Postuar më: 24 Prill 2018

MEPJ përshëndet vendimin për zgjedhjen e Majlinda Bregut si Sekretare e Përgjithshme e KBR (RCC) dhe zgjedhjen e Kosovës në kryesimin e organizatës

Takimi i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, (SEECP) vendosi sot të zgjedhë znj. Majlinda Bregu në pozicionin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për periudhën 2019-2021. 

MEPJ dëshiron të falënderojë vendet anëtare të SEECP për mbështetjen që i dhanë kandidaturës shqiptare, e para shqiptare në këtë pozicion, në këtë nivel dhe njëkohësisht edhe e para femër në atë detyrë.

MEPJ i uron suksese znj. Bregu në ushtrimin e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, një institucion i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal që ka për mision kryesor mbështetjen, fuqizimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e vendeve të Evropës Juglindore në procesin e integrimit evropian dhe e siguron atë për mbështetjen e plotë në ushtrimin e detyrës së lartë.

MEPJ përshëndet vendimin e Takimit të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, (SEECP) që u zhvillua sot, nën kujdesin e Kryesisë Sllovene, në Brdo Pri Kranju, ku u miratua propozimi i Kosovës për të marrë kryesinë e Organizatës për periudhën 2019-2020.

Deklarata e Përbashkët e Takimit të Krerëve të Qeverive të SEECP-së, vendosi njëzëri që Bosnja Hercegovina do të kryesojë organizatën në periudhën 2018-2019, ndërsa Kosova në periudhën 2019-2020.

Marrja për herë të parë e Kryesisë së SEECP nga Kosova, konfirmon parimet e barazisë dhe gjithpërfshirjes që janë në themel të bashkëpunimit rajonal. Ky vendim konsensual konfirmon gjithashtu rolin dhe kontributin pozitiv të Kosovës në rajonin e Evropës Juglindore si dhe vendosmërinë e përbashkët për të fuqizuar sigurinë, prosperitetin dhe perspektivën e tij euro-atlantike.