Postuar më: 26 Korrik 2017

Konferencë për Shtyp e Ministrit Bushati me Zv.Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Ekaterina Zaharieva

 

MPJ Bushati:

Përshëndetje të gjithëve!

Pata kënaqësinë të mikpres Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, znj. Ekaterina Zaharieva, e cila mbulon gjithashtu dhe portofolin e reformës në drejtësi në qeverinë bullgare. Patëm mundësinë dhe gjithashtu kënaqësinë të shqyrtojmë nivelin e mirë të marrëdhënieve që ekziston ndërmjet dy vendeve tona, si dhe të projektojmë një plan më të qartë veprimi në të ardhmen, aq më tepër që Bullgaria në 2018 do të marrë timonin e drejtimit të Bashkimit Europian. 2018 është një vit i rëndësishëm edhe për sa i përket angazhimeve që ka vendi ynë në kuadër të procesit të integrimit europian në kuadër të përmbushjes së të gjitha detyrimeve për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

Dëshiroj ta falënderoj kolegen për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe shpresojmë shumë që në 2018 të keni një bashkëpunim edhe më të fokusuar duke pasur parasysh që prioritetet e presidencës bullgare janë të rëndësishme për procesin e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Bullgaria është një vend në Ballkan dhe një fqinj në ditë të mira dhe në ditë të vështira.

Së dyti, mes Shqipërisë dhe Bullgarisë ekziston një bashkëpunim të mirë në NATO dhe një bashkëpunim edhe më i intensifikuar për sa i përket atyre fenomeneve që kanë lidhje me terrorizmin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Dy vendet tona kanë demonstruar edhe në të shkuarën një bashkëpunim shumë të mirë në këtë drejtim.

Patëm gjithashtu mundësi për të shkëmbyer pikëpamje rreth zhvillimeve të fundit në rajon dhe rreth procesit të vështirë të reformave që kemi ndërmarrë, sidomos reforma në fushën e sundimit të së drejtës, të cilat janë të rëndësishme jo thjesht për perspektivën europiane të Shqipërisë por mbi të gjitha për të rritur standardet e jetesës dhe për të vazhduar procesin e demokratizimit në vendin tonë. Gjithashtu, diskutuam edhe në lidhje me nevojën për një koncept më strategjik të korridorit të 8apo të ndërlidhjes mes Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, jo thjesht në planin e infrastrukturës. Duke pasur parasysh që Bullgaria është një vend anëtar i Bashkimit Europian, ka projekte, siç më tha edhe Ministrja, të iniciuar që në 2015, në lidhje me energjinë dhe ka se çfarë të ofrojë në këtë drejtim edhe për ndërlidhjen energjetike me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Besoj se edhe për shkak të presidencës bullgare vitin që vjen ne do të kemi një intensifikim edhe më të madh të kontakteve mes Bullgarisë dhe Shqipërisë tona dhe të marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Shqipërisë qoftë në planin dypalësh, ashtu edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Faleminderit edhe një herë tjetër që jeni sot këtu në Tiranë.

 

Zv.KM dhe Ministrja e PJ Zaharieva:

I nderuar zoti Ministër,

Jam e lumtur të jem sot këtu, në fillim të mandatit të kryeministrit Borisov. Gjendem sot në Shqipëri dhe dua të shpreh mbështetjen që Bullgaria gjithmonë i ka dhënë asaj djhe do t’i japë sidomos në kontekstin e kryesisë së ardhshme bullgare të Bashkimit Europian, në përmbushjen e qëllimit tuaj strategjik të anëtarësinë në BE. Ju e dini se njeri prej prioriteteve kryesore të kryesisë bullgare është zgjerimi i Bashkimit Europian duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë shans. Janë katër kryesi njëra pas tjetrës mbështetëse të këtij integrimi. Në programin e trios, Bullgaria, Estonia dhe Austria, pra jo vetëm në programin bullgar një prej prioriteteve kryesore është zgjerimi i Bashkimit Europian duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ne përshëndesim përpjekjet tuaja për reformën në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe mendojmë se këto janë të ndërlidhura midis tyre. Jam e bindur që deri në fund të vitit do të tregoni mjaft përparim në mënyrë që më vonë gjatë kryesisë bullgare ne të punojmë që së paku të merret vendimi politik për hapjen e procesit të negocimit. Është e kuptueshme që këto reforma janë të vështira, kërkojnë shumë kohë, por unë tashmë i shoh rezultatet nga ligji që e miratuat para pak kohe. Fakti që disa prokurorë kanë dhënë dorëheqje tregon që ligji po funksionon. Unë jam e bindur se kur një sistem gjyqësor nuk punon mirë nuk ka as rritje të mirë ekonomike.

