Postuar më: 17 Nëntor 2017

Fjala e Ministrit Bushati në hapjen e punimeve të aktivitetit “Takim me Ambasadorët”

17 Nëntor 2017

Tirana Business Park

 

 

Zonja e zotërinj,

Të dashura kolege Mimi, Klotilda dhe Vasilika.

Takimi i sotëm vjen në një çast të rëndësishëm të transformimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Nuk është e tëpërt të kujtoj këtu se shqiptarët na kanë dhënë një mandat solid, për një politikë të Jashtme aktive, e cila demonstron vijimësi, duke i’u përshtatur në të njëjtën kohë nevojave të vendit.

Jetojmë në një epokë ku siguria, zhvillimi dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është pazgjidhshmërisht e lidhur me zhvillimet përtej nesh.

Jemi të gjithë të ndërlidhur e të ndërvarur në kushtet e një rendi ndërkombëtar në mutacion, ku mbizotëron paparashikueshmëria, paqëndrueshmëria dhe mungesa e strategjisë për t’u përballur me sfidat e Revolucionit të Katërt Industrial që do të krijojë jo vetëm mundësi të reja, por dhe sfida të mëdha.

Ky zhvillim i vrullshëm i teknologjisë së komunikimit po e fshin me shpejtësi kufirin midis çështjeve të brendshme dhe atyre të jashtme.

Kjo nënkupton që orientimi i politikës sonë të jashtme, krahas objektivave tradicionale të shtjellimit të diplomacisë klasike, duhet të ketë në fokus aspektin ekonomik dhe zhvillimor.

Nëse qëllimi i diplomacisë tradicionale është paqja, atëherë qëllimi i diplomacisë ekonomike është paqja përmes zhvillimit dhe mirëqenies. Shembulli më i mirë i kësaj është Bashkimi Europian, ku mirëqenia e bashkëpunimi mes vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik, ka siguruar jetëgjatësinë më të madhe të paqes e sigurisë në historinë e kontinentit tonë.

Në fakt, thuajse çdo çështje politike mbart një dimension ekonomik. Dhe se shumë prej mosmarrëveshjeve politike mund të zgjidhen duke ndërthurur politikën me ekonominë. Është ky dimension që duhet të na kujtojë ne si shërbim i Jashtëm, se nuk mund të jemi vetëm konsumatorë, por në radhë të parë kontribues në zhvillimin ekonomik të vendit.

Shpesh bëhet një kundërvënie e gabuar midis vlerave dhe interesave, sikur ato të jenë përjashtuese të njëra-tjetrës. E për pasojë, diplomacia që bazohet në vlera, nuk duhet të përzihet me ekonominë që bazohet në interesa.

Unë mendoj se interesat duhet të burojnë nga vlerat. Shqipëria ka shumë vlera të cilat duhet të njihen nga të tjerët nëpërmjet promovimit tonë. Ekspozita “Marubi”, konkursi “Colours of Albania”, janë një fillim premtues, por assesi nuk shterojnë punën tonë në drejtim të njohjes dhe përcjelljes së vlerave tona tek të tjerët.

Ky promovim nuk bëhet as në boshllëk e as duke improvizuar. Ai kërkon një qasje krejt të re, duke zbatuar skema e formula për promovim efikas të Shqipërisë atje ku nuk na njohin, apo edhe me keq, aty ku na njohin për keq.

Na duhet të kapërcejmë veten dhe atë ç’farë dimë të bëjmë më mirë, pra notat verbale, telegramet dhe komunikimin diplomatik e konsullor mes të ngjashmëve e të përftojmë aftësi të cilat i përgjigjen nevojave e realitetit ku jetojmë, të ndërlidhur e të varur prej zhvillimeve jashtë nesh.

Për kuriozitet, përpara së të vija këtu, shfletoja pak materialet, pasqyrat që vijnë si pasojë e raportime që ju, të nderuar kolegë, sillni nga vendet ku punoni. Në fakt, të them që u trishtova kur shoh që nga një vend i rëndësishëm në Azi, vetëm në muajin tetor ne kishim një raportim për çështje konsullore. Nga një vend po tjetër i rëndësishëm në Azi, i cili është mjaft agresiv me politikën ekonomike, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie tradicionale, ne kishim vetëm gjashtë raportime konsullore, tre prej të cilave ishin konsullore, dhe tre të tjera ishin administrative. Për të mos përmendur këtu vendet e Gjirit Persik që disa herë në analizat e mija i kam përmendur.

