Postuar më: 06 Mars 2018

Fjala e Ministrit Bushati dhe Ministrit në Detyrë të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Ivan Korčok

 

Fjala e Ministrit Ditmir Bushati

Mirëmbrëma,

Ishte kënaqësi që sot mirëpresim në Tiranë ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Ivan Korcok, me të cilin patëm mundësi për të marrë në shqyrtim progresin e marrëdhënieve dypalëshe, dialogun e shtuar ndër vite ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovakisë, bashkëpunimin tonë në instancat ndërkombëtare dhe natyrisht, me fokus më të posaçëm tek procesi i integrimit evropian ku dihet që Sllovakia është një mbështetëse e procesit të zgjerimit dhe është një vend që ka një politikë relativisht aktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Patëm gjithashtu mundësi për të shkëmbyer pikëpamje në lidhje me stadin e reformave shtet konsoliduese në Shqipëri që ka një impakt të drejtpërdrejtë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pa dyshim, reformat në fushën e sundimit të së drejtës, reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, avancimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të gjitha këto kanë një impakt jo vetëm në ecurinë e vendit në procesin e integrimit evropian, por mbi të gjitha, edhe në krijimin e një klime më të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë kontekst, jemi pranë finalizimit të dy marrëveshjeve, qoftë për mbrojtjen e investimeve, ashtu edhe për shmangien e tatimit të dyfishtë që shpresojmë, do të kenë një impakt pozitiv edhe për sa i përket nevojave dhe aspiratave që kanë komuniteti i biznesit në Sllovaki dhe Shqipëri.

Diskutuam këtu dhe për sa i përket situatës në rajon e mjedisit të sigurisë dhe aspiratave që kanë vendet e rajonit për sa i përket 2018, duke qenë se pothuajse nga të gjithë po konsiderohet si një vit i rëndësishëm qoftë edhe për shkak të Samitit të Sofjes që do të ketë një fokus të posaçëm tek vendet e Ballkanit Perëndimor, tek axhenda e ndërlidhshmërisë dhe përshpejtimit të procesit Evropian apo edhe Samiti që do të mbahet në Londër në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në emër të qeverisë shqiptare, dëshiroj edhe publikisht të shpreh mirënjohjen për qeverinë sllovake, për mbështetjen e pakursyer që kemi marrë në procesin e vështirë të demokratizimit dhe transformimit. Gjithashtu, kemi bashkëpunim shumë të mirë, do të thoja edhe për sa i përket Fondit të Ballkanit Perëndimor i cili pasqyron praktikën më të mirë të Fondit të vendeve të Vishegradit dhe duke qenë se në muajt në vijim Sllovakia rimerr timonin e V4, ne kemi një dialog shumë të strukturuar në formatin V4 – Vendet e Vishegradit apo vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe dëshirojmë që ta konsolidojmë edhe më tej këtë bashkëpunim, duke i dhënë frymëmarrje më të madhe aktorëve të tjerë, kryesisht shoqërisë civile që mbështeten nga fondet e Ballkanit Perëndimor dhe fondet e Vishegradit për një stabilizim më të madh të rolit të tyre në proceset demokratizuese. Dhe këtu, siç dihet, Sllovakia ka një eksperiencë pozitive.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, në emër të qeverisë shqiptare, pata mundësinë për të komunikuar me homologun sllovak edhe në lidhje me pritshmërinë që ka Shqipëria nga 2018, pritshmëri këtu që fillojnë me publikimin e Raportit të Komisionit Evropian, që ne besojmë se në një mënyrë kredibël do të reflektojë dhe pasqyrojë të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri për sa i përket procesit të reformave që nga 2016-ta, ku siç dihet u publikua edhe rekomandimi i Bashkimit Evropian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, i lidhur edhe me zbatimin e reformës në drejtësi, më posaçërisht ligjit të vetting-ut, përkon edhe me kohën e presidencës sllovake të Bashkimit Evropian, për të vazhduar më pas me Samitin e Sofjes dhe vendimmarrje të rëndësishme që do të krijonin një horizont dhe një perspektive të qartë për një vendimmarrje për Shqipërinë brenda 2018.

