Postuar më: 07 Maj 2018

Fjala e Ministrit Bushati në Konferencën e Tiranës "Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE: Forcimi i kapaciteteve institucionale përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave "

 

Ministër Czaputowicz, i dashur Jacek,

Të nderuar pjesëmarrës,

Fillimisht dëshiroj të shpreh vlerësimin e thellë për mbështetjen e Polonisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sot kjo mbështetje merr një dimension të ri falë gatishmërisë për të ndarë me Shqipërinë ekspertizën polake të procesit të anëtarësimit, duke na mundësuar që të përgatitemi sa më mirë dhe më shpejt për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Kam nderin të hap sot Konferencën e Tiranës, një forum konsultativ që ka si objektiv kryesor transferimin e përvojës që Polonia fitoi para-anëtarësimit në BE, tek institucionet tona.

Konferenca e Tiranës bazohet te modeli i suksesshëm i bashkëpunimit midis Holandës dhe Polonisë gjatë përgatitjes polake për anëtarësim. Polonia përfitoi nga ekspertiza holandeze dhe po e ndan përvojën e saj me Shqipërinë dhe Maqedoninë duke dëshmuar frymën e vërtetë të integrimit evropian.

Si i tillë, ky Forum më shumë se një tryezë konsultative i përngjan trajektores transformuese të vetë procesit të integrimit: si një proces që huazon nga vendet më me eksperiencë, si Holanda, në vendet e anëtarësuara me valën e dytë të zgjerimit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, si Polonia, e deri te vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Çfarë na tregon kjo trajektore e politikës së zgjerimit nga Holanda te Polonia e te Shqipëria e vendet e tjera të rajonit të Ballkanit perëndimor?

Së pari që secila valë zgjerimi ka qenë e ndryshme nga njëra tjetra dhe ka reflektuar kontekstin gjeopolitik të momentit: Vala e ‘Zgjerimit drejt Lindjes’ e vitit 2004 iu përgjigj nevojës për bashkimin e Perëndimit dhe Lindjes së Evropës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe bazohej në një nevojë e vizion të qartë politik për demokratizimin e liberalizimin e hapësirës ish komuniste të kontinentit.

Së dyti, që ky proces i është dashur t’i adoptohet vetë nevojave të vendeve të rajonit të cilët i janë bashkuar hapësirës evropiane. Zgjerimi i vitit 2004 ndryshon në fakt me politikën e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor sepse ekziston një ndryshim ekonomik, social e pikësëpari kulturor, dhe këtu i referohem kulturës politike  e administrative mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e atyre të Evropës Qendrore e Lindore, përfshi këtu dhe vendet Baltike. Këto të fundit kanë përjetuar në historinë e tyre periudha të konsolidimit të kulturës administrative dhe asaj demokratike, siç dëshmon edhe përvjetori i 226-të i 3 majit të Kushtetutës së parë evropiane të Monarkisë polako-lituaneze.

Në kontrast, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë histori të përshkuar nga shtetformimi i vonë dhe procese të vështira e gati heroike shtetndërtimi, të penguara nga nacionalizmi, korrupsioni e mungesa e traditës për sa i përket sundimit të së drejtës.

Pikërisht për këtë arsye procesi i integrimit evropian të këtyre vendeve vë theksin tek nevoja e konsolidimit të shtetit të së drejtës e zgjidhjes së problemeve të karakterit dypalësh të cilat kanë një sfond etnik e historik mes dy vendeve.

Së treti, ky proces tregon sesa më shumë një vend afrohet në procesin e integrimit evropian, aq më shumë shtohet edhe numri i aktorëve të përfshirë, e shpesh edhe rezistentë ndaj projektit të integrimit evropian.

Por eksperienca e Polonisë e vendeve të tjera të Evropës Qendrore tregon ndikimin transformues që projekti evropian mund të ketë: që nga zhvillimi ekonomik, mobiliteti apo lëvizshmëria, rindërtimi dhe zhvillimi i rajoneve ndërkufitare e deri te ngritja e kapaciteteve në fusha si bujqësia, transporti, mirëqenia e politikat sociale.

Vizita e Ministrit të Jashtëm të Polonisë, kolegut Czaputowicz sot në Tiranë dhe inicimi i kësaj konference vjen në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë: Në momentin kur po përforcojmë përpjekjet tona për zbatimin e reformave shtetndërtuese e shtetkonsoliduese, pas rekomandimit të qartë të Komisionit Evropian për të nisur bisedimet për anëtarësim.

Paketa e Zgjerimit e publikuar më 17 prill vlerësoi  progresin e qëndrueshëm që Shqipëria ka vazhduar të shënojë në 5 Prioritetet Kyçe, duke na dhënë kështu një sinjal të qartë se jemi në rrugën e duhur të reformave të lidhura me integrimin evropian.

Raporti së bashku me komunikatën e Komisionit tregojnë se Shqipëria e meriton vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Komisioni na tregon qartë rrugën përpara për sa i përket përparimit të mëtejshëm në 5 Prioritetet Kyçe në kuadër të bisedimeve të anëtarësimit.

Kushtëzimi dhe monitorimi, në kontekstin e qasjes së përforcuar në negociatat për kapitujt 23 dhe 24, do të jetë shumë i rëndësishëm për zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi dhe konsolidimin e bazës së të dhënave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çka lidhet ngushtë me reformën e drejtësisë.

Ashtu si edhe me vendet që aktualisht janë duke negociuar, puna zbatuese në kuadër të negociatave për kapitujt 23 dhe 24 do të vazhdojë të thellohet më tej.

Ndaj Konferenca e Tiranës vjen në çastin e duhur. Fokusi i punës sonë sot e në vijim do të jetë në:

1. Koordinimin institucional të procesit të negociatave dhe,

2. Përgatitjen e negociatave për kapitujt 23 dhe 24.

Lidhur me koordinimin institucional, ne po punojmë për të planifikuar përbërjen dhe kompetencat e organeve që do të përbëjnë ekipin dhe strukturën negociatore. Shkëmbimi i përvojës së sotme do të jetë i dobishëm për të përfituar nga mësimet e nxjerra nga Polonia në lidhje me këtë proces.

Lidhur me përgatitjen e negociatave për kapitujt 23 dhe 24, si pjesë e angazhimit teknik, një vit më parë, në Bruksel, u mbajtën takimet shpjeguese për këto kapituj. Kjo konferencë do të prezantojë për nëpunësit civilë shqiptarë që marrin pjesë në grupet ndërinstitucionale të punës, përvojën polake në këto kapituj.

Jemi të vetëdijshëm se negociatat kërkojnë një ekip të përkushtuar, njerëz të kualifikuar dhe administratë publike të mirë-motivuar. Gjithashtu, ata kërkojnë dhe përfshirjen e një pjese të madhe të botës akademike, shoqërisë civile e biznesit. Në këtë kontekst, ne nesër do të mirëpresim po në këtë sallë dy panele të nderuar njohësish të mirë të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, nëpërmjet pozicioneve drejtuese që kanë mbajtur, si dhe ekspertësh e aktivistësh të shoqërisë civile.

Jam i bindur se procesi që po fillojmë sot do të zhvillojë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Polonisë dhe Shqipërisë në çështjet që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se, Polonia do të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit në vitin 2019, shprehje kjo e investimit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të këtij vendi mik në integrimin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.  

Ju faleminderit edhe një herë tjetër, Ministër! Fjala për ju.