Postuar më: 30 Nëntor 2017

Fjala e Ministrit Bushati në konferencën me temë “Stuhi e ardhshme? Formimi i së ardhmes në Ballkan në një epokë pasigurie” organizuar nga Këshilli Atlantik

30 nëntor 2017

Faleminderit!

Do të doja të ndalesha në disa nga pikat që u prezantuan gjithashtu nga panelistët e tjerë.

Së pari do të doja të them se është gjithmonë kënaqësi të kthehem këtu në Këshillin Atlantik, të cilin e konsideroj si një platformë për diskutim dhe marrje njohurish mbi integrimin euro-atlantik. Është një vend ku ne mund të mësojmë shumë prej njëri-tjetrit, mund të ndajmë eksperiencat tona. Do të doja të falënderoj edhe njëherë organizatorët, të cilët i mbajnë dyert gjithmonë hapur për të gjithë ne.  

I dëgjova me shumë kujdes të gjithë panelistët. Ne kemi folur për rajonin dhe ne dëshirojmë të flasim për rajonin, por kam frikë se nuk jemi ende një rajon. Dua të kujtoj se kam pasur pak a shumë të njëjtën teori kur unë erdha për herë të parë, këtu në këtë shtëpi. Sigurisht, situata në Ballkan është shumë më e qëndrueshme nga sa ka qenë 10-15-20 vitet e fundit.

Zyrtarisht, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po aspirojnë të bëhen anëtarë të BE. Ju keni katër kandidatë zyrtarë. Ju mund të luani me vendet e Ballkanit Perëndimor në kosha të ndryshëm. Ju mund edhe ti quani Maqedoninë dhe Shqipërinë kandidatë profesionistë, nëse dëshironi.

Kur kemi filluar këtë proces për herë të parë, integrimi në BE dukej paksa i largët. Atëherë në vitet 96, vendeve të rajonit përfshirë edhe Shqipërinë, iu ofrua një marrëveshje Evropiane. Si Bullgaria edhe Rumania, nënshkruan në atë kohë marrëveshje me Bashkimin Evropian. Por më vonë shumë ndryshime të brendshme dhe të jashtme prekën vendin tonë.

Së dyti, kur flasim për integrimin Euro-Atlantik, keni anëtarë të NATO-s, si Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria. Askush nuk e përmend Kosovën. Kosova po kërkon me dëshpërim që të ketë një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n. NATO nuk është në gjendje të ofrojë ose të jetë krijues si BE ka qenë me Kosovën. Janë  marrë vendime në kuadër të NATO-s.

Ne, si ministra të jashtëm nuk ishim në gjendje të zgjidhnim çështjen e Kosovës. Kjo, për arsye të dukshme. Për shkak të mosnjohësve. Ka vende si Serbia që janë ulur në dy karrige. Ka deklarata që vijnë nga zyrtarë të ndryshëm, nga zyra të ndryshme në Perëndim. Por, ky është një fakt. Askush nuk është në gjendje ta parandalojë këtë. Kjo është relative.

Pastaj, ju keni Bosnjën dhe unë kam frikë se Rosemary po mbronte rrugën e Bosnjës drejt NATO-s më shumë sesa vetë zyrtarët e Bosnjës. Në dy vitet e fundit kam vërejtur se përfaqësuesit e qeverisë nga Bosnja dhe këtu i referohem Bosnjës dhe jo strukturave të ndryshme, nuk e mbrojnë më bashkimin e Bosnjës në NATO.

Pra, kur është fjala për këto dy elementë, është shumë e vështirë të flitet për rajonin e vërtetë. Kjo reflektohet edhe në mënyrën se si rajoni ynë po i përgjigjet sfidave të ndryshme. Nëse analizoni për shembull, ngjashmërinë e politikave së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, megjithëse katër vende kandidate kanë përgjegjësinë për të shtrirë pozicionin e të politikës së tyre të jashtme, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi, dy vendet e tjera nuk e bëjnë këtë.

