edhe vende të tjera, për të krijuar një infrastrukturë zgjedhore sa më të besueshme që do të mundësonte në 18 Qershor zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ashtu sic në fakt nuk na kërkojnë thjesht miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, por besoj që është një aspiratë në rradhë të parë e qytetarëve tanë.

Faleminderit! 

Pyetje: Çfarë u rekomandoni politikanëve shqiptarë, kryeministrit Rama dhe kryetarit të opozitës Basha për të gjetur bashkërisht një zgjidhje në mënyrë që të zgjidhin në një farë mënyre këtë ngërç politik? Pyetja tjetër ka të bëjë me Referendumin në Turqi. A keni një koment lidhur me të dhe si duken marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian në të ardhmen?

Përgjigje: Ministri i Jashtëm gjerman: Të dyja pyetjet janë të vështira. Së pari, këshilla ime drejtuar opozitës ndaj qeverisë do të ishte zbatimi i Ligjit dhe Kushtetutës, dhe realizimi i zgjedhjeve pikërisht në përputhje me këto ligje. 

Së dyti, argumenti i zotit Basha është pikërisht ky: mosbesimi që ka për mundësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kontekst do të duhet të bëheshin propozimet e nevojshme, se si do të mund të mbërrihej në këtë moment, në momentin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne gjermanët, OSBE-ja, Bashkimi Evropian, do të duhej të merrnim ndoshta propozimin për t’i shoqëruar këto zgjedhje në mënyrë më intensive, nëse dëshiron opozita mund të bëjmë më tepër në këtë drejtim, por nuk mund të jetë një rrugëzgjidhje bllokimi i parlamentit dhe bojkotimi i tij. Kjo është rruga që të çon drejt zgjedhjeve demokratike.   

Për sa i përket Referendumit në Turqi, ishte një rezultat mjaft i ngushtë. Ka disa që thonë se për referendumin nuk ka qenë shumica e nevojshme brenda Turqisë, por është dashur që të mbërrijnë nga jashtë, pra për të siguruar këtë lloj shumice minimale. Fillimisht do të na duhej të prisnim rezultatin final. Po ashtu edhe komentet e vëzhguesve të zgjedhjeve që vinin në nivel ndërkombëtar. Në një rezultat të tillë kaq të ngushtë, duke u nisur dhe prej faktit që zgjedhjet u zhvilluan në një situatë të jashtëzakonshme, shumë njerëz në muajt e fundit kanë pasur përshtypjen se liritë themelore në Turqi kanë qenë tejet të kufizuara, është mjaft e rëndësishme që të pritet gjykimi dhe vlerësimi i vëzhguesve zgjedhorë ndërkombëtarë.  

Pika e dytë është se pavarësisht analizës së rezultatit të zgjedhjeve, mendoj që qeveria në Ankara ka një përgjegjësi mjaft të madhe tani që vendi është i ndarë thellësisht. Kjo është e dukshme. Disa thonë se më shumë sesa gjysma janë kritikë ndaj Referendumit. Tani do të duhet të bëhet kujdes që Turqia të mos të duhet të mbetet një vend i ndarë.

Dhe së treti: Edhe nën kushtin dhe premisën që Referendumi të realizohet dhe të zbatohet, besoj se do të zgjasë disi deri në vitin 2019 derisa këto ndryshimet e Kushtetutës të mund të zbatohen. Unë konsideroj që Bashkimi Evropian do të duhet të merret me çështjen se si do të mund të ndikojë Bashkimi Evropian mbi Turqinë që ai të mbetet një vend demokratik, ndaj mendoj që Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian duhet të merret në mënyrë intensive me këtë çështje, duke hartuar dhe konceptuar një strategji, sikurse edhe duke u përpjekur të kërkojnë biseda dhe dialogun i cili në javët e fundit ka qenë mjaft i vështirë edhe për shkak të situatës zgjedhore mjaft të ndezur. Do presim me mendje të ftohta të gjejmë zgjidhje. Supozoj që shumë në Evropë, hera – herës edhe për shkak arsyesh edhe të politikave të brendshme do të ndërmarrin qëndrime rigoroze kundrejt Turqisë. Dhe unë do të isha që të kërkonim formate të reja bisedimesh, sepse Turqia vazhdon të mbetet fqinji ynë. Edhe gjatë diktaturës ushtarake në Turqi, askush nuk doli në konkluzionin që Turqia do të duhej të dilte jashtë NATO-s dhe në të njëjtën mënyrë, do të duhet të veprojmë si atëherë dhe sot. Vazhdon të mbetet i   vlefshëm parimi se do të duhet të mendojmë për të ardhmen dhe pikërisht për këtë kemi nevojë, për strategji të përbashkëta Evropiane. Këshilla ime do të ishte të shikojmë dhe të dëgjojmë në mënyrë precize atë çka thonë vëzhguesit ndërkombëtarë zgjedhorë. Së dyti, të kujdesemi që të gjejmë kanalet e dialogut me Turqinë në mënyrë që të bëjmë gjithë sa kemi në mundësinë tonë që demokracia dhe liria e mendimit në Turqi të mos rrezikohen.