Postuar më: 14 Shtator 2017

Konferencë për shtyp e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati me Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli

MEPJ Bushati: 

Përshëndetje të gjithëve,

Mirë se erdhe President Pacolli, 

Është kënaqësi për mua që Presidenti Pacolli kësaj radhe në cilësinë e tij si zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, e zhvilloi vizitën e tij të parë në Tiranë. Është gjithashtu kënaqësi dhe privilegj për mua që një ditë pas betimit në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të mikpres në Tiranë vëllaun, mikun dhe politikanin e respektuar të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili pavarësisht se është për herë të parë në këtë funksion, ka bërë shumë punë përsa i përket subjektivitetit juridiko – kombëtar të Kosovës dhe fitimit të hapësirës ndërkombëtare nga ana e shtetit të ri të Kosovës. 

Në bashkëbisedimin me Behgjetin kujtuam kohët e vështira, siç ishin ato për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ku kontributi i Presidentit Pacolli, mund ta them me bindje të plotë, për shtete të caktuara ka qenë shpesh edhe më aktiv se diplomacia e Tiranës dhe Prishtinës. Në këtë kontekst, e shoh si një nder për Kosovën që do të ketë në krye të shërbimit të jashtëm një personalitet si Behgjet Pacolli. Natyrisht, diskutuam për programet e dy qeverive tona.

Kryeministri Rama bëri publik programin gjatë debatit maratonë në Kuvendin e Shqipërisë ku Kosova ka një rol të posaçëm strategjik dhe ne duam që ta thellojmë këtë marrëdhënie jo thjeshtë me mbajtjen e mbledhjes së radhës mes dy qeverive tona, mundësisht brenda fundit të këtij viti, por edhe për koordinim më të mirë të përpjekjeve të përbashkëta, në radhë të parë në eliminimin e të gjitha barrierave që ekzistojnë sot për sot në tregti, duke stimuluar lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke i dhënë dorën e fundit formimit të pikës së përbashkët të kalimit kufitar apo kthimit të portit të Durrësit në një pikë doganore për Shqipërinë dhe Kosovën. 

Gjithashtu, kemi diskutuar me Presidentin Pacolli edhe përsa i përketë nevojës për racionalizimin e forcave, burimeve tona njerëzore në përfaqësimin diplomatik e konsullor. Ka tre praktika të mira deri më tash, Milano, Bari dhe Munihu. Është ambicia jonë e përbashkët për ta zgjeruar hartën e bashkëveprimit politik e diplomatik, për t’i shërbyer sa më mirë shtetasve tanë. E ftova Presidentin Pacolli edhe në një aktivitet që do të bëjmë së shpejti për diplomacinë ekonomike me trupën tonë të shërbimit të jashtëm, duke pasur parasysh barrën e madhe mbi supe ndër vite, atë eksperiencë në jetën private dhe publike, për të na ndihmuar kësisoj, për të orientuar pak edhe kompasin e shërbimit tonë të jashtëm drejt këtij segmenti shumë të rëndësishëm të diplomacisë. 

Fjala për ju. 

Faleminderit.    

 

Zv. KM dhe Ministri i PJ Pacolli:

Zoti Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati,

Miku im, vëllau im, Ditmir,

Së pari t’ju përgëzoj për vazhdimin e traditës diplomatike e të sjell përshëndetjet e ngrohta të popullit të Kosovës e të qeverisë së Kosovës duke ju dëshiruar shumë shumë suksese dhe punë në të ardhmen. 

Ç’ka ke thënë, kjo ishte ç’ka kemi diskutuar, çdo çështje, çdo pikë që e diskutuam, vëmendja ime shkonte gjithmonë prej background-it tim aty ku vij, efikasitet.

Ne duhet të kërkojmë nga stafi ynë diplomatik, nga njerëzit që shërbejnë në këtë detyrë shumë të rëndësishme për shtetin, duhet të kërkojmë llogari. Në fund të ditës, secili duhet të kalkulojë dhe të llogarisë si duhet të shpenzojë kohën dhe se çfarë përfiton vendi prej saj. Unë jam shumë i lumtur që pata mbështetjen e fuqishme në këtë ide, që të kthej diplomacinë tonë në diplomaci proaktive dhe këtu ne jemi të gatshëm të mos ndalemi asnjëherë dhe të kemi qasje të përbashkëta në sfidat e ardhshme. Ju e dini se sfidat janë të mëdha si për Shqipërinë por edhe më të mëdha për Kosovën. Këtu kam marrë mbështetje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe në të ardhmen besoj shumë se ne do të funksionojmë së bashku jo si dy ministri të ndara me ide të ndryshme por qasja duhet të jetë e përbashkët dhe shpresoj shumë se dhe suksesi do të jetë më i madh. 

Ne sot biseduam po ashtu që sa më shpejt të vazhdojmë traditën e filluar me misionet diplomatike të përbashkëta. Me anë të tyre ne rrisim efikasitetin, përgjegjësinë, ulim shpenzimet dhe sigurisht do të kemi përfaqësi të përbashkëta edhe në Danimarkë edhe në Hamburg. Folëm gjithashtu edhe për Turqinë në të ardhmen. 

Lëvizja e lirë është një parim i cili gjithmonë është sjellë në mendjen time. Me qeverinë e dytë të Edi Ramës dhe me qeverinë e Hardinajt do ta implementojmë pikë për pikë.

Jam shumë shumë i lumtur sot që mund të mendoj se në ardhmen nuk do të ketë më ndalje nëpër kufij, por mallrat do të lëvizin lirshëm nëpër Shqipëri e Kosovë, do të zhdoganohen në Durrës e ato që vijnë nga veriu, në kufirin e Kosovës . Kështu që do të kemi një bashkëpunim shumë shumë efikas e dinamik.

Ne do të modernizojmë punën e diplomacisë tonë kudo që ajo është dhe sigurisht do të riaktivizojmë edhe takimet tona qeveritare. Shumë shpejt do ta mësoni se ku do të jetë takimi i parë. Unë propozova Korçën. E kam shumë përzemër. Do të kemi edhe veprime të tjera që do të ndërmerren nga dy ministritë.

Ju faleminderit shumë dhe për këtë ambient shumë shumë të bukur, miqësor, dinamik dhe energji pozitive. 

Faleminderit.