Këtu, është e rëndësishme që ne duhet të mësojmë nga eksperiencat më të mira të vendeve me madhësi të ngjashme, por me vizion më përparimtar dhe ndjeshmëri më të madhe për pasojat që puna jonë e përditshme, traktatet, marrëveshjet e ceremonitë diplomatike kanë në jetët e njerëzve dhe komuniteteve.

Këtu ne mund të fuqizojmë instrumentet ekzistues diplomatikë si për shembull: komisionet ekonomike dypalëshe, nismat rajonale dhe ndërkombëtare si Procesi i Berlinit dhe nisma Kinë- Evropë Qendrore e Lindore 16+1.

Por kjo është vetëm abc-ja e punës sonë diplomatike. Ne duhet të integrojmë organikisht në punën tonë të përditshme një vizion të ri për misionin që na është ngarkuar.

Si mund të përkthehet kjo në hapa konkretë?

Së pari, të shndërrojmë përfaqësitë tona diplomatike në qendra informacioni të vlefshme. T’i kthejmë ato në one-stop-shops për shërbimin ndaj njerëzve dhe promovimin e mundësive për biznes në Shqipëri.

Së dyti, të përmirësojmë rrënjësisht cilësinë e burimeve njerëzore. Ta përshtasim atë me nevojat e vendit ku ne përfaqësohemi. E kam fjalën për një shërbimi modern diplomatik të cilit i duhen aftësi dhe jo thjesht CV apo grada.

Së treti, të forcojmë rrjetet e konsujve të nderit të Republikës së Shqipërisë ku një pjesë e mirë e rasteve konsiderohen si qoka.

Së katërti, duhet të ndërthurim burimet tona njerëzore dhe dijen e shërbimit të Jashtëm me metoda inovative dhe moderne të komunikimit.

Mediat sociale janë shembulli më kuptimplotë i metodave të reja të komunikimit me cilësi të lartë dhe kosto të ulët, në një botë të ndërlidhur marrdhëniesh njerëzore. Brenda pak vitesh, ne arritëm të shndërrohemi nga një aktor inekzistent, në pikë referimi për shumë rrjete të tjera individësh e organizatash nëpërmjet aktivizimit në FB, Tvitter e Instagram. Madje jemi të parët në rajon me aplikacion të dedikuar si për shërbimet konsullore, ashtu edhe për udhëtarët jashtë vendit.

Por teknologjia nuk e zëvendëson dot njeriun. Prandaj, së pesti, dhe kjo lidhet drejtpërsëdrejti me idenë e nevojës sonë për t’u rrjetëzuar e komunikuar me mirë, përfaqësitë tona duhet të krijojnë e ushqejnë marrdhënie me botën, me shoqëritë ku punojnë. Kjo përfshin komunikimin e strukturuar me median, universitetet, botën e mendimit dhe me individë të cilët formësojnë opinionin publik në vendet e tyre.

Së gjashti, të njohim mirë ndjeshmëritë, interesin për ne, përparësitë ekonomike dhe përfitimet që një vend e jo një tjetër mund të ketë për Shqipërinë. Për shembull, duhet të ketë një arsye pse fqinji ynë, Mali i Zi importon agrume nga Amerika Latine dhe jo nga Saranda. Se përse disa nga produktet tona bujqësore dhe të peshkimit nuk arrijnë të penetrojnë apo të promovohen në tregun e BE-së.

Lista e pyetjeve që unë i bëj çdo ditë vetes, ç’farë mund të bëj më mirë në Danimarke, çfarë mund të bëj më mirë në Holandë, ç’farë mund të bëjmë më mirë në një pjesë të kryeqyteteve të vendeve anëtare të BE-së me të cilat ne duam të kultivojmë marrdhënie më të ngushta politike dhe ekonomike, kam përshtypje që mund të jetë shumë më e gjatë.

