Postuar më: 04 Shtator 2017

MPJ dënon ashpër provën termo bërthamore të kryer nga Korea e Veriut

Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon ashpër provën termo bërthamore të kryer nga Republika Popullore Demokratike e Koresë më 3 shtator 2017. Ky akt përbën një tjetër shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare, të regjimit të mos përhapjes së armëve bërthamore dhe të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Programi bërthamor dhe ai balistik i RDPK kanë përshkallëzuar më tej tensionin në rajon dhe kërcënojnë në mënyrë serioze sigurinë globale.

Qeveria Shqiptare i bën thirrje regjimit të RDPK të ndalojë menjëherë provokimet, të çmontojë programin bërthamor dhe të kthehet pa vonesë në tryezën e bisedimeve, të cilat mund të çojnë në një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në gadishullin Korean.