Postuar më: 30 Prill 2018

Bushati: Ka një tendencë për të barazuar shqiptarin me krimin e organizuar

 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët, “Mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”, të zhvilluar në mjediset e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, ministri Bushati vlerësoi këtë nismë si ndihmuese dhe orientuese dhe për të identifikuar veprimet e shtetit shqiptar në adresimin e kësaj çështjeje.

Ministri Bushati nënvizoi se ka një dallim të qartë kur flitet për diasporën dhe kur flitet për të drejtat e emigrantit, pasi “pikënisja është e ndryshme, jo vetëm tek pasaporta shqiptare, por edhe tek seti i të drejtave dhe detyrimeve që e përcaktojnë më së miri perimetrin e ushtrimit tonë”.

Një tjetër pikë ku ministri Bushati vuri theksin ishte tendenca e disa vendeve për të asociiuar krimin e organizuar me shqiptarët. Për ministrin, është shumë e vështirë të bëhet dallimi i përgjegjësive për disa shtetas të cilët kanë 20-30 vjet që nuk jetojnë në Shqipëri edhe pse mbajnë pasaportë shqiptare. “Ka një tendencë në disa vende për ta portretizuar shqiptarin, për fat të keq, të lidhur me krimin e organizuar apo stigmën e krimit të organizuar për ta asociiuar me shqiptarët, ndërkohë që, e para, jo në çdo rast bëhet fjalë për pasaportë shqiptare, që do të thotë se përgjithësia shkon përtej shtetit shqiptar dhe mundësitë për të ndërhyrë janë thuajse zero. Ne e dimë shumë mirë dinamikën dhe kompozimin ndëretnik në Ballkan dhe nuk besoj se ka kohë për të humbur ndonjëri këtu për të sqaruar më tej këtë gjë. Së dyti,  kemi një situatë e cila është shumë e vështirë për t’a ndarë qartazi se ku mund të fillojë përgjegjësia e një shteti dhe ku mbaron përgjegjësia e një shteti  tjetër, ku mund të bëhet fjalë për shembull për veprimtari kriminale të personave që mund të kenë 20-25-30 vite që nuk jetojnë në Shqipëri”, nënvizoi kreu i diplomacisë shqiptare. Ndër të tjera, ministri nënvizoi faktin se në vitin 2017, ne kemi 30 % më pak shqiptarë të dënuar, në raport me vitin 2016.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati:

Faleminderit znj. Hysi.

Edhe unë jam i gëzuar që falë nismës së z. Majko dhe znj. Gjonaj, ne sot kemi një diskutim të parë mbi të drejtat e personave të privuar nga liria jashtë vendit dhe mendoj, është e rëndësishme që në këtë proces, kur hapim një debat, të kemi të qartë disa koncepte të cilat janë ndihmuese dhe orientuese edhe për të identifikuar më pas apo për të skicuar rrugët e përgjigjes ndaj dobësive që kemi sot për sot në trajtimin e kësaj çështjeje.

Natyrisht kur flasim për këtë çështje në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare dhe në kuptimin e konventave ndërkombëtare, fokusi ynë kryesor është dhe duhet të jetë mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut dhe këtu mua me duhet që, si ministër i Jashtëm të bëj një diferencë të qartë mes konceptit të Diasporës dhe përkufizimit që njeh e Drejta Ndërkombëtare që është e gjithë pranuar.

Na pëlqen apo nuk na pëlqen ne, për sa i përket të drejtave të emigrantit, pikënisja është e ndryshme, jo vetëm tek pasaporta shqiptare, por edhe tek seti i të drejtave dhe detyrimeve që e përcaktojnë më së miri perimetrin e ushtrimit tonë. Për të mos krijuar dhe për të evituar çdo keqkuptim të karakterit politik apo ndërshtetëror, besoj se ky debat duhet të fokusohet pikërisht te kjo kategori njerëzish që kanë lënë vendin tonë për arsye nga më të ndryshmet dhe që në rrethana specifike, kanë nevojë për një shërbim më të specializuar, por edhe për një asistencë më të specializuar.