Gruevski po kthehej prapa dhe këtu shoh mikun tim maqedons. Sa herë që vij, këtu, në këshillin e Atlantikut, ai do të ketë një pyetje për të më bërë ose do të debatojë me mua. Shpresoj që kjo të ndodhë përsëri sonte. Por, kjo ka qenë situata në Ballkan dhe sfida e parë sipas mendimit tim, është se si ta transformojmë Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë, politikisht, ekonomikisht dhe në një rajon të sigurt.

Ka edhe një element tjetër, të cilin unë do të dëshiroja të prek. Ne nuk duhet të biem në grackën e kapitujve dhe këtu jam dakord me Hedwickin, sepse kemi një situatë në rajon ku nuk gjen gjithmon korrelacion midis kapitujve dhe shpejtësisë apo cilësisë së procesit të pranimit. Senatori po përmendte lirinë e medias, e cila është një temë shumë e rëndësishme në rajonin tonë.

Askush nuk është në gjendje të tregojë se një vend i caktuar, që duket të jetë në tryezën e pranimit ose është një kandidat, ka ndryshuar. Ne nuk duam të bëhemi Suedi, ndoshta është e pamundur që ne të bëhemi Suedi. Ndoshta është e pamundur që disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian të bëhen Suedi. Por, është e rëndësishme të tregojmë synimin për tu përmirësuar. Ndonjëherë, ndoshta është përshtypja ime e gabuar, ju jeni të kënaqur nga liderë të caktuar, të cilët janë në gjendje të veprojnë, por nuk arrijnë të demokratizojnë shoqërinë dhe nuk japin kontribut të drejtpërdrejtë për procesin e demokratizimit në shoqëri.

Prandaj, është shumë e vështirë të shihet ky korrelacion ndërmjet hapjes së kapitujve dhe ciklit të demokratizimit. Nuk është rastësi që ju shikoni pak a shumë të njëjtët liderë. Ju shikoni pak a shumë të njëjtën strukturë politike në rajon. Tani po hyjmë edhe në këtë periudhë të rrjetit të gjykatave dhe njësive speciale të prokurorisë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u inspiruar, ndoshta nga përvojat e Rumanisë dhe Kroacisë.

Gjithmonë bëhet një diskutim paranojak, pasi emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre proceseve ka të bëjë me riorganizimin e skenës publike në të gjitha shoqëritë tona. Ky është një ushtrim i dhimbshëm për shoqëritë tona. Përsa i përket sfidave, pavarësisht se Mali i Zi ka hapur 28 kapituj, Shqipëria është gati të ulet në tryezën e pranimit. Ne, pak a shumë, jemi përballur me të njëjtat sfida sic janë: institucione të dobëta dhe shteti ligjor, korrupsioni dhe krimi i organizuar, tensionet etnike. Ne kemi vërejtur vitin e kaluar në Mitrovicë dhe Republikën Srpska, pabarazinë ekonomike. Ekziston një hendek i madh, jo vetëm midis Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Perëndimore, por po përjetojmë një hendek midis Ballkanit Perëndimor dhe të ashtuquajturave vende të reja anëtare të BE. Ekziston gjithashtu një ndryshim në mënyrën sesi anëtarët e BE-së kanë akses te fondet.

Unë kurrë nuk do ta harroj bisedën me ish-Presidentin e Bullgarisë. Ai më tregoi se ata marrin fonde strukturore nga Bashkimi Evropian dhe për ata e kanë më të lehtë se Serbia, të përparojnë në projektin e infrastrukturës. Kjo pasi Serbia duhet të mbështetet vetëm në buxhetin e shtetit. Pra, kjo i bën fqinjët të përballen me një situatë të vështirë. Ndonjëherë, më besoni, është paksa e pakëndshme të dëgjoj fqinjët që na thonë se ne i përkasim Evropës, kemi fatin evropian. Ne jemi fqinjë, e dimë këtë. Por, askush nuk na thotë si ta kthejmë këtë në terma konkret. Kështu ne hyjmë në sherr; cili është përmendur i pari, cili është ulur i pari, cili është favorit.