Ju përshëndes për atë që keni arritur gjatë këtij në vendin tuaj viti sa i përket progresit në reformën administrative dhe për ndryshimet e miratuara në kushtetutë, , për ligjin e Vettingu-t. Në të vërtetë jam shpresëplot edhe nga rezultatet e zgjedhjeve sepse kjo tregon që populli shqiptar i mbështet reformat që ka ndërmarrë qeveria juaj në këto fusha. Ne jemi një prej vendeve më të reja anëtare të BE-së dhe unë di nga përvoja se procesi i negociatave është shumë i gjatë edhe shumë i ndërlikuar dhe herë pas here ka shumë probleme. Por dua t’i siguroj shtetasit shqiptar që çdo gjë ia vlen dhe pritshmëritë para anëtarësimit janë më pak se sa arritjet në praktikë.

Do të jap disa shifra për Bullgarinë. Për 10 vitet e anëtarësisë në BE, janë rritur katër herë të ardhurat e popullsisë. Produkti i brendshëm bruto nga 25 miliard leva është 92 miliard leva. Për të mos folur për rrugët, për stacionet e pastrimit, për shkollat. E gjithë kjo ndërtohet me solidaritetin europian. Bashkimi Europian nuk është bashkimi i parave, por bashkimi i vlerave të përbashkëta dhe në fakt kjo është e rëndësishme. Siguria dhe krenaria që u jep shtetasve bullgarë anëtarësia në BE është e madhe. Unë ju siguroj që në kohën e kryesisë sonë por dhe të trios të mbështesim qeverinë tuaj. Jemi gjithmonë të hapur, gati t’ju ndihmojmë, t’ju tregojmë përvojën tonë, e së paku t’ju tregojmë të mos i bëni gabimet që ne i kemi bërë. Ne mund t’ju themi të mos e bëni këtë sepse ne e bëmë këtë gabimisht, pra më mirë bëjeni në mënyrën tjetër. Dua ta theksoj dhe njëherë se varet nga përpjekjet që do bëni ju. Por jam e sigurt që do të përparoni shpejt me gjërat që keni filluar. Ju siguroj se mund të shpresoni tek ne, jo vetëm në kohën e kryesisë, por edhe më tej siç ju kemi mbështetur reciprokisht, siç thatë edhe ju në kuadrin e anëtarësisë në NATO por edhe për të ardhmen.

Ne folëm për Korridorin VIII. Kemi shkëmbim mjaft të mirë të mallrave, por nuk është i mjaftueshëm duke pasur parasysh mundësitë. Nëse lidhje janë më të shpejta, nëse kemi rrugë, edhe shkëmbimet mund të rriten. Ajo që për të cilën duhet të punojmë së bashku është të lidhemi njëri me tjetrin sepse nevojitet të krijohet një treg me i madh në Ballkan. Kuptohet që Korridori VIII është një prej korridoreve më të rëndësishme për Bullgarinë. Ne mbështetëm Procesin e Berlinit, dhe ky korridor ishte ai mori më shumë financime në këtë kuadër. Kështu që tani mbetet që Ministritë tona që merren me transportin të përparojnë shpejt dhe të lëvrojnë shpejt me fondet, të arrijnë progresin e duhur pë lidhjen e njerëzve dhe bizneseve.