Duke qenë se shqiptarët në këtë pikënisje dhe në konceptin e gjerë të diasporës të të folurës shqip dhe të lirive dhe të drejtave që duhet të gëzojnë shtetasit shqiptarë kudo që ndodhen e që e kanë lënë Shqipërinë kryesisht për arsye ekonomike, ne kemi mundësi për të strukturuar më mirë punën edhe me shtetet edhe me instancat përkatëse, si porta kryesore hyrëse të kanalizimit të shqetësimeve tona. Dhe këtu vij te pika e dytë që besoj gjithashtu është e rëndësishme që na krijon një qartësi përsa i përket debatit që ne kemi hapur për statistikat, për shërbimet konsullore, për asistencën humanitare dhe më pas, për ata persona të cilët ndalohen apo qëndrojnë në një proces gjyqësor në kushtet e paraburgimit. Dhe më pas, për personat që marrin dënimin përkatës. Dhe ka disa prej tyre, shumë prej tyre që për arsye krejt të kuptueshme, pavarësisht që kjo është një kompetencë shumë e qartë  e ministrisë së Drejtësisë, po është pjesë e gjithë ciklit që ne na bie të ndjekim, këta persona  preferojnë për arsye të kuptueshme që vuajtjen e dënimit ta kryejnë në vendin e tyre edhe për shkak të afërsisë me familjarë. Por, edhe këtu dihen cilat janë kufizimet dhe limitet tona që, për hir të së vërtetës, nuk janë thjesht limitet tona dhe nuk është se Shqipëria këtu përbën një përjashtim  nga vendet e tjera që kanë pak a shumë të njëjtën strukturë, pak shumë të njëjtin zhvillim ekonomik e social dhe pak a shumë të njëjtin numër personash në raport proporcional për frymë që jetojnë jashtë atdheut.

Pra, e dyta është çështja që ka të bëjë me shërbimet  që ofrohen dhe në qoftë se deri para dy apo tre vitesh për çdo lloj procesi konsullor, për çdo lloj shërbimi konsullor, duhet të shkoje dhe të paraqiteshe te sporteli i Konsullatës, ka dy vite që ne kemi bërë një ndryshim rrënjësor në këtë drejtim ku për një numër shumë të madh shërbimesh, praktikisht nuk i drejtohesh fare Konsullatës dhe mund ta kryesh të gjithë procesin online, ku çdo aplikant merr një numër, siç ta jep normalisht DHL apo FEDEX, pra postat kryesore me barkode dhe mund ta kryesh të gjithë procesin online. Kështu, ke mundësi për të verifikuar të gjithë procedurën dhe të gjithë ciklin online të aplikimit tënd. Nuk ka asnjë vend në botë, ndoshta edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë fuqia kryesore e botës, që të kenë një mbulim në çdo cep të globit, me ambasadë dhe me shërbim konsullor, siç është e pamundur që në çdo cep të kesh nga një spital, apo nga një qendër shëndetësore, sepse bota natyrisht operon me disa standarde edhe në këtë drejtim. Sikundër në dy-tre vende, të cilat kanë një specifikë, siç është rasti i Indisë, apo në botën Latine, ne operojmë gjithashtu me Konsujt e Nderit, të cilët, në bazë të një urdhërese të përbashkët të ministrit të Jashtëm dhe ministrit të Brendshëm, kanë mundësi për të ofruar shërbime konsullore nga ato të cilat nuk merren online, pra nga ato të cilat nevojitet domosdoshmërish prania pranë të ashtuquajturit sportel konsullor.

Pika tretë që këtu u diskutua ishte çështja që kishte lidhje me statistikat. Në qoftë se ka një çështje ku statistikat janë më të qarta dhe më të besueshme, është pikërisht kjo. Dhe për secilin vend, unë mund t’ju marr rastin e Italisë, me statistikat që ka shteti shqiptar me Italinë apo Greqinë, përsa i përket personave shqiptarë që janë të ndaluar, pra që janë në pritje për të dalë në gjyq, apo persona të cilët kanë marrë një vendim gjykate. Statistikat në këtë pikë janë shumë të besueshme, sepse operohet në procese, të cilët kanë një lloj sensitiviteti, për shkak të faktit që personat të cilët janë të ndaluar, kanë një potencial të lartë për të dalë në gjyq dhe automatikisht këto janë të dhëna të cilat rifreskohen nga ana e trupave tanë. Mund të them që në 2017, ne kemi 30 % më pak raste kur shtetas shqiptarë janë të dënuar, në raport me 2016. Tek përfshirja e shtetasve shqiptarë në veprimtari kriminale, gjithashtu jashtë atdheut, besoj se duhet të jemi të kujdesshëm sepse dhe duhet t’i qëndrojmë perimetrit të së drejtës ndërkombëtare.