Ndaj unë pres që secili prej jush të mendojë, propozojë, iniciojë e ideojë sesi mund të punohet më mirë me një numër vendesh me të cilat na lidhin fort interesat dhe këndvështrimi politik, por më të cilat njihemi pak ose aspak në aspektin ekonomik e zhvillimor.

Kjo do të thotë gjithashtu të arrijmë të kemi një analizë të asaj që prodhohet dhe eksportohet nga Shqipëria, për të krijuar sinergji që funksionojnë. Duhet të angazhohemi për të vendosur kontakte me kompanitë, profilet e të cilave përshtaten me avantazhet e ekonomisë shqiptare, për të organizuar takime e vizita e për të sjellë sa më shumë investitorë në Shqipëri.

Së shtati, të shohim zonat ndërkufitare e shqiptarët që jetojnë në rajon si potencial ekonomik, njerëzor e zhvillimor. Personalisht e mendoj shpesh këtë kur udhëtoj në të gjithë Shqipërinë: Si mund t’a promovoj më mirë jashtë vendit Shqipërinë, si mund t’a promovoj më mirë një prodhim unik, një produkt vendas, apo një talent në universitetet tona që nuk e gjen veten në Shkodër, Gjirokastër apo Elbasan. Ç’farë mund të mësojmë në këtë drejtim nga vendet afër nesh, burimet e të cilëve krahasohen me tonat, por të ardhurat e tyre nga turizmi i tejkalojnë të ardhurat tona disafish. Vetëm sot, sëbashku me një pjesë të kolegëve, e kishim platformën trepalëshe të Adriatikut dhe patëm mundësinë të dëgjojmë për të disatën herë eksperiencën e dy vendeve me të cilat ne ndajmë interesat e përbashkëta në Adriatik, në këtë fushë. Ç’farë mund të mësojmë ne nga historia dhe eksperienca e suksesshme e shqiptarëve që studiojnë rreth e përqark nesh në shtetet fqinje?

Së teti, shqiptarët jashtë atdheut përbëjnë asetin tonë më të çmuar, si ambasadorë të natyrshëm të Shqipërisë në botë. Ndihma e tyre në akses e informacione dhe në mundësi për investime kërkon vetëm strukturim dhe një partner të besueshëm te shërbimi ynë, duke u bazuar te themelet që hodhi Samiti i Parë i Diasporës.

Edhe në këtë drejtim, historitë e suksesit, SHBA, Kanada, në disa prej vendeve të Evropës nuk mungojnë, por ende jemi larg një qasjeje realisht të strukturuar të komunikimit dhe bashkëpunimit me diasporën tonë.

Së fundmi, dua të shtroj një pyetje: Sa e njohin diplomatët tanë vendin e tyre? Vendin ku ata jetojnë. Sa e njohim Shqipërinë jashtë zyrave tona? Këto tre ditë, unë shpresoj fort, se do të ndihmojnë që ju të njiheni më mirë me projektete kryesore, me politikat kryesore, me legjislacionin vendas që lidhet me ekonominë, tregtinë, transportin e jo më pak me autorësinë intelektuale e trashëgiminë kulturore.

Për këtë, kemi nevojë të dalim një orë e më parë nga ajo që kam filluar t’a quaj: “ishullzimi administrativ” e mbajtja e informacionit sipas modelit të punonjësit të “Pallatit të Ëndrrave”.

Ky aktivitet duhet të na afrojë më shumë drejt formateve bashkëkohore të modelit A2B (ambassador to business), e konsultave mes diplomatëve dhe aktorëve ekonomikë, si publikë ashtu edhe privat. Pas këtij aktiviteti, për çdo përfaqësi, për çdo drejtues misioni, ne do të ndërtojmë një listë prioritetesh, një plan pune se si ne do të kemi mundësi për të matur performancën e çdo drejtuesi misioni, duke e vendosur promovimin e diplomatëve të talentuar në funksion të promovimit të mëtejshëm të resurseve të vendit në një prej prioriteteve kyçe të punës së shërbimit të Jashtëm.

Sepse ne besojmë që kemi nisur një proces i cili do të duhet të na ndriçojë të gjithëve për t’a kthyer shërbimin tonë nga një shërbim konsumator, aktualisht i ekonomisë dhe buxhetit të shtetit, në një shërbim kontribues.

Faleminderit!