Dua të përfundoj duke thënë se midis vendeve tona nuk ka probleme të hapura. Unë mendoj, që ne jemi shembull që nga ku historia nuk na ndan, por më tepër na bashkon.

Po kështu, dua t’ju uroj suksese në formimin e qeverisë së re dhe të shpresoj që me qeverinë e re (duke iu drejtuar Ministrit Bushati – MPJ) përsëri do të punojmë së bashku dhe do të kemi mundësi të vazhdojmë punën në kuadrin e shumë projekteve për të cilët folëm. Është ajo që thashë, është një pjesë shumë e vogël e gjërave që diskutuam, duhet të jemi praktikë. Edhe politika e jashtme duhet të jetë praktike. Ministrat e Jashtëm, si ministrat e tjerë duhet ta ndihmojnë ekonominë dhe njerëzit që të lidhen më mirë.

News 24 (drejtuar Zv.KM dhe MPJ Zaharieva): Meqenëse ju thatë që vitin e ardhshëm do jeni në krye të BE dhe parimi juaj do jetë zgjerimi i BE. Pyetje ime është çfarë do të bëni konkretisht për integrimin e Shqipërisë?

Zv.KM dhe MPJ Zaharieva: Gjëja më konkrete që tashmë bëmë është që përfshimë këtë temë në prioritetet tona. Pra, fakti që për herë të parë një temë e tillë përfshihet në prioritetin e njërit prej kryesive. Më 25 tetor të këtij viti, para marrjes së kryesisë sonë do të ketë një këshill joformal i BE-së për drejtësi dhe rend të brendshëm në Sofje. Dhe përsëri tema atje do të jetë Ballkani Perëndimor. Atje do të ftohen ministrat e drejtësisë dhe ministrat e punëve të brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Pra, përveç vendeve anëtare të BE-së do të jenë  edhe 6 vendet  e Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo do të jetë një mundësi, me të vërtetë.

Duke pasur parasysh përgjigjen konkretisht për Shqipërinë, rekomandimet dhe pritjet më serioze për Shqipërinë janë reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe krimit të cënimit të drejtave të njeriut përfshirë këtu të të drejtave të pakicës, janë çështje të cilat në fakt diskutohen në këtë këshill. Dhe siç tha dhe ministri, për shembull, lufta kundër terrorizmit.

Si kryesues kuptohet që kjo nuk do të thotë që ne mund të marrim vendimin vetëm. Por përfshirja e këtyre prioriteteve, organizimi i këshillave të tillë me temë Ballkanin Perëndimor. Por përparimi i vetë vendeve, në fakt është ajo që do të thosha. Gjatë këtyre 6 muajve secili prej këtyre vendeve kanë mundësi të japin një shtytje serioze në këtë proces. Sepse secili prej këtyre vendeve është në nivele të ndryshme zhvillimi dhe përparimi.

Dua të përfundoj se çfarëdo përpjekje e jona fillon më 25 tetor. Më pas ministrat e jashtëm do të jenë në Bullgari. I vetmi prioritet që do të kemi në nivel të lartë gjatë kryesisë bullgare, do të jetë përsëri me temë ‘Ballkani Perëndimor’, ku do të ftohen kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por sigurisht e gjithë kjo është në duart e vetë shteteve, kuptohet, sa shpejt do të përparojnë në kuadrin e reformave dhe sa shpejt qeveritë dhe njerëzit e këtyre vendeve do të arrijnë t’i plotësojnë këto. Ne kemi ofruar ndihmë dhe asistencë me ekspertizë dhe këshilla me çfarë do mund të ndihmojmë. Qeveria jonë është gati që të ndihmojë qeverinë tuaj në këtë proces që mbështesim prej vitesh. Dhe shpresojmë të fillojë shpejt dhe kryesorja është që edhe të përfundojë shpejt.