Postuar më: 14 Korrik 2017

MPJ dënon lëshimin e raketës ndërkontinentale nga Republika Popullore Demokratike e Koresë

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka dënuar në mënyrë të përsëritur programet e armatimit si dhe aktet provokuese të lëshimit të raketave balistike të kryera nga Republika Popullore Demokratike e Koresë (RPDK). 

Lëshimi i një rakete ndërkontinentale me datë 4 korrik 2017 është akti më i fundit në serinë e shpërfilljes dhe shkeljeve të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përbën një shkallëzim të rrezikshëm të kërcënimit serioz për sigurinë rajonale dhe stabilitetin global. 

MPJ i bashkohet shqetësimit të shprehur nga vendet partnere mbi rrezikun që paraqet politika sfiduese e regjimit në RPD të Koresë dhe ripërsërit thirrjen që ajo të ndërpresë menjëherë veprimet provokuese, të ndalojë programet bërthamore dhe ato të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare duke u angazhuar në bisedime të njëmendta me komunitetin ndërkombëtar.