Postuar më: 30 Maj 2018

Fjala e ministrit Bushati gjatë konferencës “Mbrojtja e pakicave kombëtare-shprehje e demokracisë funksionale në Shqipëri”

 

Përshëndetje të gjithëve,

Zonja Nënkryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë, 

Shkëlqesi Ambasadorë,

Përfaqësues të organizatave të ndryshme që jeni sot këtu me ne, 

Për ne është një moment i rëndësishëm, pjesë e një rrugëtimi që ka nisur dy vjet e gjysmë më parë kur filloi procesi i konsultimeve me të gjithë ju por jo vetëm, për sa i përket miratimit të një ligji i cili nuk do të nguroja ta konsideroja si një prej ligjeve më të rëndësishme të kësaj legjislature dhe një proces besoj model konsultimesh me të gjithë aktorët me shërbimet e Komisionit Evropian me shërbimet Këshillit të Evropës dhe të zyrës të Komisionerit të OSBE-së për pakicat të cilëve unë sot në emër të Qeverisë Shqiptare dëshiroj  ti shpreh gjithë mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë në këtë proces. Në përgatitjen e një ligji i cili edhe pse pati debate krejt natyrshme në Kuvendin e Shqipërisë, është një portë hyrëse nga momenti kur Shqipëria u bë pjesë e Konventës kuadër  për mbrojtjen e minoriteteve dhe është një portë hyrëse që na shpie drejt një procesi edhe më të rëndësishëm siç është miratimi i akteve nënligjore. Përmes këtij procesi në shpresojmë që do të garantohen më së  miri të gjitha standardet të cilat parashikon qoftë Konventa ashtu edhe ligji dhe ne shpresojmë që falë akteve nënligjore që do të kalojmë në periudhën në vijim pas përmbylljes së procesit të konsultimeve do të kemi mundësi që të flasim për një shoqëri shqiptare më të zhvilluar, më evropiane, më tolerante që respekton dhe promovon të drejtat e pakicave dhe respektimi dhe promovimin i këtyre të drejtave nuk mbetet thjesht në letër. 

I gjithë ky proces, faza e parë e këtij procesi, është koordinuar  nga Odeta, që unë dua ta falënderoj dhe faza e dytë e këtij procesi nga Artemisa. Kam qenë pak a shumë me fat në  këtë proces sepse për hir të së vërtetës, 95% e punës është koordinuar më së miri dhe pjesës time dhe kolegëve të tjerë që në fund firmosin për aktet, ia kanë lehtësuar shumë punën i gjithë grupi i punës dhe mënyra se si është realizuar ndërveprimi me institucione dhe me përfaqësues të ndryshëm të pakicave kombëtare në vend dhe natyrisht Konstandinën e cila  vijon të mbetet legjendë  dhe e patundur në bindjen e saj që shoqëria e shqiptareve do të bëhet me e mirë dhe më e drejtë me pjesëmarrjen e të gjitha pakicave, dhe jo vetëm pakicës që i ajo përket, se në fund të ditës si kryetare e Komitetit i duhet të reflektojë pikëpamjet e të gjitha pakicave në Shqipëri.

Në këtë pikëpamje në qoftë se do perifrazoja shprehjen të një pastori të famshëm amerikan, ligji që ne kemi kaluar është shenjë e tolerancës së shumicës dhe kurajës së pakicës dhe ne e dimë shumë mirë që puna kryesore tanimë ka të bëjë me miratimin e këtyre akteve, qoftë me procesin e vetë-identifikimit, është një proces i cili ka ato kleçkat dhe detajet e veta. 

Zysha ime Lika, këtu tund kokën sepse dhe ajo i përket një pakice çka ia bën më të lehtë mikut tim Kotzias kur vjen puna te procesi i vetë-identifikimit dhe procese që kanë të bëjnë me promovimin e gjuhës me mënyrën se si do të ndërveprojnë pakicat me autoritetet shtetërore me aksesin në mjetet e informimit publik. Televizioni shqiptar ka një program të posaçëm në këtë drejtim dhe ne jemi në kontakte të vazhdueshme me ekipin drejtues të televizionit shqiptar dhe dëshirojmë të thellojmë këtë bashkëpunim. Por duhet që të mirëkuptojmë njëri-tjetrin dhe ta ndihmojnë njëri -tjetrin në këtë proces duke respektuar natyrisht fushat tona të veprimit sepse duhet të kuptojmë që ky është proces evolutiv. 

Ekipi këtu kishte vendosur për të diskutuar për disa prej pasazheve të raporteve të Komisionit Evropian, do të më mirëkuptoni nëse nuk i lexoj këto pasazhe, janë nota vlerësuese për hapat që ka ndërmarrë Shqipëria po duhet tu them se pa mbështetjen e Komisionit Evropian, Delegacionit të BE-së këtu në Tiranë, pa mbështetjen e zyrës së Këshillit të Evropës, pa mbështetjen e OSBE-së në këtë proces ne do ta kishim të vështirë nga pikëpamja e ekspertizës për të ardhur në momentin që kemi ardhur dhe dua në të njëjtën kohë të shpreh angazhimin e Qeverisë Shqiptare, vetë prania këtu e disa prej pjesës më të lartë drejtuese të institucioneve shqiptare, qoftë Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, të cilat kanë një fushë veprimi që lidhet drejt për drejtë jo vetëm me zbatimin e ligjeve, po dhe miratimin e këtyre akteve, është shenjë e vullnetit tonë për të çuar përpara zotimet që kemi marrë, qoftë kur kemi aderuar në Konventën kuadër ashtu edhe kur miratuam vjeshtën e kaluar ligjin për mbrojtjen e pakicave. 

Ne e dimë shumë mirë edhe nga komunikimi në terren, qoftë dhe para pak ditësh kur ishim së bashku me kryeministrin në Dropull, apo para pak kohësh me pjesën e pakicës malazeze dhe serbe, në pjesën e Shkodrës, apo kur ishim së bashku dhe me kryeministrin Zaev në pjesën e Pustecit. E dimë shumë mirë që përfundimi i këtij cikli nuk i zgjidh si me magji të gjitha çështjet dhe të gjitha sfidat me të cilat komunitete të ndryshëm përballen në jetën e përditshme do të jetë një  proces e sfidë afatgjatë po e rëndësishme të bëhemi promotor të konsensusit politik e shoqëror për të ecur përpara dhe për të devijuar çdo lloj retorike që synon të helmatisë mirëkuptimin që ekziston mes nesh, apo atë që Papa Françesku me të drejtë e ka quajtur si uniteti në diversitet.

Faleminderit dhe njëherë tjetër të gjithëve për mbështetjen dhe praninë tuaj këtu.