Hedwig tha se na pëlqen procesi i Berlinit. E dini pse? Kur Angela Merkel thërret liderët e Ballkanit, nuk ka grindje se si të ulesh rreth tryezës për shkak të presidentëve gjermanë, për shkak të udhëheqjes gjermane. Por nëse e thërrasim ne njëri-tjetrin, kam frikë se zakonet e vjetra vdesin me vështirësi. Fillojmë të grindemi se kush do të ulet këtu, nëse do të përdorim simbolet kombëtare e kështu me radhë. Për më tepër, na mungon komunikimi i duhur edhe me partnerët tanë.

Cili është propozimi im përsa i përket bisedimeve? Së paku do të ketë tri fusha ku konsideroj shumë të rëndësishëm kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe koordinimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër. Dëgjova dje sekretarin Tillerson duke thënë se Evropa duhet të shkruajë vetë kapitullin e saj të ardhshëm në histori. Kjo është diçka pozitive dhe shpresoj që kjo të nxisë më shumë solidaritet brenda Bashkimit Evropian. Por, ajo që mësuam këto 25 vitet e fundit, është se prania amerikane në rajonin tonë, në Evropë është e domosdoshme. Është e domosdoshme për çështjet që lidhen me reformat e sigurisë.

Shqipëria është një shembull. I gjithë transformimi i shërbimit inteligjent është bërë përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Ky nuk është rasti ende në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Nuk është ende rasti në Maqedoni, ku kemi parë shërbimin e inteligjencës të bëhet pjesë e lojërave politike në publik. Nuk është rasti i Serbisë, ku ju mund të shihni qartë ndikimin e të ashtuquajturit aktor i tretë në shërbimin e inteligjencës. Nuk është akoma në Bosnjë. Ne duhet ta përfundojmë këtë cikël sepse është shumë i rëndësishme, pa marrë parasysh nëse një ditë vendet e tjera do t'i përkasin Bashkimit Evropian apo jo.

Së dyti, reformat e drejtësisë dhe reformat lidhur me shtetin ligjor, ose mund ta vë në një kuadër më të madh, reformat e lidhura me shtetin ligjor ekonomik. Këtu Shtetet e Bashkuara duhen të jenë më të pranishëm, siç ishte në rastin e vendit tim, me Shqipërinë. Ndërsa, Bashkimi Evropian ka prezencë të lehtë. Nëse flasim për kapitullin 23 dhe 24 dhe detyrimet që rrjedhin nga këta kapituj, duhet të kemi një pikëpamje të qartë se si do të jetë gjendja në shoqëritë tona për 2 vjet, për 4 vjet, brenda 5 vjetësh, jo vetëm që të kemi këtë shfaqje formale, ku ne po garojmë me njëri-tjetrin se kush harton ligje më shpejt.

Elementi i tretë është zhvillimi ekonomik. Kjo është pika e fundit që do të trajtoj. Dy vitet e fundit, ne kemi punuar ngushtë me Bashkimin Evropian, si ministra të jashtëm që vijnë nga vendet kandidate. Çdo gjashtë muaj, ne jemi së bashku me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe a e dini se cilat ishin temat që kemi diskutuar këto dy vjet e gjysmë? Terrorizmi, migrimi, kështu që kanë qenë vetëm rreth gjendjes së menaxhimit të krizave. Por ne ishim mjaft të suksesshëm.

Pra, Ballkani Perëndimor po vepronte si një ofrues i sigurisë për të gjithë arkitekturën e Evropës, arkitekturën e sigurisë të Evropës. Por si ka mundësi që ne nuk jemi në gjendje të punojmë në një narrativë bindëse që do të kapërcejë hendekun mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian? Rozmari theksoi faktin se njerëzit po largohen nga Ballkani. Kjo është për shkak të mungesës së një perspektive të qartë ekonomike dhe ne duhet të përqendrojmë shumë përpjekjet tona edhe në këtë pikë.

Faleminderit!