Postuar më: 19 Nëntor 2016

Reagim i MPJ mbi rastin e dy shoferëve të ndaluar në Greqi

Që prej datës 13 nëntor, pas njoftimit për ndalimin e dy shoferëve të MPJ në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, të cilët transportonin një ngarkesë me libra për fëmijët shqiptar që jetojnë në Greqi, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka qenë në kontakt me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Kotzias, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet në bazë të akteve të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikave diplomatike në fuqi.

Në të njejtën kohë, MPJ ka ofruar asistencë konsullore dhe juridike për punonjësit e ndaluar duke mundësuar lirimin e tyre.

MPJ shpreh keqardhjen që procedura e ndjekur nga autoritetet greke bie në kundërshtim të plotë me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke cënuar njëkohësisht klimën e miqësisë dhe të besimit mes dy shteteve tona.

MPJ do të vijojë të ndjekë në rrugë diplomatike trajtimin e mëtejshëm të kësaj çështje duke uruar në të njëjtën kohë për një reflektim të shpejtë të palës greke në lidhje me këtë ngjarje.