Ka një tendencë në disa vende për ta portretizuar shqiptarin për fat të keq, të lidhur apo stigmën e krimit të organizuar, për ta asociiuar me shqiptarët, ndërkohë që e para, jo në çdo rast bëhet fjalë për pasaportë shqiptare që do të thotë se përgjithësia shkon përtej shtetit shqiptar dhe mundësitë për të ndërhyrë janë thuajse zero. Ne e dimë shumë mirë dinamikën dhe kompozimin ndëretnik ne Ballkan dhe nuk besoj se ka ndonjeri këtu kohë për të humbur për të sqaruar më tej ketë gjë. Së dyti,  kemi një situatë e cila është shumë e vështirë për t’a ndarë qartazi se ku mund të fillojë përgjegjësia e një shteti dhe ku mbaron përgjegjësia e një shteti  tjetër ku mund të bëhet fjalë për shembull  për veprimtari kriminale të personave që mund të kenë 20-25-30 vjet që nuk jetojnë në Shqipëri e kanë ende pasaportë shqiptare por nuk janë të regjistruar fare as në zyrën e tatim taksave në Shqipëri, as nuk kanë asnjë lloj kontributi, përveç faktit që kanë ende nënshtetësinë dhe si rrjedhojë, dhe emrin në regjistrin e gjendjes civile. Këtu është shumë e vështire që të ndahet përgjegjësia, pavarësisht se kur vjen puna te lajmi i keq automatikisht nënshtetësia e personit asociohet me vendin nga i cili personi vjen.

Për të kanalizuar më mirë energjitë në këtë drejtim, janë pikat e kontaktit, oficeret që mbulojnë këto çështje që janë në varësi të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe çdo vend, kryesisht çdo vend që ka një problematikë më të madhe si ne, ashtu edhe ato kanë një prani në ambasadat respektive dhe puna e tyre kryesore normalisht lidhet qoftë me institucionet penitenciare apo me institucionet ligj zbatuese,  në përgjithësi ku shkëmbehet informacioni dhe të dhënat në lidhje me këtë drejtim.

Pika e fundit, janë rastet ku ka lidhje me dhunimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Raste të cilat sigurisht nuk mungojnë. Më problematike paraqitet situata në ato vende që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian apo anëtarë të Këshillit të Evropës ku edhe mundësia e penetrimit edhe mundësi e ndërveprimit mes strukturave përkatëse, paraqitet relativisht e vështirë. Por nga ana tjetër, ka praktika të konsoliduara ku në momentin që një person i ndaluar kërkon asistencë konsullore dhe njofton numrin jeshil të konsullatës përkatëse, ne përpiqemi për të qenë aty dhe për të asistuar në këtë proces. 

Po kështu janë rastet humanitare sidomos në fushën e peshkimit, kryesisht në periudhën e 4-5 viteve të fundit. Nëpër zona konfliktuale nuk kanë munguar rastet kur janë ndaluar një grup shtetasish, përfshirë edhe shtetas shqiptarë dhe ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për të penetruar dhe për të siguruar mbrojtjen e këtyre shtetasve, sepse bëhet fjalë për zona në konflikt dhe për shtete apo territore në disa raste që kanë një koncept jo të njëjtë të paktën me konceptin evropian për sa i përket lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Çfarë duhet bërë me tej në gjykimin tonë? Besoj se iniciativa e parë me Kryqin e Kuq që ka ndërmarrë ministri për Diasporën, është një iniciativë që duhet mbështetur pasi Kryqi i Kuq, dihet që ka një pushtet të butë, shpesh herë më efektiv se strukturat shtetërore  dhe ne jemi gjithashtu të gatshëm që me përfaqësitë tona, aty ku operojmë, të shtojmë forcat dhe të bashkëpunojmë më tej për t’i ardhur në ndihmë rasteve që mund të mos jenë në radarin tonë, apo raste që mund të jenë por nuk i kemi dhënë përgjigjen e duhur.

Ne kemi një platformë si qeveri që është “Platforma e Shqipërisë që Duam”, ku grumbullojmë mbi baza javore dhe kanalizojmë mbi baza javore të gjitha problematikat dhe të gjitha ankesat që vijnë në këtë drejtim. Natyrisht që për çdo ankesë ka një verifikim.

Interesant është dhe një kthim përgjigjeje. Interesant është fakti që tek rasti i ynë, për arsye të kuptueshme, një pjesë e mirë të ankesave vijnë për natyrë çështjesh që kanë të bëjnë me vende të treta. Pra, le të themi: në qoftë është për procedurë të njohjes së diplomës, për verifikim të një dokumenti X apo Y, të cilat në thelb janë shërbime konsullore. Por edhe këtu ne kemi, si për të marrë le te themi, një opinion nga njerëzit dhe kryesisht nga persona të prekur nga ushtrimi i aktivitetit tonë se si funksionojmë dhe se ç’ka duhet bërë më mire.

Jemi të vetëdijshëm, në fund të ditës që rreth 1/3 e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, është një gamë shumë e madhe dhe përballet me problematikat e natyrave nga më të ndryshme. Ne jemi përpjekur dhe besoj se do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë për të prioritizuar ato raste ku realisht nevoja për ndërhyrje është jashtëzakonisht emergjente.

Faleminderit.