Ndamë pikëpamjen që çdo vendimmarrje për nisjen e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë, është një hap i rëndësishëm por fillestar në rrugën e gjatë dhe sfiduese që ka procesi i anëtarësimit për në Bashkimin Evropian.

Faleminderit! Fjala për Ju.

 

Fjala e Ministrit Ivan Korcok:

I nderuar z. Ministër.

Do të doja t’Ju falënderoja përzemërsisht për këtë mundësi dhe për takimin shumë të mirë që sapo patëm. Gjithashtu, doja të theksoja faktin që është interesi i qeverisë sllovake për të vazhduar bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve tona në nivelin më të lartë politik. Këtë nivel bashkëpunimi, duhet t’a transformojmë duke bashkëpunuar më  thellë në fushën ekonomike. Jemi dakord gjithashtu me faktin që duhet shpejtuar procesi i integrimit. Ky krijon një bashkëpunim shumë të  mirë përsa i përket investimeve, evitimin e taksimit të dyfishtë. Këto janë bazike por shumë të rëndësishme. Sllovakët po e vizitojnë gjithnjë e më shumë vendin tuaj të mrekullueshëm. Pash disa foto para kësaj dhome që tregojnë sesa e bukur është Shqipëria. Janë 10 mijë sllovakë sipas statistikave që e kanë vizituar vendin tuaj dhe ky është vetëm fillimi.

Bashkëpunimi bilateral mbetet i rëndësishëm, pavarësisht faktit që tema kryesore që diskutojmë në këtë moment me ju është aspirata për hyrjen në Bashkimin Evropian. Jam i kënaqur që 2018 është një vit i mirë për Evropën, po kërkojmë përgjigje të shumë pyetjeve gjatë viteve të fundit dhe Bashkimi Evropian është testuar vazhdimisht dhe këto kanë qenë vitet më të vështira që nga viti 1957.

Ne, duart tona i kemi të lira në kuptim pozitiv, na lejojnë të shohim axhendën e brendshme por edhe aspiratat për vende si Shqipëria të cilat janë duke e lidhur të ardhmen e tyre me familjen e madhe Evropiane.

Ne vlerësojmë faktin që ju keni motivim për të transformuar dhe reformuar vendin tuaj.  Viti 2018 ofron një perspektivë të mirë për të arritur një marrëveshje me 28 vendet dhe ju duhet të tregoni që jeni gati për të nisur negociatat dhe keni argumente shtesë dhe se keni bërë progres dhe ecuri përveç fushave më sensitive dhe delikate siç është kapitulli 23/24, sistemi gjyqësor dhe zbatimi i procesit të vettingut të gjyqtarëve e prokurorëve.

Nëse krijoni një track rekord të duhur, duhet të jeni të sigurt që Sllovakia do të mbetet mbështetëse e vendit tuaj dhe vendeve të tjera që duan t’i afrohen Bashkimit Evropian.

Mendoj që z. Bushati kishte të drejtë kur tha: “instrumenti më i mirë që kemi është zgjerimi edhe transformimi i Ballkanit Perëndimor në një zonë prosperiteti dhe stabiliteti” dhe ky është interesi ynë  jetësor. Jo të gjithë ndajnë interesin kur vjen puna për entuziazmin tonë lidhur me  procesin e zgjerimit, por ne besojmë që kjo është në interesin tonë.

Ju inkurajoj  të vazhdoni me një fokus vendor mbi këto reforma sepse kjo është në të mirë të qytetarëve tuaj dhe gjëja më e rëndësishme është që vendi juaj të modernizohet dhe qytetarët të jenë të lumtur me këto zhvillime.

Faleminderit z. Ministër, për mundësinë që më  dhatë të vizitoj vendin tuaj. Pas vizitës në Beograd, Podgoricë dhe Tiranë, nesër do kthehem në shtëpi edhe më i pajisur më argumente, meqenëse pata mundësinë për të parë se çfarë ndodh nga afër në këto vende.

Faleminderit.