Postuar më: 11 Tetor 2017

Fjala e Ministrit Bushati në Konferencën vjetore të Ministrave të Punëve të Jashtme të V4 dhe Ballkanit Perëndimor

 

11 Tetor 2017

Dëshiroj ta nis këtë  fjalë duke falënderuar në radhë të parë Piterin, për kënaqësinë që na dha gjatë qëndrimit këtu dhe për ambientin shumë të ngrohtë që krijoi për bashkëbisedimin për të gjitha çështjet që kanë lidhje me progresin e  6 vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe për klimën rajonale të krijuar e për një bashkëpunim dhe ndërveprim më të mirë mes nesh, vendeve të Vishegradit dhe disa vendeve të tjera që ishin sot të pranishëm këtu, të cilëve gjithashtu dëshiroj t’u shpreh falënderimet për mbështetjen që i japin për Shqipërinë dhe gjithë vendeve tona të rajonit në kuadër të procesin të integrimit evropian.

Së dyti, dua të them që gjatë këtyre viteve, sidomos dy-tre viteve të fundit kur Evropa është përballur me disa kriza të cilat kanë cënuar sigurinë dhe arkitekturën e sigurisë së ndërtuar me shumë mund në dekada, Ballkani Perëndimor e dëshmoi veten qartë që ishte kontributor dhe jo më konsumator i sigurisë. Besoj se tashmë është momenti kur ne, nga faza e stabilizimit dhe e kontributit për sigurinë të kalojmë drejt politikave zhvillimore që zbusin hendekun ekzistues mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Bashkimit Evropian, duke mos folur thjeshtë për zgjerimin, por duke u ndalur fort në procesin e konsolidimit të projektit evropian.

Për këtë, besoj se është shumë e rëndësishme që vendet që mendojnë si ne, të cilat nuk janë ulur sot në tryezë me ne, por janë një shumicë e madhe e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të punojnë me ne dhe me Komisionin Evropian për një proces i cili duhet të udhëhiqet për nga cilësia, besueshmëria apo kredibiliteti, si dhe për kanlendarizimin e këtij procesi në mënyrë që mos të krijohen vakume në Ballkanin Perëndimor dhe të mos krijohen situata të paparashikueshme.

Sa na përket ne, si Shqipëri, biem dakord me deklaratën e përbashkët të vendeve të Vishegradit sot këtu, për fillimin sa më parë të procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke pasur në vëmendje angazhimin tonë të plotë për zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është një reformë shumë ambicioze ndoshta më ambiciozja në rajon, edhe pse ne ende nuk jemi ulur për të diskutuar detyrimet që burojnë nga kapitulli 23 dhe 24; për të vijuar më tej rolin dinamik dhe konstruktiv në bashkëpunimin rajonal, por edhe me reformat e sundimit të së drejtës në ekonomi, të cilat më duhet të them në emër të qeverisë shqiptare, janë reforma të cilat i konsiderojmë për parësorë për sa i takon zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe jo thjeshtë në funksion të integrimit evropian.

Gësenem (Faleminderit).