Postuar më: 21 Maj 2018

Fjala e Ministrit Bushati në dëgjesën publike “Pakicat Kombëtare –Urë lidhëse” me përfaqësuesit e pakicës kombëtare greke. Procesi i hartimit të paketës së akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në RSH-së”.

 

 

Γεια Σας, Καλημέρα! (Jasas- Kalimera) Përshëndetje - Mirëmëngjes

Është kënaqësi për mua, siç e tha edhe Mirela por edhe Artemisa në hapje të këtij takimi që jemi këtu së bashku me Kryeministrin. Në nëntor kemi pasur një bashkëbisedim në Derviçan, ku një pjesë e të pranishmëve që ishin në atë ditë janë dhe sot këtu.

Atëherë fokusi kryesor i të gjithë takimit tonë ishte “Ligji për pakicat kombëtare që sapo kishim kaluar në Kuvendin e Shqipërisë. Një ligj mjaft modern dhe Shqipëria siç dihet është një nga 10 vendet anëtarë të Konventës Kuadër që ka një ligj të tillë dhe së bashku skicuam edhe rrugën drejt zbatimit të këtij ligji. Pra, jo vetëm përmes zbatimit të akteve nënligjore që i japin një efekt praktik ligjit por diskutuam edhe për  projekte të përbashkëta.

Kur vjen puna për minoritetin grek në Shqipëri, më lejoni që edhe një herë të ritheksoj të gjithë mirënjohjen që ne kemi për sa i përket kontributit tuaj në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore.

Së dyti, qeveria e Edi Ramës ka hapur një faqe të re në rindërtimin në radhë të parë të marrëdhënieve me Greqinë duke adresuar një dosje që mbart problematika rreth 70 vjeçare ku nuk diskutohet që minoriteti konsiderohet si një urë lidhëse dhe kjo qeveri së bashku me qeverinë mike greke të zbatojë projekte zhvillimore të cilat synojnë integrimin më të mirë të minoritetit grek në jetën politike dhe shoqërore. Shenjë e angazhimit të qeverisë së Edi Ramës është edhe fakti që në këtë proces unë ndihmohem nga Aremisa që është bijë e juaja që është njëra prej jush e cila bashkë-koordinon të gjithë këtë proces duke bashkëpunuar ngushtë me Konstandinin një tjetër bije nga kjo zonë për të përmirësuar të gjithë legjislacionin, praktikat, mënyrën sesi duhet të operojnë institucionet shqiptare dhe për të lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur këtë proces, pra procesin e integrimit sa më të mirë të komunitetit tuaj në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore.

Nuk është rastësi që një pjesë e mirë e atyre që kontribuojnë më shumë në GDP-në e vendit, biznesmenëve, vijnë pikërisht nga kjo zonë që është dëshmi e faktit që ju e keni ndërtuar jetën tuaj me djersën e ballit. Nuk është rastësi që këtu kam mësuar që edhe në vitet më të vështira siç ishte ’97 në këtë zonë janë paguar një më një detyrimet e energjisë elektrike, detyrimet e ujit dhe çdo gjë tjetër edhe kur shteti ka qenë vetë në pikëpyetje.

Prandaj është jo thjesht angazhimi i qeverisë të Edi Ramës por edhe detyra jonë për të punuar me ju si partnerë për të çuar së bashku jo vetëm ligje të standardeve evropiane që janë certifikuar edhe nga Komisioni Evropian si të tilla, ku Shqipëria është realisht një vend pararojë por edhe për të punuar me Qeverinë greke, me instanca të tjera ndërkombëtare për të zbatuar projekte që kanë lidhje realisht me atë që Papa Françesku nuk ka nguruar ta konsiderojë si uniteti në diversitet, duke iu referuar pikërisht asaj që thanë Artemisa dhe Mirela për sa i përket ditës së diversitetit.

Natyrisht që ky takim përkon edhe me një tjetër seri aktivitetesh që Qeveria shqiptare, përfaqësuesit tanë të zgjedhur po bëjnë në të gjithë Shqipërinë, turin e llogaridhënies. Dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që ka çështje të cilat prekin drejtpërdrejtë jetën e komunitetit këtu, që nuk kanë lidhje domosdoshmërish me përkatësitë e tyre, çështje përballë të cilave si një minoritar ashtu edhe dikush tjetër ndjejnë apo janë përballë të njëjtave vështirësi. Prandaj unë do të doja që t’ju inkurajoja që në ketë diskutim me kryeministrin në ketë diskutim me të gjithë këtu të pranishëm që janë përfaqësues të institucioneve qendrore apo vendore, fokusi i diskutimit të mos ishte vetëm tek ligji dhe tek ato çka ne po bëjmë për sa i përket akteve nënligjore por dhe çështje të natyrave të ndryshme që prekin drejtë për drejtë jetën tuaj dhe për çdo çështje ne jo vetëm do të mbajmë shënim por në rast se s’do  të jemi të mundur të kthejmë një përgjigje, nuk diskutohet që mes portalit “Shqipëria që duam” është gjithmonë një mundësi e mirë për secilin prej jush sidomos për çështje specifike për të marrë një përgjigje nga ana e institucioneve shtetërore brenda një afati 10 ditor.

Unë dëshiroj t’ja kaloj fjalën kryeministrit Edi Rama e më pas ne do të kemi një bashkëbisedim.

Faleminderit dhe njëherë tjetër.