Postuar më: 07 Prill 2017

Shqipëria mbështet sulmet me raketa të SHBA-së mbi objektiva ushtarakë sirianë

Në vijim të përdorimit, më datë 5 prill 2017, të armëve kimike në provincën veri-perëndimore të Idlibit në Siri, ku mbeten të vrarë dhjetëra persona, përfshirë shumë fëmijë, si edhe qindra të plagosur, Shtetet e Bashkuara ndërmorën sot bombardime ndaj aeroportit Shayrat, në Siri. Shqipëria mbështet fuqishëm reagimin e shpejtë e të vendosur të SHBA-ve, përmes sulmit raketor mbi objektivat ushtarakë sirianë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi më herët se “këto sulme ajrore janë të nevojshme dhe një përgjigje vendimtare e administratës amerikane ndaj këtij sulmi barbar të kryer nga regjimi i Asadit”.

Shqipëria u bashkohet deklaratave të NATO-s dhe BE-së, të cilat dënojnë përdorimin e përsëritur të armëve kimike nga Siria, në shkelje të konventave dhe detyrimeve ndërkombëtare. Përdorimi i armëve apo substancave kimike është i papranueshëm, përbën krim lufte dhe shkaktarët duhet të mbajnë përgjegjësi.