Postuar më: 12 Shkurt 2018

Fjala e Ministrit Bushati në Komitetin Parlamentar të Stabilizim – Asociimit (SAPC) Shqipëri - BE

Të nderuar kolegë,

Dëshiroj të shpreh kënaqësinë për praninë në punimet e këtij Komiteti, i cili mbahet në një moment kyc të një viti vendimtar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.  

Do të ishte e vështirë të flisja për stadin dhe ecurinë e marrëdhënieve tona pa përmendur që në krye të herës Strategjinë e Komisionit Evropian për Zgjerimin, të publikuar javës që shkoi. Përmbajtja e këtij dokumenti dëshmon vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ofron një listë masash për transformimin e të gjitha vendeve të rajonit.

Në mirëpresim vlerësimin dhe gatishmërinë e Komisionit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe e konsiderojmë atë si shprehje të njohjes së progresit në vend, dhe si konfirmim të nevojës për të ecur përpara në këtë drejtim. Besojmë që ky vlerësim i Komisionit do të mbështetet njëzëri nga Vendet Anëtarë të Bashkimit Evropian, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave në Shqipëri dhe stabilitetin demokratik të rajonit.

Ne gjithashtu besojmë se në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do të jetë në gjendje të forcojë angazhimin në rajon e të demonstrojë qartësi strategjike për të transformuar thellësisht dhe këtë pjesë të Evropës. Strategjia e Sigurisë Globale, e prezantuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në korrik të 2016, nënvizoi rëndësinë strategike të rajonit të Ballkanit Perëndimor për arkitekturën e sigurisë evropiane. Strategjia e Zgjerimit e konfirmon këtë mesazh.

Rikthimi i vëmendjes së Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit duke theksuar rëndësinë e përspektivës së besueshme të anëtaresimit për Ballkanin Perëndimor është mesazhi i duhur në këtë moment. Ai është një investim me vlerë për afrimin e mëtejshëm të rajonit dhe kontribuon në krijim një atmosfere pozitive për një interes të përbashkët e që ka në themel angazhimin që Ballkani Perëndimor të zhvillohet në paqe, siguri dhe të përparojë duke u bërë pjesë e hapësirës së begatë evropiane.

Gjatë muajit dhjetor, Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë Bruksel ku u takua me të gjithë krerët e institucioneve evropiane dhe diskutoi stadin e reformave në Shqipëri në optikën e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. E përbashkëta e mesazhit që na u transmetua nga të gjithë partnerët tanë evropianë ishte se, Shqipëria po përparon me reformat që e sjellin vendin më afër BE dhe i ambicies e ëndrrës evropiane.

Në mënyrë te veçantë, vlerësohet angazhimi ynë madhor, si në reformimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë, ashtu dhe në luftën kundër lëndëve narkotike, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Parlamenti, megjithë debatet e zjarrta e rezistencën e shfaqur nga segmente të caktuara të politikës, ka pasur një rol jo të vogël në përmbushjen e reformave kyçe. Në muajt e parë të legjislativit të ri, arritëm të miratonim me konsensus një numër aktesh që lidhen me konstituiimin, financimin dhe funksionimin e institucioneve të vetting-ut, sikundër ligjin  shumë të rëndësishëm për pakicat kombëtare.

Periudha në vijim do të jetë vendimtarë për Shqipërinë. Në frymën dhe angazhimin e Strategjisë së Zgjerimit, ne presim që raporti i Komisionit Evropian, krahas evidentimit të progresit dhe reformave që duhen ndërmarrë të projektojë qartësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Një vlerësim i tillë do të krijonte atmosferën e nevojshme dhe besimin mes Vendeve Anëtare për vendimmarrjen dhe afatizimin e këtij procesi.

Fillimi i bisedimeve është vetëm fillimi i një pune edhe më të madhe, edhe më të vështirë, edhe më komplekse. Është në të vërtetë hapja e kantierit më të madh në të cilin është angazhuar ndonjëherë vendi. Puna e përpjekjet e deritanishme na japin besimin se kemi arritur masën kritike për tu angazhuar në këtë rrugë dhe ecuria e procesit, reformat në vijim dhe arritjet konkrete do të sigurojnë për Shqipërinë një sens të qartë drejtimi. Angazhimi në procesin e bisedimeve do të siguronte qartësi dhe besueshmëri për procesin jo vetëm tek aktorët e përfshirë, qeverinë dhe institucionet, por në tërë shoqërinë shqiptare. Procesi i bisedimeve do të rriste më tej rolin dhe ndikimin e BE-së, kryesish përsa i përket ritmit dhe shtrirjes së reformave, do të përshpejtonte progresin e Shqipërisë dhe do të çimentonte më tej angazhimin tonë të pakthyeshëm evropian.

Reforma në sistemin e drejtësisë e ilustron më mire se çdo reformë tjetër impaktin e procesit të integrimit evropian. Mjafton të hedhim për një sekondë vështrimin pas dhe do të konstatojmë se në një kohë relativisht të shkurtër është bërë e mundur vendosja e kësaj reforme në një shinë të sigurtë.

Ka filluar zbatimi i elementit kyç të reformës në drejtësi, që është rivlerësimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve duke nisur me gjykatat më të larta. Proces që bazohet në tre kritere thelbësore që përfshijnë vlerësimin e figurës, aftësive dhe aseteve. Ndërkohë që është për t’u shënua fakt që një pjesë e gjyqtarëve të instancave më të larta kanë dhënë dorëheqjen duke mos pranuar që t’i nënshtrohen procesit të vettingut, çka do të thotë që reforma ka filluar të japë frytet e saj.

Më lejoni të them dy fjalë edhe në lidhje me marrëdhëniet me vendet e rajonit ku Shqipëria ka fuqizuar angazhimin dhe kontributin e saj. Me Greqinë jemi përfshirë në një proces intensiv dialogu që synon të adresojë çështje me një peshë të caktuar historike por edhe tema të mprehta të aktualitetit.

Kemi pasuruar traditën e takimeve ndërqeveritare me Maqedoninë krahas Kosovës. E të njejtën gjë do të bëjmë në pranverë edhe me Malin e Zi. Po forcojmë bashkëpunimin rajoanl përmes vënies në jetë të Planit të Veprimit për krjimin e Zonës Ekonomike Rajonale. Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe RYCO, dy organizatat më të reja, janë tërësisht funksionale dhe kanë filluar projektet konkrete.

Në këtë kontekst, vlerësojmë vendin që Strategjia e Zgjerimit i dedikon linjëzimit të politikës së jashtme të vendeve kandidate me atë të Bashkimit Evropian, një fushë ku njihet qartësisht serioziteti dhe vijimësia e politikës së jashtme të Shqipërisë.

 Të nderuar kolegë,

Dedikimi ynë ndaj agjendës së reformave është veçse riafirmim i qartësisë strategjike dhe vendosmërisë që vendi ka në orientimin e tij Euro-Atlantik.

 Ne i inkurajojmë partnerët tanë evropianë që të monitorojnë nga afër progresin që Shqipëria ka bërë dhe po bën në mënyrë të që të ecim bashkarisht drejt një perspektivë të qartë të integrimit evropian. Më lejoni duke përfunduar që të t’ju falenderoj për mbështetjen e deritanishme dhe të shpresoj në mirëkuptimin dhe ndihmën tuaj për të hapur së shpejti një faqe të re në marrëdhëneit tona.

 Ju faleminderit!