Postuar më: 22 Maj 2017

Fjala e Ministrit Bushati në lançimin e nismës Colours of Albania 2017

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

Faleminderit që jeni këtu me ne.

Faleminderit ambasador për rrugën dhe për fleksibilitetin që keni dëshmuar gjatë bashkëpunimit tonë.

Falënderoj gjithashtu për zgjedhjen që keni bërë, duke filluar që nga Luçjani për dedikimin dhe për organizimin e këtij aktiviteti, natyrisht pa harruar Këshillin Britanik.

Siç ju thamë ky është viti i tretë që ne organizojmë këtë aktivitet apo këtë konkurs të cilin e kemi titulluar Colours of Albania apo ngjyrat e Shqipërisë, synimi bazë i të cilit është jo thjesht për të përfshirë të rinj dhe të reja, njerëz pa tipare dallimi në një konkurs ku secili prej tyre ka mundësi të bëjë një fotografi, natyrisht jo nga ato fotografitë profesionale që ne jemi mësuar të shohim në Shkodër apo në këtë galeri të rëndësishme që sheh qartë identitetin tonë europian, por foto të cilat dëshmojnë për bukuritë e Shqipërisë. Foto që kanë mundësi të promovojnë sa më shumë vendin tonë apo edhe foto që demonstrojnë traditat më të mira të popullit shqiptar.

Për kuriozitet mund t’ju them që vjet dhe parvjet ne kemi pasur një numër shumë të madh njerëzish të cilët janë përfshire në këtë konkurs.  Më pas kemi përzgjedhur 100 fotot më të mira për të shkuar tek 10 fotot më të mira, dhe në fund për të shkuar tek fotoja më e mirë. Interesant është fakti që në të gjithë këtë proces jemi përpjekur dhe vetë procesi në fakt ia ka arritur që të fshijë, le të themi, kufijtë që ekzistojnë sot mes shqiptarëve në Ballkan, sepse kujtoj që në dy konkurset e para, në dhjetëshen finale, kemi pasur shqiptarë të Kosovës të cilët falë talentit tyre, juria më pas i ka përzgjedhur si fotot fituese.

Kështu që shpresoj shumë që edhe këtë vit ne të ruajmë dhe konsolidojmë këtë traditë ku  shqiptarët pavarësisht ku jetojnë brenda Shqipërisë apo jashtë kufijve të Shqipërisë të kenë mundësi të kontribuojnë edhe në ketë konkurs.

Pse Shkodra këtë herë, kur në dy vitet e para e kemi organizuar në Tiranë? Nuk ka lidhje fare me situatën politike as me atë çfarë do të ngjajë në Shqipëri për pak ditë, po ka lidhje me një programim tonin sepse siç u tha dhe në hyrje të këtij aktiviteti Shkodra është vendi tipik ku praktikisht lindi fotografia dhe ku ne kishim programuar që kjo nisëm do të ishte dy vitet e para në Tiranë dhe më pas do të lançohej apo të prezantohej në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Besoj se edhe vetë fjala ngjyrë që ka dy elementet kryesorë të artit pamor, që janë fotografia dhe piktura, nuk mund të konceptohen pa traditën dhe pa kontributin e Shkodrës në këtë drejtim. Prandaj unë shpresoj shumë që edhe viti i tretë të jetë një vit i suksesshëm. Ne kemi mundësi të përfshijmë sa më shumë njerëz në këtë konkurs dhe ta promovojmë gradualisht edhe në qytetet e tjera  të Shqipërisë.

Duke ju falënderuar të gjithëve për pjesëmarrjen më lejoni dhe një herë të falënderoj për bashkëpunimin e demonstruar deri tani, Ambasadën Norvegjeze dhe Këshillin Britanik.

Ju faleminderit!